Gjatë monitorimit të sferës keqinformuese gjatë periudhës 21–26 shtator 2026, janë evidentuar raste të lajmit të rremë, mashtrimit dhe manipulimit të fakteve. Lajmi i rremë ka qenë kategoria më e pranishme, me shtatë raste, ndërsa janë evidentuar edhe katër raste të mashtrimit dhe një rast i manipulimit të fakteve.
Një pjesë e konsiderueshme e përmbajtjeve të trajtuara gjatë kësaj periudhe kanë pasur në fokus aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, si dhe zhvillimet dhe reagimet pas tij. Në disa raste janë fabrikuar deklarata të figurave politike dhe publike ndërkombëtare, ndërsa në raste të tjera janë përdorur materiale të manipuluara ose të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Përmbajtjet janë publikuar kryesisht në rrjete sociale, veçanërisht në Facebook dhe TikTok. Pretendimet kanë prekur tema që lidhen me aktgjykimin në Hagë, marrëdhëniet Kosovë-SHBA, Albin Kurtin, Donald Trumpin, si dhe gjyqtarin e Dhomave të Specializuara, Charles Smith.
Lajm i rremë
Në TikTok u publikua një përmbajtje që pretendonte se presidenti amerikan Donald Trump kishte kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së deri në dhjetor dhe kishte paralajmëruar rishikimin e marrëdhënieve të SHBA-së me institucionet e përfshira në proces. Hulumtimi në burime zyrtare amerikane dhe në raportimet e mediave ndërkombëtare nuk gjeti dëshmi për një deklaratë të tillë. Përkundrazi, pas aktgjykimit, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA-ja e respektonte vendimin e Dhomave të Specializuara (shih këtu).
Një tjetër përmbajtje në Facebook paraqiste deklarata të atribuuara Joseph DioGuardit, William Walkerit dhe gazetarit Nick Beake lidhur me protestat në Prishtinë pas aktgjykimit të Hagës. Verifikimi nuk gjeti dëshmi që këta persona kishin bërë deklaratat e paraqitura në publikime (shih këtu).
Në Facebook u publikua edhe një pretendim se Trump kishte hequr vizat për Kosovën dhe kishte bërë deklarata për Albin Kurtin, anëtarësimin e Kosovës në BE dhe pozitën e saj në rajon. Kërkimet në burimet zyrtare amerikane dhe në mediat e përmendura në përmbajtje nuk konfirmuan këto deklarata. Po ashtu, përmbajtja ngatërronte kompetencat e presidentit amerikan me procedurat për programin amerikan të heqjes së vizave dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (shih këtu).
Një deklaratë e atribuuar kongresistit amerikan Joe Wilson, sipas së cilës ai kishte thënë se “është fat i madh që populli i Kosovës ka një kryeministër si Albin Kurti”, u publikua në Facebook. Kërkimet në burimet zyrtare të Wilsonit dhe në mediat në shqip e anglisht nuk gjetën burim kredibil që dokumentonte këtë deklaratë (shih këtu).
Një tjetër përmbajtje pretendonte se ish-ministri britanik Denis MacShane kishte deklaruar për mediumin kroat “Index.hr” se gjyqtari Charles Smith kishte marrë 3 milionë euro nga Serbia përmes një banke në Maltë. Kërkimet nuk gjetën një publikim të tillë. Në verifikim u sqarua se shuma prej rreth 3 milionë eurosh lidhej me një gjobë të shqiptuar ndaj Satabank nga autoritetet malteze për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave, dhe jo me ndonjë pagesë të dokumentuar ndaj Smithit (shih këtu).
Një video-material i publikuar në Facebook pretendonte se Gjykata në Hagë kishte rrëzuar të gjitha akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe se ata së shpejti do të ishin në liri. Megjithatë, më 16 shtator Trupi Gjykues i shpalli të katër fajtorë për disa krime lufte dhe u shqiptoi dënime me burgim. Ata u shpallën të pafajshëm vetëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet, por kjo nuk nënkupton se të dënuarit janë liruar ose se akuzat janë rrëzuar (shih këtu).
Një tjetër rast lidhej me një video të vjetër të policisë së New York-ut, e cila u paraqit si eskortë policore e Albin Kurtit gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Verifikimi tregoi se videoja ishte publikuar më herët, në nëntor 2025, dhe përshkrimi origjinal e paraqiste atë si një automjet të NYPD-së që po i përgjigjej një thirrjeje urgjente, pa ndonjë lidhje me Kurtin (shih këtu).
Mashtrim
Në Facebook dhe TikTok u publikuan imazhe që paraqisnin Albin Kurtin duke u takuar dhe shtrënguar duart me Donald Trumpin. Nuk u gjet konfirmim kredibil për një takim të tillë, ndërsa analizat përmes disa mjeteve të detektimit të përmbajtjeve të gjeneruara me IA treguan probabilitet të lartë se imazhet ishin krijuar me inteligjencë artificiale (shih këtu).
Një imazh i Hysni Gucatit, në të cilin ai paraqitej duke mbajtur një revole pas shpine gjatë një proteste, u publikua në rrjete sociale. Pamjet autentike të protestës treguan se Gucati nuk mbante armë, ndërsa analiza përmes HiveModeration e vlerësoi me probabilitet të lartë se imazhi ishte gjeneruar ose manipuluar me IA (shih këtu).
Në një tjetër rast, një video me pamje reale të Vojislav Sheshelit u kombinua me një audio të manipuluar, e cila i atribuonte atij deklaratën se aktakuza ndaj Thaçit dhe UÇK-së ishte shkruar në Beograd. Deklarata e pretenduar nuk gjendej në videon origjinale të publikuar më herët, ndërsa disa mjete të analizës së audios e vlerësuan atë me probabilitet të lartë si të gjeneruar ose të manipuluar me IA (shih këtu).
Po ashtu, në TikTok u publikua një imazh i Albin Kurtit duke mbajtur një flamur kuq e zi, i cili u paraqit si “flamuri i ri” që pritet ta ketë Kosova. Analiza përmes HiveModeration e vlerësoi imazhin me probabilitet të lartë si të gjeneruar me IA, ndërsa nuk u gjet ndonjë njoftim apo dokument zyrtar që paralajmëronte ndryshimin e flamurit të Kosovës (shih këtu).
Manipulim i fakteve
Një përmbajtje pretendonte se ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, kishte deklaruar se gjyqtari Charles Smith kishte thënë se “shqiptarët janë kafshë që duhet zbutur”. Verifikimi tregoi se kjo deklaratë ishte lidhur me pretendimet e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simons, për gjyqtarin Dario Sielicki në kontekstin e rastit “Drenica”. Ndërsa pretendimet e Simonsit për Charles Smithin lidhen me çështje të tjera, përfshirë pretendime për ndërhyrje në procese gjyqësore. Përmbajtja kombinonte kështu persona dhe pretendime nga burime të ndryshme, duke i paraqitur ato në një lidhje të pasaktë (shih këtu).