Portali informativ me emrin “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “NATO largohet nga Kosova/ Ja çfarë kërkoi ish emisari amerikan”.
Ndërsa në përmbajtje, portali ka raportuar mbi një deklarim të ish – emisarit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se pjesa e informacionit në titull, që tregon se NATO është larguar nga Kosova, nuk qëndron dhe po ashtu nuk pasqyron as përmbajtjen e këtij artikulli.
Vegëza e artikullit të publikuar nga “ntv.al”:
Pasi që në titull jepet informacioni që pretendon se NATO largohet nga Kosova, hibrid.info ka hulumtuar mbi pretendimin.
Në bazë të gjetjeve, është vërtetuar se operacioni i NATO-s ka marr mandatin nga Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dhe në bazë të Marrëveshja Ushtarako-Teknike ndërmjet NATO-s, Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë (shih këtu).
Duke ditur që Rezoluta 1244 e OKB-së është ende në fuqi (këtu), po ashtu edhe Marrëveshja Ushtarako-Teknike e Kumanovës (këtu), hibrid.info ka vërtetuar se nuk ka ndonjë vendim për largimin e misionit të NATO-s nga Kosova.
Pjesë nga artikulli i “ntv.al”:
Grenell shkruan në X se Kurti duhet të ndalojë së vepruari njëanshëm nëse dëshiron që amerikanët të mbrojnë sigurinë e rajonit përmes trupave të NATO-s.
”Nëse Albin Kurti dëshiron që amerikanët të vazhdojnë të paguajnë dhe të mbrojnë sigurinë e rajonit përmes trupave të NATO-s, atëherë ai duhet të ndalojë së bëri lëvizje të njëanshme që rrezikojnë sigurinë e 572 burrave dhe grave amerikane nga Teksasi, Oklahoma etj, që aktualisht shërbejnë në Kosovë” – ka theksuar ish emisari amerikan.
“Sjellja e tij e çrregullt duke injoruar kërkesat e komunitetit ndërkombëtar nuk mund të hidhet poshtë më nga ekipi I presidentit Joe Biden dhe Senati i SHBA. Albin Kurti po rrezikon jetën e amerikanëve me veprimet e tij. Ai duhet ta ndalojë luftën e tij – ose trupat amerikane duhet të tërhiqen në shtëpi” – ka potencuar Richard Grenell.
Hibrid.info ka gjetur deklarimin e ish – emisarit, Richard Grenell, të postuar në platformën sociale X (ish – Twitter) (shih këtu).
Edhe pse nuk bart përgjegjësi institucionale, pasi që nuk ushtron detyrë zyrtare, Grenell ka përmendur mundësinë e largimit të trupave amerikane, të cilat shërbejnë në misionin e NATO-s në Kosovë, si opsion të mundshëm ndaj qasjes siç e quan ai, të njëanshme të kryeministrit Albin Kurti.
Analiza:
Pretendimi në titullin e artikullit të publikuar nga portali informativ, “ntv.al”, i cili njofton se NATO largohet nga Kosova, nuk është i vërtetë, pasi që Rezoluta 1244 e OKB-së dhe Marrëveshja Ushtarako-Teknike e Kumanovës, nga të cilat buron misioni i NATO-s, janë ende në fuqi.
Po ashtu hibrid.info ka gjetur mos përputhje të informacionit që jepet në titull dhe atij brenda përmbajtjes.
Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Vlerëisimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.