info@hibrid.info
Pretendohet rrejshëm për sondazh për kryetar të Prizrenit nga “një kompani prestigjioze amerikane”
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar në Facebook një fotografi që pretendohet se i shfaq të dhënat e një sondazhi për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Sondazhi i fundit per komunen e Prizrenit i bere nga kompania prestigjoze Amerikane – UGBA”, shkruan në pretendimin e publikuar nga faqja “Shadervani” më 30 shtator. Sipas grafikut të shfaqurat, në sondazh prin Shaqir Totaj, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, i ndjekur nga Driton Selmanaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës. I treti është Artan Abrashi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por çka nuk shkon me këtë pretendim?

Hibrid.info ka hulumtuar përmes motorit të kërkimit “Google” me fjalët “Sondazh për kryetar të Komunës së Prizrenit”, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë publikim në media apo burime kredibile në muajin e fundit.

Madje pas verifikimit është konstatuar se nuk ekziston një kompani amerikane me akronimin apo emrin “UGBA” e që merret me matje të opinionit publik.


Postimi në faqen “Shadervani” ka marrë më shumë se 50 reagime, 14 komente e 29 shpërndarje.

Publikimi i njëjtë është shpërndarë edhe në TikTok, nëpërmjet llogarisë “republika338”. Aty ka marrë mbi 7 mijë shikime, 69 pëlqime e shtatë komente.

Rreth sondazheve

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Në rastin konkret nuk dihet sa njerëz janë përgjigjur në pyetjet e sondazhit apo edhe kur është bërë matja.


Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, hibrid.info ka identifikuar disa sondazhe të rreme për kryetarë të komunave të ndryshme (shih këtu).

Analiza:

Llogaria “Shadervani” në Facebook ka pretenduar rrejshëm se një sondazh për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, është kryer nga një kompani prestigjioze amerikane.

Hibrid.info ka verifikuar online dhe nuk ka gjetur se ekziston një kompani amerikane me këtë emër apo akronim, e që merret me matje të opinionit publik. Po ashtu, raportimi për sondazh për kryetar të komunës së Prizrenit nuk është gjetur në asnjë medie kredibile.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others