info@hibrid.info
Titulli nuk përputhet me përmbajtjen
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Një artikull me titullin “Karateistët kosovarë përjashtohen nga Evropiani në Qipro për shkak të simboleve shtetërore” është publikuar të martën (10 shkurt) nga Agjencia e Lajmeve “KosovaPress.com”.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli i këtij artikulli nuk përputhet me përmbajtjen.


Pas klikimit në artikull, bëhet e qartë se “ekipi i karatesë së Kosovës nuk mori pjesë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U21, të mbajtur në Limasol të Qipros, për shkak të një akti diskriminues nga shteti organizator, i cili nuk lejonte paraqitjen me simbole shtetërore”.

Qiproja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në këtë artikull gjendet edhe një intervistë dhënë nga sekretari të Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK), Nazmi Gashi.

Ai deklaroi se autoritetet qipriote, për shkak se nuk e njohin shtetin e Kosovës, nuk lejuan që sportistët kosovarë të garonin në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera, duke përdorur flamurin, himnin dhe simbolet kombëtare. Si alternativë, ekipit të Kosovës i është propozuar që të marrë pjesë nën flamurin e Federatës së Karatesë, por kjo u vlerësua si e papranueshme nga (FKK).


Deklarata e Gashit dhënë për KosovaPress.com (shih këtu dhe këtu)

“Vikendin e kaluar është mbajtur kampionati evropian për kadetë, juniorë dhe U21 në Qipro, në Limasol. Aty Kosova s’ka marrë pjesë për shkak se në komunikimin zyrtar që kemi pasur me Federatën e Qipros dhe Federatën Evropiane, Qipro nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk ka pranuar që ne të jemi të barabartë si të gjitha shtetet e tjera, që atje të paraqitemi me himn, me simbole, me flamur. Por ka thënë që ju mund të vini këtu dhe të merrni pjesë nën flamurin e Federatës së Karatesë së Kosovës, që për ne ka qenë e papranueshme”, tregon fillimisht Gashi.

“Ne ndihem të diskriminuar dhe pa simbole nuk do të marrim pjesë jo vetëm në Qipro, por në asnjë vend ku nuk lejohen si sportistë të barabartë për të marrë pjesë në kushte të barabarta me të gjithë. Prandaj dhe nuk kemi udhëtuar fare për atje. Kemi njoftuar bordin dhe kuvendin e federatës. Ne kemi filluar komunikimin ose kemi dërguar letrën e parë qysh me datën 8 tetor të vitit 2025, për shkak se e kemi ditur që në vitin 2023 e kemi pasur problemin e njëjtë në Qipro dhe e kemi ditur që mund të kemi përsëri probleme. Dhe nuk na është kthyer fare përgjigje deri me datën 20 janar. Me datën 20 janar nga Federata e Qipros kemi pranuar një letër, një email ku shkruan që Qipro nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe mund të merrni pjesë vetëm nën flamurin e federatës”.

“Ne patjetër që do të shtrojmë ankesë dhe në kuvendet e radhës do të ngrisim zërin që këto kampionate mos t’i jepen në vende të cilat nuk i njohin shtetet ose nuk iu mundësojnë sportistëve të marrin pjesë si të barabartë me të gjithë sportistët e tjerë. Për shkak se është një humbje e madhe e sportistëve. Ne kemi pasur disa sportistë potencial që në këtë garë të stolisen me medalje evropiane dhe atyre ju pamundësohet pjesëmarrja në garë”, tha në fund Gashi.


Pra, në asnjë rast, fjalia “Karateistët kosovarë përjashtohen” nuk është përmendur brenda artikullit, as nga publikuesi e as nga sekretari i FKK-së!

Artikulli me titull të njëjtë, më pas u publikua edhe në median online “Euronews.al“.


Kontekst

Federata e Karatesë e Kosovës ishte njoftuar nga autoritetet e Qipros dhe nga Federata Evropiane e Karatesë (EKF) se përfaqësimi i Kosovës me flamur dhe himn shtetëror nuk do të lejohej, çka do ta vendoste ekipin kosovar në pozitë të pabarabartë krahasuar me sportistët e shteteve të tjera.

Si alternativë, (EKF) propozoi që sportistët nga Kosova të garonin nën emrin dhe flamurin e Federatës së Karatesë së Kosovës, në përputhje me kufizimet ligjore në fuqi në Qipro.

Megjithatë, udhëheqësit e federatës së karatesë kosovare e hodhën poshtë këtë propozim dhe vendosën të mos marrin pjesë në ngjarjen kryesore kontinentale, vendim i cili u miratua nga Bordi Ekzekutiv dhe Kuvendi i Punës i Federatës.


Analiza

Artikulli i publikuar nga KosovaPress me titullin “Karateistët kosovarë përjashtohen nga Evropiani në Qipro për shkak të simboleve shtetërore” nuk përputhet me përmbajtjen.

Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se karateistët kosovarë nuk janë përjashtuar, por nuk kanë marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Qipro për shkak të kushteve diskriminuese të vendosura nga shteti organizator, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Sipas deklaratës së sekretarit të Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi, autoritetet qipriote nuk kanë lejuar paraqitjen e ekipit me flamur, himn dhe simbole shtetërore, ndërsa Federata Evropiane e Karatesë ofroi si alternativë pjesëmarrjen nën flamurin e federatës, çka u refuzua nga FKK-ja. Megjithatë, ekipi kosovar vendosi të mos udhëtojë fare në Qipro.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others