[email protected]
Pretendimi për reduktime të rrymës si pasojë e ndaljes së bllokut A3, i pabazuar dhe i demantuar
shape
shape
shape

Portali informativ “Demokracia.com” ka publikuar dje (16 shtator, ora 20:17) një artikull me titull “LAJMI I FUNDIT| Ndalet blloku A3, reduktimet nisin nga 24:00”.

Në këtë artikull pretendohet se, sipas informacioneve, do të nisin reduktimet e rrymës nga ora 24:00, si pasojë e ndaljes së bllokut A3. Dhe, sipas këtij portali, një gjë e tillë do të vazhdojë të mbahet fshehur nga ana e KEK-ut.

Mirëpo, në njoftimin e KEK-ut përmes faqes zyrtare në Facebook (17 shtator, ora 21:26) thuhet se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore. Tutje në njoftim bëhet e qartë se nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike.

Në anën tjetër, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar dje (17 shtator) se do të ketë reduktime të energjisë elektrike në disa komuna të Kosovës, por se ato janë si pasojë e punimeve në rrjet.

Pra, pretendimi nga “Demokracia.com” se reduktimet do të nisin nga ora 24:00 si pasojë e ndaljes së njësisë A3, nuk janë në përputhje me qëndrimin zyrtar të KEK-ut dhe planit të KEDS-it.


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Demokracia.com”:

Ndalja e punës së bllokut A3, siç ka mësuar Demokracia.com, po bëhet për shkak të një rrjedhje dhe pas mesnatës së sotme janë planifikuar edhe reduktime në shumicën e komunave të Kosovës, por kjo po vazhdon të mbahet fshehur nga ana e KEK-ut.

Demokracia.com ka tentuar të flasë me zëdhënësin e KEK-ut, Skënder Bucollin, për ta pyetur rreth nxjerrjes jashtë funksionit të A3-shit dhe reduktimeve të planifikuara, mirëpo ai nuk është përgjigjur në telefon dhe as nuk ka kthyer SMS.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Demokracia.com”:

https://demokracia.com/lajmi-i-fundit-ndalet-blloku-a3-reduktimet-nisin-nga-2400/?fbclid=IwAR2Vtv_ohJ9FxmYISOsSjqmcj4EdXnw-ZPTReBpJOmtz9ING5eXH0yfTuDc


Njoftimin e KEK-ut lidhur me planifikimin e ndaljes 4-5 ditore të njësisë A3 mund ta gjeni këtu.

KEK Njoftim:

Korporata Energjetike e Kosovës njofton se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore.

Lidhur me këtë, KEK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike.

Gjithë t’mirat,

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete

Korporata Energjetike e Kosovës


Pak minuta pas publikimit të njoftimit nga KEK-u, në faqen zyrtare në Facebook, “Demokracia.com” ka reaguar edhe me një artikull, përmes së cilit e ri-sjellin të njëjtin pretendim. Mirëpo, në këtë rast, në kuadër të përmbajtjes e paraqesin edhe një video me imazhe të një rruge, të xhiruar nga një automjet që është në lëvizje. Por, autori jep detaje tjera që do të mund ta ndërlidhnin me pretendimin e bërë. (shih këtu)


Për ta qartësuar edhe më shumë faktin se ndërprerjet e energjisë elektrike në disa komuna të Kosovës janë si pasojë e punimeve në rrjet dhe jo e ndaljes së njësisë A3, siç pretendon “Demokracia.com”, hibrid.info ka konsultuar edhe njoftimin e KEDS për reduktime të energjisë elektrike por, siç thuhet në njoftim, ato do të ndodhin vetëm si pasojë e punimeve në rrjet dhe jo si rezultat i mungesës me furnizim, siç pretendon portali i lartcekur.

Njoftimin e KEDS-it lidhur me reduktimet e energjisë elektrike si pasojë e punimeve në rrjet mund ta gjeni këtu.


Artikullin e “Demokracia.com” e kanë publikuar edhe disa media online në Kosovë si “Botasot.info”, “GazetaExpress.com” dhe “Zëri.info”.


Analiza:

Pretendimi i bërë nga mediumi online “Demokracia.com” për reduktime të energjisë elektrike si pasojë e rënies së bllokut “A3” të termocentralit “Kosova A”, është i pabazuar. Këtë pretendim autori e ngritë në, siç shkruan, në bazë të asaj që “kanë mësuar”, por pa paraqitur ndonjë fakt apo detaj që e plotëson argumentin. Përveç kësaj, në artikull nuk bëhet e ditur nëse informacionin e kanë nga një burim brenda KEK-ut apo ndonjë institucioni relevant.

Ky pretendim është hedhur poshtë më pas nga një njoftim i KEK-ut, që e bënë informacionin irelevant. Në artikullin e dytë, që është pasues i të parit, ky medium vazhdon të kundërshtojë njoftimin e KEK-ut, por sërish nuk ofron ndonjë fakt plotësues. Edhe KEDS, në njoftimin e tyre për gjendjen me energji elektrike gjatë ditës së 17 shtatorit, nuk shkruan se do të ketë reduktime të rrymës, si pasojë e mungesës së furnizimit, por si rezultat i punimeve në rrjet.

Nga trajtimi i fakteve dhe analizës së tyre, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others