Të fundit | Rusia intensifikon narrativat për Kosovën: viktimizimi i serbëve, delegjiti… Të fundit | Vazhdon të publikohet videoja e gjeneruar me IA që paraqet rrejshëm Trumpin… Të fundit | Si mund të përdoren filmat e animuar për propagandë Të fundit | Pretendimi konspirativ se serbët në Kosovë do ta “paguajnë çmimin” për gjyk… Të fundit | Pretendimi i pabazuar se një “top zjarri” u lëshua nga Kosova drejt Serbisë Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Bugajski e ka bërë këtë deklaratë për Kurtin Të fundit | Vllasit i atribuohet rrejshëm një deklaratë për Kurtin Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të fabrikuara të Kurtit dhe Fidanit për Kosovë… Të fundit | Narrativat e zyrtarëve rusë për situatën në Kosovë: “spastrim etnik” i serb… Të fundit | Bajrami nuk ka deklaruar se Kurti i ka rikthyer dinjitetin Kosovës
[ ARTIKULLI ]

Rusia intensifikon narrativat për Kosovën: viktimizimi i serbëve, delegjitimimi i Perëndimit dhe rikthimi te Beogradi

FESTIM RIZANAJ

Në tre artikuj të publikuar më 21-25 gusht 2026, RT Balkan amplifikon një sërë narrativash të promovuara nga zyrtarë dhe figura politike ruse për Kosovën. Në qendër të tyre janë pretendimet për përkeqësimin e gjendjes së serbëve, “presionin sistematik” dhe rrezikun e “spastrimit etnik”, ndërsa institucionet e Kosovës dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti paraqiten si përgjegjësit kryesorë. Në të njëjtën kohë, NATO-ja, BE-ja dhe misionet ndërkombëtare akuzohen për tolerim ose mbështetje të veprimeve të Prishtinës. Përmes këtyre narrativave, Rusia pozicionohet si mbrojtëse e serbëve dhe e interesave të Beogradit, ndërsa Kosova përdoret edhe si argument për të sulmuar politikën dhe kredibilitetin e Perëndimit.

Serbët paraqiten si viktima të një politike sistematike dhe kërcënohen nga “spastrimi etnik”

Në artikullin “Rusija: Neophodan što brži i potpuni povratak Kosova i Metohije pod upravu Beograda(Rusia: Nevojitet rikthimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Kosovës dhe Metohisë nën administrimin e Beogradit”), RT Balkan përcjell deklaratat e ushtruesit të detyrës së përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në OSBE, Aleksandar Volgarjov, i cili e përshkruan gjendjen e serbëve në Kosovë si “katastrofike”. Ai pretendon se nga viti 2021 deri në vitin 2026 janë kryer 800 sulme me motive etnike ndaj serbëve dhe se mbi 250 serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve jo-shqiptare janë arrestuar me arsye të fabrikuara. Po ashtu, përmenden pretendime për shkelje të të drejtave pronësore, konfiskim objektesh dhe përdorim të proceseve për krime lufte si formë presioni ndaj komunitetit serb.

Këto pretendime ndërtojnë një narrativë ku zhvillimet e ndryshme politike, të sigurisë dhe institucionale paraqiten si pjesë e një politike të koordinuar për ushtrimin e presionit dhe largimin e serbëve nga Kosova. Në këtë kuadër, përdorimi i termit “spastrim etnik” e ngre nivelin e alarmit dhe krijon perceptimin se komuniteti serb përballet me një kërcënim ekzistencial. Reduktimi i pranisë së KFOR-it në pika të caktuara, përfshirë Urën e Ibrit dhe Manastirin e Deçanit, paraqitet si faktor që mund ta rrisë këtë rrezik.

Narrativa personalizohet përmes paraqitjes së Albin Kurtit si përgjegjës për këto zhvillime. Në artikull pretendohet se “mbështetësit perëndimorë” të Prishtinës i kanë dhënë Kurtit “leje” për ndërmarrjen e hapave që synojnë largimin e popullsisë serbe. Kështu, përgjegjësia nuk i atribuohet vetëm institucioneve të Kosovës, por shtrihet te aktorët ndërkombëtarë që mbështesin ose tolerojnë politikat e Prishtinës.

NATO, BE-ja dhe Perëndimi paraqiten si bashkëpërgjegjës, ndërsa Moska si mbrojtëse e serbëve

Në artikullin “Moskva ukazuje na teror, a iz Brisela ‘upakovani’ tonovi: Kako Srbija da odbrani prava Srba na KiM(Moska tregon për terrorin, ndërsa nga Brukseli vijnë tone të ‘paketuara’: Si ta mbrojë Serbia të drejtën e serbëve në Kosovë), kjo narrativë zgjerohet duke krijuar një kontrast të drejtpërdrejtë ndërmjet Moskës dhe Brukselit. Ndërsa Moska paraqitet si palë që paralajmëron për “terrorizimin sistematik” të serbëve, reagimet e BE-së përshkruhen si deklarata të kujdesshme dhe të “paketuara”, të cilat synojnë të ruajnë dialogun dhe normalizimin. Në këtë mënyrë, minimizohet roli i aktorëve perëndimorë në adresimin e problemeve dhe krijohet perceptimi se ata nuk janë të gatshëm të mbrojnë serbët.

KFOR-i dhe misionet ndërkombëtare vendosen në qendër të kësaj kritike. Reduktimi i pranisë së KFOR-it në lokacione të rëndësishme paraqitet si zhvillim i rrezikshëm, ndërsa kalimi i përgjegjësive te institucionet e Kosovës portretizohet si kërcënim për sigurinë e serbëve. Përmes deklaratave të Maria Zaharovës, NATO-ja, BE-ja dhe OKB-ja akuzohen se tolerojnë “shtypjen etnike” ndaj serbëve.

Në të njëjtën kohë, artikulli promovon idenë se Beogradi duhet ta rrisë angazhimin diplomatik dhe ta rikthejë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Rezoluta 1244 paraqitet si bazë qendrore juridike për kërkesat serbe, ndërsa përmendet edhe mundësia e ndryshimit të strukturës së pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Përfshirja e Rusisë, Kinës dhe vendeve të BRICS-it paraqitet si alternativë ndaj strukturës aktuale të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe BE-ja.

Kjo e vendos Rusinë në pozitën e aktorëve mbrojtës dhe garantues të interesave serbe, ndërsa Perëndimi paraqitet si faktor që kontribuon në dobësimin e pozitës së Beogradit dhe komunitetit serb.

Medvedev përdor Kosovën për narrativën e “standardeve të dyfishta” të Perëndimit

Në artikullin “Medvedev o dvostrukim aršinima Zapada: Teraju po svome, s radošću su priznali tzv. Kosovo(Medvedev për standardet e dyfishta të Perëndimit: Ata ndjekin rrugën e tyre, me kënaqësi e njohën të ashtuquajturën Kosovë), çështja e Kosovës largohet nga konteksti i drejtpërdrejtë serbo-kosovar dhe vendoset në një kornizë më të gjerë të përplasjes Rusi–Perëndim. Dmitry Medvedev e përdor Kosovën si shembull të pretendimit se vendet perëndimore zbatojnë “standarde të dyfishta” në interpretimin e së drejtës ndërkombëtare.

Medvedev e krahason rastin e Kosovës me Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, duke argumentuar se Perëndimi e njohu Kosovën, ndërsa nuk i njohu këto dy territore. Përmes këtij krahasimi ndërtohet narrativa se parimet e vetëvendosjes dhe integritetit territorial zbatohen në mënyrë selektive, në varësi të interesave gjeopolitike të Perëndimit.

Kosova shndërrohet kështu në një “precedent” të përdorur nga Moska për të delegjitimuar politikën perëndimore. Rasti i saj nuk trajtohet vetëm si çështje e Ballkanit, por si dëshmi e pretenduar e “hipokrizisë” së SHBA-së, NATO-s dhe vendeve evropiane. Në këtë kornizë, narrativa për Kosovën lidhet drejtpërdrejt me narrativën ruse për NATO-n si bllok armiqësor dhe kërcënim ndaj sigurisë së Rusisë.

Tre artikujt e RT Balkan ndërtojnë një arkitekturë të ndërlidhur narrative për Kosovën. Në nivelin lokal, serbët paraqiten si viktima të një politike sistematike të represionit, diskriminimit dhe dëbimit, ndërsa zhvillimet e fundit të sigurisë, përfshirë reduktimin e pranisë së KFOR-it, interpretohen si paralajmërim për një “spastrim etnik”. Në nivelin politik, Kurti dhe institucionet e Kosovës paraqiten si aktorë kryesorë të kësaj politike, ndërsa NATO-ja, BE-ja dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë akuzohen për tolerim ose mbështetje të tyre.

Në nivelin gjeopolitik, Kosova përdoret nga Moska si argument kundër Perëndimit dhe NATO-s, përmes narrativës së “standardeve të dyfishta” dhe interpretimit selektiv të së drejtës ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Rusia pozicionohet si mbrojtëse e serbëve dhe e interesave të Serbisë, duke promovuar rikthimin e çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe rikthimin e Kosovës nën administrimin e Beogradit.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere