Gjatë periudhës 27 prill–2 maj, monitorimi i mediave dhe platformave sociale tregon një dominim të dezinformatave, të shpërndara kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të dyshimta në internet.
Gjatë kësaj periudhe, dezinformatat janë publikuar kryesisht në ueb-faqe me mungesë transparence dhe besueshmëri të dyshimtë, si dhe janë shpërndarë më tej në rrjete sociale, veçanërisht në Facebook dhe TikTok. Tematikisht, ato janë fokusuar në zhvillime politike dhe figura publike, duke përfshirë pretendime të pabazuara për ndikim të SHBA-së në propozimin e Feride Rushitit për presidente, manipulime me imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale lidhur me Lumir Abdixhikun dhe raportet me Serbinë, si dhe riciklim të lajmeve të vjetra me tituj të rremë për deklarata të pretenduara të Radoiçiqit ndaj ish-udhëheqësve politikë në Kosovë.
Përmbajtjet me natyrë clickbait janë publikuar si në media online, ashtu edhe në rrjete sociale, duke përdorur tituj sensacionalë dhe imazhe çorientuese për të tërhequr vëmendjen. Tematikisht, ato janë fokusuar në zhvillime politike dhe procese gjyqësore, si rasti i një artikulli të publikuar nga gazeta “Demos” për një takim të pretenduar mes Glauk Konjufcës dhe Enver Hoxhajt, i ilustruar me një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që paraqitej si real, si dhe përmbajtje në rrjete sociale lidhur me seancat gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku mungesa e kontekstit dhe përdorimi i imazheve të pasakta krijonin perceptime të gabuara tek publiku.
Përmbajtjet që përfshijnë manipulim të fakteve dhe gabime janë publikuar kryesisht në rrjete sociale, si TikTok, por edhe në media online. Ato kanë trajtuar tema politike dhe sociale, duke përfshirë një video që paraqiste në mënyrë të pasaktë një vizitë të pretenduar të Albin Kurtit dhe Donika Gërvallës në Prekaz në një datë të caktuar, ndërkohë që bëhej fjalë për pamje nga një ngjarje e mëhershme, si dhe raportime të pasakta në media për numrin e mungesave të nxënësve, ku të dhënat për gjithë Kosovën janë paraqitur gabimisht si të kufizuara vetëm për Komunën e Prishtinës.
Manipulimi i fakteve
Një video në TikTok pretendon se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kanë vizituar familjen e Rifat Jashari në Prekaz më 24 prill 2026. Megjithatë, video paraqet një vizitë të mëhershme, e bërë gjatë shënimit të Epopesë së UÇK-së dhe nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që një vizitë e tillë ka ndodhur në datën e pretenduar. (këtu)
Clickbait
Më 25 prill, gazeta Demos publikoi një artikull me titull: “Ekskluzive: PAMJE | Glauk Konjufca takohet me Hoxhajn e PDK-së në një kafe në Prishtinë, pak orë pasi Kurti bëri ofertë për President”. Në foton ilustruese të artikullit paraqitet një imazh ku shihen kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj duke pirë kafe. Pretendimi se fotografia në ballinë përfaqëson një pamje reale të takimit Konjufca -Hoxhaj është i pasaktë. Imazhi është i gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe është përdorur në mënyrë ilustruese, por pa theksim të mjaftueshëm të këtij fakti në disa publikime dhe ripublikime mediatike. (këtu)
Në mediat sociale është publikuar një përmbajtje e shoqëruar me një imazh ku shihen katër ish-krerët e UÇK-së (Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi), me mbishkrimin që raporton se seancat gjyqësore në Hagë për Thaçin dhe të tjerët janë caktuar nga 11 deri më 15 maj. Megjithatë, verifikimi vërtetoi se përmbajtja është çorientuese pasi titulli nuk e specifikon se për cilin proces gjyqësor bëhet fjalë, ndërsa imazhi gabimisht shfaq portretet e të gjithë grupit të akuzuar për krime lufte. (këtu)
Dezinformatë
Pretendimi se Feride Rushiti u propozua si kandidate për presidente pas “kërkesës s SHBA-së” është publikuar nga një ueb-faqe me mungesë transparence dhe besueshmëri të dyshimtë, pa u mbështetur nga asnjë media kredibile. Pas verifikimit të fakteve, nuk janë gjetur burime kredibile që e konfirmojnë këtë pretendim, ndërsa përmbajtja është shpërndarë edhe nga disa faqe në Facebook, duke rritur përhapjen e informacionit të paverifikuar. (këtu)
Një imazh i gazetës serbe “Veçernje Novosti” pretendonte se Lumir Abdixhiku ka nisur zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë dhe për këtë është falënderuar zyrtarisht nga Beogradi zyrtar për këtë veprim. Por, verifikimi vërtetoi se imazhi është i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, fakt i konfirmuar edhe nga etiketa paralajmëruese në TikTok. (këtu)
Përmes disa postimeve në Facebook të publikuara më 28-29 prill, pretendohet se Radoiçiq ka deklaruar që Thaçi dhe Haradinaj i kanë premtuar atij “kulla e qytete”. Këto postime shpërndajnë një link nga “trayedit.com” me titull të ndryshuar dhe të rremë Verifikimi tregon se artikulli është i vjetër (nga viti 2019, publikuar në “klankosova.tv”) dhe të njëjtit i është vendosur titull i rremë për ta paraqitur si aktual. (këtu)
Gabim
Janë publikuar përmbajtje ku pretendohen për katër milionë mungesa të nxënësve në shkollat e Komunës së Prishtinës në një gjysmëvjetor. Përmbajtjet me këtë pretendim janë publikuar të hënën (27 prill) nga mediat “Koha.net” dhe “Klan Kosova”. Shifra prej 4 milionë mungesash i përket nxënësve të shkollave në të gjithë Kosovës, jo shkollave të Prishtinës. (këtu)