Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar se mediumi prestigjioz britanik, BBC, ka publikuar një artikull së fundmi për çështjen e gjykimit të ish-presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale në Hagë.
Publikimi përmban një imazh që ngjan në një artikull me dizajn të uebfaqes së BBC-së në gjuhën angleze dhe një fotografi e Thaçit nga procesi gjyqësor.
“Miliona euro nga Evropa dhe mijëra dokumente nga Serbia, Zyra e Prokurorit në Hagë ka dështuar ta vërtetojë fajësinë e liderit të UÇK-së, Hashim Thaçi”, është titulli që pretendohet të jetë i BBC-së, i përkthyer nga anglishtja.
“LAJMI I FUNDIT / RAPORTON BBC” shkruan po ashtu në imazhin e publikuar nga llogaria “Llapi”. Publikimi, sipas TikTokut, është bërë më 24 qershor. Imazhi ka marrë rreth 18 mijë shikime deri në momentin e trajtimit.

E vërteta?
Nuk ekziston një artikull i tillë i publikuar nga BBC-ja deri tash.
Një kërkim me këtë titull të pretenduar në “Google” nuk çon në artikull të ngjashëm të publikuar nga mediumi në fjalë. As kërkimi brenda uebfaqes së BBC-së me këtë titull, nuk rezulton në ndonjë artikull.
Thaçi gjykohet për dy raste në Hagë. Në rastin e parë, Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte. Ata janë arrestuar në nëntor 2020. Procesi gjyqësor është në fund. Ka mbetur vetëm shqiptimi i aktgjykimit. Në njoftimin e fundit lidhur me këtë rast, Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur se afati për shqiptimin e aktgjykimit është shtyrë deri më 20 korrik 2026 (shih këtu).
Ndërkaq në rastin tjetër, Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për “vepra kundër administrimit të drejtësisë”. Edhe aty procesi po vazhdon (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se BBC ka publikuar një artikull ku thuhet se Prokuroria në Hagë ka dështuar të vërtetojë fajësinë e Hashim Thaçit është i rremë.
Verifikimet tregojnë se një artikull i tillë nuk ekziston në BBC dhe titulli i shpërndarë në TikTok është i fabrikuar.
Thaçi vazhdon të përballet me dy procese gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë, të cilat ende nuk kanë përfunduar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.