Në median sociale Facebook, është vërejtur një prani e shpeshtë e përmbajtjeve që lidhen me ngjarje të kronikës së zezë, si vrasjet, aksidentet, dhuna dhe rastet e tjera tragjike.
Një pjesë e këtyre publikimeve shpërndahet nga faqe që nuk janë media, por që përdorin këto ngjarje për të tërhequr vëmendjen e përdoruesve dhe për t’i orientuar ata drejt artikujve në ueb-faqet përkatëse.
Shembuj të kësaj praktike janë disa publikime në Facebook që trajtojnë ngjarje të kronikës së zezë, të shpërndara nga faqe që nuk funksionojnë si media (shih disa nga shembujt këtu, këtu, këtu, këtu, këtu e këtu).
Por, çfarë i shtyn njerëzit të klikojnë dhe të lexojnë kaq shumë përmbajtje të tilla?
Një nga shpjegimet lidhet me një prirje të njohur në psikologji si “prirja ndaj negativitetit” (negativity bias). Kjo nënkupton se njerëzit kanë tendencë t’u kushtojnë më shumë vëmendje informacioneve negative, veçanërisht atyre që lidhen me rrezikun, kërcënimin apo ngjarjet e rënda.
Kjo prirje shpjegohet edhe me nevojën e njerëzve për të kuptuar rreziqet që i rrethojnë dhe për të qenë të informuar rreth situatave që mund të ndikojnë në sigurinë e tyre.
Çka thonë studimet?
Një studim i publikuar në revistën shkencore “Nature Human Behaviour”, me titull “Negativity drives online news consumption” (Negativiteti nxit konsumimin e lajmeve në internet), ka analizuar ndikimin e gjuhës negative në interesimin e lexuesve për lajmet online.
Studiuesit gjetën se titujt që përmbajnë më shumë fjalë me kuptim negativ kanë më shumë gjasa të tërheqin klikime sesa ata me formulime pozitive (shih këtu).
Një tjetër shpjegim lidhet me kuriozitetin e njerëzve ndaj ngjarjeve të rënda. Në psikologji, ky interesim njihet si “kuriozitet morbid” (morbid curiosity) dhe përfshin dëshirën për të mësuar rreth ngjarjeve që lidhen me vdekjen, dhunën, krimet dhe situatat e rrezikshme.
Edhe një hulumtim i publikuar në revistën “British Journal of Psychology”, me titull “Out of the dark – Psychological perspectives on people’s fascination with true crime” (Duke dalë nga errësira – Perspektiva psikologjike mbi magjepsjen e njerëzve pas krimeve të vërteta), ka shqyrtuar arsyet pse njerëzit tërhiqen nga përmbajtjet që trajtojnë krime të vërteta.
Sipas studiuesve, ky interesim lidhet, ndër të tjera, me kuriozitetin, dëshirën për të kuptuar sjelljen kriminale dhe përpjekjen për të njohur rreziqet e mundshme (shih këtu).
Këto prirje psikologjike mund të shfrytëzohen nga faqet që synojnë të rrisin numrin e klikimeve dhe audiencën e tyre në rrjetet sociale.
Përmes titujve që paralajmërojnë për ngjarje të rënda, por që nuk japin informacionin kryesor, krijohet kureshtje te lexuesit. Formulime si “Ngjarje e rëndë”, “Tronditet vendi” apo “Detaje të reja nga tragjedia” mund ta shtyjnë përdoruesin të klikojë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.
Në këtë mënyrë, interesimi i natyrshëm i njerëzve për ngjarjet tragjike shndërrohet në mundësi për të gjeneruar trafik në ueb-faqe dhe për të rritur shikueshmërinë e publikimeve.
Kjo nuk do të thotë se çdo publikim për kronikën e zezë është problematik. Megjithatë, kur ngjarjet e tilla përdoren kryesisht për të tërhequr klikime, pa ofruar informacion të plotë, të saktë dhe me kontekst, lexuesit mund të përballen me përmbajtje që më shumë synon të nxisë kureshtjen sesa të informojë.
Për këtë arsye, është e rëndësishme që përdoruesit të mos ndalen vetëm te titujt që shfaqen në Facebook, por të kontrollojnë edhe burimin dhe përmbajtjen e informacionit që po lexojnë.