Në një postim në TikTok është pretenduar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka bërë thirrje NATO-s që ta pranojë Kosovën si anëtare.
“Ekskluzive, presidenti i SHBA-së, Donald trump, i bën thirrje NATO-s ta pranojë Kosovën që të bëhet anëtare”, është mbishkrimi në një video në të cilën shihet Trumpi duke folur para një turme.
Publikimi u bë nga llogaria “dardaniatimes” në gjuhën angleze, më 2 korrik 2026.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Trumpi nuk ka dhënë deklaratë të tillë. Një deklaratë e tillë nuk është dhënë as në fjalimin mbi të cilin është bërë pretendimi e as nuk mund të gjendet online që është bërë ndonjëherë deri tash.

Faktet:
Më 1 korrik 2026, Trumpi mbajti fjalim në ceremoninë hapëse të Bibliotekës Presidenciale “Theodore Roosevelt” në North Dakota. Në fjalimin prej një ore, Trumpi nuk ka përmendur askund Kosovën. Kjo vërtetohet po që se dëgjohet i tërë fjalimi (shih këtu) ose nëse lexohet i tërë transkripti i fjalimit (shih këtu).
Ndërkaq, në pjesën e shkëputur në TikTok Trumpi dëgjohet tek flet për hapjen e bibliotekës në emrin e Rooseveltit në qytezën e Medoras (minuta e dytë deri në minutën e katërt) në fjalimin e plotë.
Po ashtu, një kërkim në “Google” me fjalët “Trumpi bën thirrje që Kosova të anëtarësohet në NATO” nuk çon në artikuj të deritashëm kredibilë apo publikues të tjerë që të konfirmojnë këtë pretendim.
Një muaj më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por shtoi se kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të ndodhë në të ardhmen (shih këtu).
Autoritetet e Kosovës ndërkaq ka vite të tëra që kërkojnë pranimin në NATO (shih këtu).
NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut) është aleancë ndërkombëtare politike dhe ushtarake e përbërë nga 32 shtete anëtare nga Evropa dhe Amerika e Veriut. Qëllimi i saj kryesor është të garantojë lirinë dhe sigurinë e vendeve anëtare përmes mjeteve politike dhe ushtarake. Në Kosovë, që nga fundi i luftës me Serbinë ajo operon përmes misionit të KFOR-it me qëllim sigurie.
Analiza:
Pretendimi në TikTok se Donald Trump i ka bërë thirrje NATO-s ta pranojë Kosovën si anëtare, është i rremë.
Në fjalimin e 1 korrikut 2026 në North Dakota ai nuk e përmendi fare Kosovën. Madje, asnjë burim kredibil nuk konfirmon se Trump ka bërë një deklaratë të tillë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.