Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një video-material ku shfaqen pamje të përmbytjeve nga shiu, me pretendimin se bëhet fjalë për situatë të ndodhur në Prishtinë.
Kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (7 janar) në TikTok nga një llogari me emrin “edmonndk”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Hibrid.info gjeti se videoja është gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA).

Në video shihet një gazetar, i cili raporton nga terreni, ku shihen vetura të mbetura në ujë, një grua me një fëmijë që po ndihmohet të lëvizë me anë të një barke dhe një shkallë matëse që tregon nivelin e ujit pas reshjeve, rreth 30 centimetra.
Përshkrimi i postimit:
“Ne Prishtine Situata e shkaktuar nga përmbytjet po përkeqësohet nga minuta në minutë.
Reshjet e dendura të shiut janë intensifikuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar rritje alarmante të nivelit të ujit. Në disa zona të qytetit, niveli ka kaluar mbi 50 centimetra, duke përmbytur rrugë kryesore dhe lagje të tëra.
Rrugët janë tërësisht të bllokuara, ndërsa dhjetëra automjete janë mbetur nën ujë. Qarkullimi është praktikisht i pamundur në pothuajse të gjithë qytetin.
Si pasojë, shumë qytetarë kanë mbetur të izoluar dhe të bllokuar në banesat e tyre ose në mjetet personale, ndërsa”
Deri në momentin e trajtimit kjo përmbajtje ka marrë mbi 550 mijë shikime, mbi 5 mijë pëlqime dhe ka afër 100 komente, nga përmbajtja e të cilave mund të vlerësohet se përdoruesit mund ta perceptojnë përmbajtjen si reale.

Hibrid.info ka kontrolluar për njoftimet e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), që është organ qeveritar për menaxhimin e situatave emergjente. Nga postimet e fundit të këtij organi qeveritar në faqen në Facebook, kuptohet se në Kosovë gjatë kësaj jave, në zona të caktuara, ka pasur vërshime pas reshjeve të shiut (shih këtu). Në një njoftim më specific të AME, si komuna të prekura nga vërshimet përmenden Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova (shih këtu).
Për shkak se Prishtina nuk figuron në mesin e komunave më të prekura nga kjo situatë, hibrid.info ka kontrolluar vërtetësinë e video-materialit të trajtuar, përmes “HiveModeration.com”, platformë e cila vlerëson nëse përmbajtjet mund të jenë gjeneruar nga IA. Rezultatet pas kontrollimit tregojnë mundësi të madhe që kjo video të ketë përmbajtje të gjeneruar IA.

Hibrid.info ka hulumtuar edhe me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “përmbytje Prishtinë” (shih këtu). Nga rezultatet e kërkimit për artikuj të shtatë ditëve të fundit, janë gjetur video-materiale që tregojnë për përmbytje edhe në Prishtinë, por jo në masën çfarë shihen në video-materialin e trajtuar (shih këtu).
Analiza:
Një situatë e përmbytjeve në Prishtinë është paraqitur me anë të një videoje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Për shkak të shikueshmërisë dhe përmbajtjeve në komente, është vlerësuar se ekziston mundësia që publiku ta perceptojë përmbajtjen si të vërtetë.
Verifikimet tregojnë se, ndonëse ka pasur vërshime në disa komuna të Kosovës, Prishtina nuk ka qenë ndër zonat më të prekura dhe pamjet nuk përputhen me raportimet zyrtare.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.



