[email protected]
Urdhër-arresti për Radoiçiqin, pretendohet të paraqitet si veprim me prapavijë politike
shape
shape
shape

Zyrtarë institucional e politikë serbë nga Kosova e Serbia, pretendojnë që urdhër-arrestin për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ta paraqesin si një veprim me prapavijë politike.

Mediat në Kosovë kanë raportuar sot se, gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut, ka dështuar ta arrestoj Milan Radoiçiqin, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata.

Lidhur më këtë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një postimi në Tëitter, ka pretenduar se ky urdhër për arrestimin e Radoiçiqit ka të bëjë me, siç pretendon ai, përpjekjet për të dobësuar ndikimin e Serbisë, në prag të zgjedhjeve të 3 prillit.

Pretendim i ngjashëm, i pabazuar në fakte, është bërë edhe nga përfaqësues të Listës Serbe. Në një reagim të tyre thuhet se ky rast lidhet me aktivitetet e institucioneve të Kosovës, për ta dobësuar Listën Serbe.

Mirëpo, pretendimet e tyre rezultojnë të jenë të pabaza, pasi që nuk bazohen në asnjë fakt.


Reagimi i Petkoviqit, i përkthyer në gjuhën shqipe:

“Përpjekja e autoriteteve në Prishtinë për të arrestuar nënkryetarin e Listës Serbe Milan Radoiçiq pa asnjë provë dhe bazë ligjore të vlefshme është një goditje e re për serbët në Kosovë dhe Metohi dhe një përpjekje për të dobësuar fuqinë e Serbisë në provincë, të prag të zgjedhjeve të 3 prillit!”.


Pjesë të reagimit të Listës Serbe në shqip:

“Jemi të vetëdijshëm se në javët e fundit është intensifikuar aktiviteti i institucioneve të Kosovës për largimin e Listës Serbe nga skena politike si bastion i mbrojtjes serbe, por i kemi kuptuar ato mesazhe dhe veprime të tilla nuk do të na trembin dhe dekurajojnë në luftën e mëtejshme për popullin tonë”.

Vegëzën e reagimit të Listës Serbe në profilin e tyre zyrtar në Facebook mund ta gjeni këtu.


Lidhur me reagimin e Listës Serbe dhe të Petkovicit kanë raportuar edhe disa nga mediat serbe. (shembuj këtu, këtu dhe këtu)


Deri më tani nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar lidhur me përpjekjen për arrestimin e Radojçiqit në pikën kufitare të Bërnjakut. E tëra që është bërë e ditur deri më tani është raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës, ku shkruan për arratisjen e një mashkulli serb në përpjekjen për arrestim nga policët.

PENGIM I PERSONIT ZYRTAR NË KRYERJE TË DETYRËS

PKK Bërnjak  03.02.2022 – 15:40. Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata.


Detaje rreth ngjarjes janë dhënë vetëm në raportimin e kallxo.com. Duke u thirrur në burime, në artikullin e këtij mediumi thuhet se personi i arratisur dje nga pika kufitare në Bërnjak, është Millan Radoiçiq, i cili është në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. (shih këtu)


Analiza:

Pretendimet e bëra nga Lista Serbe dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, se urdhër-arresti për Radoiçiqin, ka të bëjë me një prapavijë politike, është i pabazuar.

Si rezultat i kësaj, hibrid.info i vlerëson këto reagime si “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others