[email protected]
Pretendohet pa fakte se një grup shqiptarësh kanë sulmuar një shkollë të serbëve në Vushtrri
shape
shape
shape

Media online në gjuhën serbe në Kosovë, “Kosovo-Online.com” ka pretenduar se të dielën (19 maj) një grup shqiptarësh kanë hedhur gurë ndaj një shkolle ku ndjek mësimin komuniteti serb në një fshat të Vushtrrisë.

Këtë pretendim, ky medium e ka bazuar në deklaratën e drejtorit të shkollës “21 Nëntori” në Gojbulë të Vushtrrisë.

Në deklaratën e drejtorit të kësaj shkolle, Vukashin Mitroviq, thuhet po ashtu se posedojnë pamje filmike të incidentit, mirëpo të njëjtat nuk i ka publikuar.

Pretendimin e këtij mediumi e ka transmetuar në formë reagimi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila përmes një reagimi publik në faqen e saj zyrtare (këtu), ka pretenduar pa asnjë fakt se kryesit e veprës janë shqiptarë.

Në reagim, kjo Zyrë ka pretenduar po ashtu se ekzistojnë edhe pamje filmike, por që të njëjtat nuk i ka publikuar.


Vegëza e artikullit të publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “Kosovo-online.com”:

https://www.kosovo-online.com/vesti/hronika/kamenovana-srpska-skola-u-gojbulji-diektor-upozorava-na-ucestale-incidente-21-5-2024


Çka raportoi “Kosovo-Online”?

Mediumi serb në Kosovë, “Kosovo-Online”, më 21 maj raportoi për një rast që pretendon të ketë ndodhur në shkollën fillore “21 Nëntori” në Gojbulë të Vushtrrisë të dielën (19 maj).

Media ka kontaktuar edhe me drejtorin e kësaj shkolle, Vukashin Mitroviq, i cili ka folur rreth incidentit, derisa i njëjti ka pretenduar pa fakte se kryesit e kësaj vepre janë shqiptarë.

“Ka ndodhur një incident ku një grup djemsh të kombësisë shqiptare ndodheshin në shkollën ’21 Nëntori’ në Gojbulë ka thyer derën, më saktë xhamin e derës dhe ka dëmtuar kamerën. Të gjitha provat i kemi të regjistruara në kamerë”, ka thënë Mitroviq, sipas “KosovoOnline”, por që pamjet filmike nuk janë publikuar e as ndonjë fakt që mbështet pretendimin se kryesit e veprës janë shqiptarë.

Çka tha Zyra për Kosovën?

Zyra për Kosovën në qeverinë serbe tha dje (21 maj) se një grup shqiptarësh kanë gjuajtur me gurë shkollën fillore “21 Nëntori” në Gojbulë të komunës së Vushtrrisë më 20 maj dhe se kanë thyer xhamin e derës dhe një kamerë.

Në deklaratë thuhet se “ky nuk është sulmi i parë në atë shkollë fillore dhe se autorët janë të njëjtë si herët e mëparshme”.

“Edhe pse policia, KFOR-i dhe EULEX-i kanë qenë gjithmonë të informuara për sulmet në shkollë, dhe incizimet e kamerave i kanë regjistruar autorët e incidentit, keqbërësit deri më sot nuk janë sanksionuar”, ka thënë kjo Zyrë.

Çka ka ndodhur në të kaluarën në këtë shkollë?

Më 2 maj të vitit 2020, në një nga muret e po të njëjtës shkollë, një person kishte shkruar shkurtesën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. I njëjti ishte identifikuar nga organet e rendit, ishte arrestuar, e kishte pranuar veprën, dhe më pas ishte liruar në procedurë të rregullt. Policia nuk kishte dhënë informacion mbi nacionalitetin e personit të arrestuar. (këtu)


Policia nuk ka raportuar për incidentin e fundit

Për incidentin e fundit të raportuar nga media online serbe në Kosovë, “Kosovo-Online” se ka ndodhur në shkollën fillore “21 Nëntori” në Gojbulë të Vushtrrisë, nuk ka asnjë informacion zyrtar deri më tani. Policia e Kosovës nuk ka raportuar për këtë incident në asnjë prej raporteve ditore të datave 19, 20, 21 dhe 22 maj. (shih fotografitë më poshtë)


Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë po ashtu se edhe në të kaluarën në këtë shkollë kanë ndodhur incidente nga po i njëjti grup personash të nacionalitetit shqiptar dhe pretendon se ndaj tyre asnjëherë nuk janë ndërmarrë masa.

Çka gjeti hibrid.info?

Hibrid.info ka hulumtuar në lidhje me rastet e së kaluarës të ndodhura në këtë objekt. Nga hulumtimi del se në vitin 2020, policia kishte arrestuar një të dyshuar i cili kishte pranuar se kishte shkruar akronimin UÇK në një prej mureve të kësaj shkolle (shih këtu). Megjithatë, policia nuk e kishte treguar identitetin kombëtar të kryesit të veprës në fjalë.


Analiza:

Mediumi onlina serb në Kosovë, “Kosovo-Online” ka raportuar për një incident në një shkollë në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, me ç’rast ka pretenduar pa fakte se kryesit e kësaj vepre janë shqiptarë.

Ky medium, pretendimin se kryesit e veprës janë shqiptarë e ka bazuar në një deklaratë të drejtorit të kësaj shkolle, i cili ka deklaruar po ashtu se kanë pamje filmike të incidentit, të cilat nuk janë publikuar, por edhe se rasti është raportuar në polici.

Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar pa fakte se kryesit e kësaj vepre janë një grup shqiptarësh. Kjo zyrë po ashtu ka pretenduar se ekzistojnë edhe video incizime të kryerësve të veprës së pretenduar, por të cilat nuk i ka publikuar.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këtë përmbajtje e vlerëson si “Teori konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »