[email protected]
Lavrov përsërit pretendimin dezinformues se masakrat në Bucha dhe Reçak janë të inskenuara
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, ka përsëritur pretendimin e të njohur dezinformues duke e krahasuar masakrën në Bucha të Ukrainës, me ngjarjet e ndodhura në fshatin Reçak në Kosovë në janar të vitit 1999.

Në një tryezë të rrumbullakët diplomatike të organizuar me temën e mundësive për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, gjatë fjalimit të tij, Lavrov krahasoi masakrën në Bucha, Ukrainë, me ngjarjet në fshatin Reçak të Kosovës në janar të vitit 1999, duke e cilësuar si “të inskenuar”.

Pretendimi i Sergey Lavrov është publikuar nga mediat ruse si RT Balkans dhe Sputnik në gjuhën serbe, si dhe nga disa media serbe, si Informer.

Pjesë të pretendimit të Sergey Lavrov publikuar në media:

“Metodat e luftës së informacionit nuk kanë ndryshuar shumë”, vuri në dukje Lavrov. Si shembull i këtij pretendimi, ai përmendi mënyrën në të cilën Perëndimi përgatiti publikun botëror për bombardimin e Jugosllavisë sovrane. Ai kujtoi se masakra e inskenuar në Bucha të Ukrainës ishte identike me atë në fshatin Reçak të Republikës së Kosovës nga janari i vitit 1999.


Megjithatë, pretendimi i kryediplomatit rus rezulton i pabazuar dhe i pavërtetë. Së pari, është i pabazuar pasi nuk mbështetet në asnjë argument apo provë konkrete për të justifikuar pohimin se masakrat e fundit në Ukrainë dhe ajo e Reçakut në Kosovë janë inskenuar.

Pra, për këtë pretendim, Lavrov nuk ofron asnjë fakt që e mbështet apo e argumenton atë. Ai ka përsëritur këtë deklaratë edhe më parë (këtukëtukëtukëtu) kur e mohoi masakrën në Bucha, duke e cilësuar si të inskenuar.

Ky pretendim i Lavrovit është hedhur poshtë nga pamjet satelitore, të cilat tregojnë se trupat e vrarë janë parë në rrugët e Buchas edhe para tërheqjes së trupave ruse. Këto prova kundërshtojnë qartë narrativën e Lavrovit dhe Kremlinit zyrtar, sipas së cilës viktimat janë vendosur më vonë, duke e cilësuar ngjarjen si një inskenim nga ukrainasit. Pamjet satelitore, të publikuara dhe verifikuara nga burime të pavarura ndërkombëtare, konfirmojnë kronologjinë e ngjarjeve, duke i demaskuar pretendimet si të pabaza. (shih këtu).


Edhe mohimi i masakrës së Reçakut, i bërë nga Lavrov mbetet i pabazuar, pasi ai nuk ka paraqitur asnjë fakt për ta mbështetur këtë pretendim. Deklarata të ngjashme janë bërë edhe nga zyrtarë të lartë të Serbisë, të cilët kanë cilësuar masakrën e Reçakut si inskenim dhe trillim. Këto pohime kundërshtohen  nga raportet ndërkombëtare dhe dëshmitë që e kanë dokumentuar masakrën si krim lufte ndaj civilëve shqiptarë. (këtu)

Kryerja e masakrës së Reçakut nga forcat serbe është argumentuar nga shumë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë organizatën e mirënjohur Human Rights Watch (HRW). Kjo organizatë, përmes hetimeve të pavarura dhe raportimeve të detajuara, ka dokumentuar krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë në këtë masakër, duke e cilësuar atë si akt të qartë të krimeve të luftës.


Analiza:

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka përsëritur pretendimin dezinformues pa fakte se masakrat në Ukrainë dhe në Reçak janë thjesht inskenime.

Pretendimet e tij janë demantuar nga organizatat ndërkombëtare të besueshme me fakte dhe argumente të qarta.

Pretendimet e Lavrovit, bazuar në kontrollin e fakteve dhe analizat e kryera, vlerësohen si “Manipulim i Fakteve” dhe “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »