Të fundit | Videoja e lidhur me zgjedhjet, e gjeneruar me IA Të fundit | Me video të dhjetorit manipulohet për ardhjen e diasporës për zgjedhjet e 7… Të fundit | Imazhi me pankartën për Kurtin nga protestat në Tiranë është i gjeneruar me… Të fundit | Petkoviq konspiron për favorizim të Rashiqit në rastin e arrestimit në fsha… Të fundit | Analizë e thirrjeve politike nga Vuçiq dhe Petkoviq për votim në favor të L… Të fundit | Narrativat e mediave dhe zyrtarëve serbë për fushatën zgjedhore në Kosovë:… Të fundit | ZKQS e paraqet si rast të lidhur me fushatën zgjedhore një incident që ndod… Të fundit | E drejta e fëmijës mbi të drejtën e BABËS Të fundit | Pa fakte pretendohet se një sondazh parazgjedhor u krye nga LVV Të fundit | Kornizim i fushatës zgjedhore në Kosovë nga mediat ruse në serbisht
[ ARTIKULLI ]

ZKQS e paraqet si rast të lidhur me fushatën zgjedhore një incident që ndodhi dy javë para nisjes së saj

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

MANIPULIM I FAKTEVE

Incidenti në Binçë s’ka lidhje me fushatën zgjedhore apo deklaratën e Rashiqit. Rasti ndodhi para tyre.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) raportoi të mërkurën (3 qershor) për një rast të ndodhur në fshatin Binçë të Vitisë.

Në këtë raportim pretendohet se një pjesëtar i komunitetit serb është sulmuar fizikisht nga një person i nacionalitetit shqiptar.

Rasti paraqitet nga kjo zyrë si një incident i ndodhur gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, ndërsa në raportim përmenden edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, duke u bazuar në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, u vërtetua se ky rast ka ndodhur më 14 maj, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vepre u arrestua më 3 qershor (shih fotografinë më poshtë).


Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit ka nisur më 28 maj (shih këtu). Pra, rasti i lartcekur ka ndodhur para hapjes së fushatës zgjedhore për subjektet politike.


Përfshirja e Rashiqit

Në raportimin e ZKQS përmendet edhe emri i Kurtit dhe Rashiqit. “Incidenti ndodhi në mes të fushatës zgjedhore, kur Albin Kurti dhe bashkëpunëtori i tij Nenad Rašić, përmes veprimeve dhe retorikës së tyre, nxitën politikën e intolerancës ndaj popullit serb, gjë që stimuloi ekstremistët dhe protestuesit të cilët më pas i panë serbët si objektiva legjitime”, thuhet aty.

ZKQS emrin e Rashiqit mundohet ta ndërlidhë me këtë rast, pasi ai në një intervistë për “KosovaPress” kishte akuzuar Listën Serbe dhe strukturat politike të lidhura me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për presion sistematik ndaj serbëve të Kosovës në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Megjithatë, as kjo deklaratë e Rashiqit nuk ndërlidhet me rastin e ndodhur në fshatin Binçë, pasi intervista e tij në “KosovaPress” u publikua më 18 maj. Pra, katër ditë pas rastit të ndodhur (shih këtu dhe këtu).


Raportimi i ZKQS-së u publikua edhe në disa media në gjuhën serbe (shih këtu, këtu, këtu, këtu, dhe këtu).


Analiza

Pretendimi i bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë se sulmi ndaj një pjesëtari të komunitetit serb në fshatin Binçë ndodhi gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë nuk qëndron.

Verifikimi i fakteve tregon se incidenti ka ndodhur më 14 maj, pra dy javë para nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, e cila ka filluar më 28 maj.

Po ashtu, përpjekja për ta lidhur rastin me deklaratat e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, nuk mbështetet në kronologjinë e ngjarjeve. Intervista e Rashiqit, ku akuzoi Listën Serbe dhe strukturat politike të lidhura me Vuçiqin për presion sistematik ndaj serbëve të Kosovës, është publikuar më 18 maj, katër ditë pas incidentit në Binçë.

Duke u mbështetur në këto fakte, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e cilëson këtë raportim të ZKQS-së si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere