Mbulimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë nga mediat si Informer, Kurir dhe Politika, dhe zyrtarët serb gjatë periudhës 10 maj–4 qershor, karakterizohet nga një kornizim i përbashkët që e paraqet procesin zgjedhor kryesisht përmes logjikës së krizës, konfliktit etnik dhe pasigurisë institucionale. Në rreth 50 artikuj të analizuar, zgjedhjet nuk trajtohen si garë demokratike, por si proces i ndikuar nga “terrori institucional”, “militarizimi” dhe “inxhinieria elektorale”. Veprimet e institucioneve të Kosovës interpretohen si pjesë e një strategjie të organizuar kundër komunitetit serb, përfshirë arrestimet, ndryshimet në komisionet zgjedhore dhe përdorimin e votës së diasporës si mekanizëm të dyshuar manipulimi.
Paralelisht, narrativa e këtyre burimeve ndërtohet rreth një polarizimi të fortë politik dhe etnik, ku figura të caktuara si Nenad Rashiq, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, portretizohen si instrument i Prishtinës zyrtare për të dobësuar përfaqësimin serb, ndërsa Lista Serbe paraqitet si i vetmi mekanizëm i unitetit politik serb. Në këtë kornizë, zhvillimet në veri të Kosovës, përfshirë marrjen e infrastrukturës dhe rritjen e kapaciteteve të sigurisë, interpretohen si pjesë e një projekti më të gjerë për ndryshim demografik dhe politik, ndërsa zgjedhjet kornizohen si përballje ekzistenciale për mbijetesën politike të serbëve dhe si test i ndikimit të Beogradit në terren.
“Terrori institucional” dhe “represioni ndaj serbëve” si mjet fushate
Një nga narrativat kryesore të promovuara nga zyrtarët serbë gjatë fushatës zgjedhore është pretendimi se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po përdor institucionet shtetërore dhe veprimet policore për të ushtruar presion mbi komunitetin serb dhe për të fituar mbështetje politike tek elektorati shqiptar. Në këtë kontekst, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se serbët në Kosovë i presin “shumë mundime”, duke pretenduar se marrja nën kontroll e objekteve publike në veri, përfshirë stacionet hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq, është pjesë e “strategjisë elektorale të Kurtit”. Në të njëjtën kohë, Vuçiq u bëri thirrje serbëve në Kosovë që në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit të votojnë për Listën Serbe, duke e paraqitur këtë subjekt si përfaqësuesin e vetëm legjitim të interesave të komunitetit serb.
Kjo narrativë është përforcuar edhe nga zyrtarë të tjerë serbë, të cilët arrestimet e drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore në Graçanicë i kanë paraqitur si akte represive ndaj komunitetit serb. Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, e ka cilësuar ndalimin e tyre si “kidnapim”, duke pretenduar se Kurti po “provokon qëllimisht kriza për të kompensuar mungesën e rezultateve ekonomike”. Në të njëjtën linjë, Igor Simiq e përshkroi paraburgimin e drejtorëve si “terror institucional të organizuar” kundër serbëve, ndërsa Milosh Vuçeviq, kryetari i Partisë Progresiste Serbe, i cilësoi këto veprime si shkelje të normave themelore qytetëruese dhe vazhdim të dhunës politike e fizike ndaj komunitetit serb duke bërë thirrje për mbështetje për Listën Serbe për të mbrojtur interesat serbe. Në tërësi, narrativa synon ta paraqesë Qeverinë e Kosovës si regjim represiv që përdor institucionet shtetërore për përfitime elektorale, ndërsa mobilizon elektoratin serb rreth Listës Serbe si përgjigje ndaj këtij presioni të pretenduar.
“Manipulimi i zgjedhjeve” dhe “inxhinieria elektorale”
Një tjetër narrativë e përsëritur nga zyrtarë dhe media serbe është pretendimi se procesi zgjedhor në Kosovë po manipulohet përmes mekanizmave institucionalë dhe votimit nga diaspora, me qëllim favorizimin e partisë në pushtet dhe dobësimin e përfaqësimit politik të serbëve. Sipas kësaj narrative, Qeveria e Kosovës dhe institucionet zgjedhore po përpiqen “të përkthejnë” ose deformojnë vullnetin politik të komunitetit serb përmes ndryshimeve administrative dhe kontrollit të procesit zgjedhor. Në këtë kontekst, Danijela Vujiçiq, kryetare e Komisionit Parlamentar për Kosovën, akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se e ka reduktuar numrin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore të propozuar nga Lista Serbe, nga 38 në 14, duke pretenduar se ky veprim synon të kufizojë mbikëqyrjen e procesit të votimit dhe të krijojë hapësirë për manipulime.
Kjo narrativë është përforcuar edhe nga media serbe, veçanërisht “Informer.rs”, e cila ka promovuar pretendime se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka “blerë” mbështetje elektorale përmes regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, duke e përshkruar diasporën si “rezervuarin kryesor” të votave për Lëvizjen Vetëvendosje. Në të njëjtën linjë, Milovan Drecun, kryetar i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Mbrojtje, pretendoi se Kurti mbështetet te diaspora sepse këta votues nuk përjetojnë drejtpërdrejt sfidat ekonomike dhe sociale të qytetarëve që jetojnë në Kosovë, si papunësia apo standardi i ulët i jetesës. Në tërësi, narrativa synon të minojë besimin në integritetin e procesit zgjedhor dhe të paraqesë rezultatet e mundshme të zgjedhjeve si produkt të inxhinierisë elektorale dhe jo të vullnetit të lirë të votuesve.
Denigrimi i Nenad Rashiqit si “shërbëtor” i Prishtinës
Një narrativë qendrore në diskursin politik serb është paraqitja e përfaqësuesit politik të serbëve në institucionet e Kosovës, Nenad Rashiq, si një figurë e afërt me Qeverinë e Kosovës dhe si mjet i kryeministrit Albin Kurti për të ndikuar në përfaqësimin e komunitetit serb, veçanërisht në raport me ulëset e rezervuara në institucione. Në këtë kontekst, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka cilësuar Rashiqin si “zero moralist”, duke e akuzuar për bashkëpunim me institucionet e Prishtinës dhe për veprime që, sipas tij, synojnë “frikësimin e votuesve serbë dhe dobësimin e Listës Serbe”.
Në të njëjtën linjë, përfaqësues të Listës Serbe kanë thelluar këtë narrativë duke e paraqitur Rashiqin si faktor përçarës brenda komunitetit serb. Dalibor Jevtiq ka deklaruar se ai po tenton të krijojë frikë te serbët për të siguruar mbështetje politike personale përmes proceseve institucionale. Ndërkohë, Igor Simiq ka pretenduar se në listat e lidhura me Rashiqin janë përfshirë “pseudo-serbë”, përfshirë boshnjakë dhe malazezë, duke ngritur akuza se kjo mund të çojë deri te ndryshime të identitetit politik të komunitetit serb, përfshirë pretendime për rrezikim të gjuhës serbe apo orientimeve shtetërore. Në tërësi, kjo narrativë synon ta delegjitimojë Rashiqin si përfaqësues politik dhe ta paraqesë si instrument të ndikimit të Prishtinës zyrtare në përfaqësimin e serbëve në Kosovë.
Thirrje për unitet serb nën “një bajrak (flamur)”
Si kundërpërgjigje ndaj zhvillimeve politike dhe tensioneve të perceptuara në Kosovë, në diskursin politik serb promovohet fuqishëm narrativa e unitetit të plotë kombëtar të serbëve nën një përfaqësim të vetëm politik, të identifikuar me Listën Serbe (Srpska Lista). Kjo qasje paraqet bashkimin elektoral si domosdoshmëri për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe përballjen me, siç thuhet, rrezikun e “kolapsit të institucioneve” të komunitetit serb në Kosovë. Në këtë linjë, Danijela Nikoliq kryetarja e komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, dhe kryetari i Zubin-Potokut, Dragisha Miloviq, u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të bashkohen “nën një flamur” në zgjedhjet e 7 qershorit, duke e paraqitur këtë si mekanizëm mbrojtës ndaj presioneve politike dhe institucionale.
Në të njëjtën frymë, Dalibor Jevtiq i ka cilësuar zgjedhjet si “referendum” mes mbijetesës së komunitetit serb dhe, siç e ka interpretuar ai, politikave të përjashtimit të kryeministrit Albin Kurti. Ndërkohë, drejtori i Postës së Serbisë, Zoran Anxhelkoviq, ka theksuar se uniteti i serbëve do të shërbejë si mesazh politik ndaj Prishtinës se lidhja me Beogradin mbetet e pandryshuar dhe e pakëputur. Në tërësi, kjo narrativë e paraqet kohezionin elektoral si instrument strategjik për ruajtjen e ndikimit politik dhe institucional të komunitetit serb në Kosovë.
Militarizimi dhe projekti për “çrrënjosjen e serbëve”
Një nga narrativat më të ashpra në diskursin politik serb e paraqet forcimin e kapaciteteve të sigurisë në Kosovë si pjesë të një projekti për “çrrënjosjen” e serbëve nga hapësirat e tyre. Në këtë kuadër, zyrtari i shërbimit të inteligjencës serbe BIA (Bezbednosno-informativna agencija), Relja Zheljski, ka folur për atë që e quan “projekti i Kurtit për çrrënjosjen e serbëve të Kosovës”, duke pretenduar për strategji sistematike për dobësimin e pranisë serbe. Në të njëjtën linjë, koloneli në pension Ilija Kajtez e interpreton armatimin e Kosovës dhe zgjerimin e strukturave të sigurisë si të orientuara drejt “spastrimit etnik”, ndërsa Veljko Odaloviq akuzon institucionet e Kosovës për përdorim të “listave të fshehta” dhe proceseve të montuara si mekanizëm presioni ndaj serbëve.
Kjo narrativë përforcohet edhe në nivel politik, ku figura si Petar Petkoviq e interpretojnë militarizimin dhe arrestimet si veprime elektorale të kryeministrit Albin Kurti në prag të zgjedhjeve. Po ashtu, Igor Simiq e përshkruan vendosjen e forcave të sigurisë dhe marrjen nën kontroll të infrastrukturës në veri si “paradë elektorale” që synon kufizimin e ndikimit serb në procesin zgjedhor. Në tërësi, këto pretendime e paraqesin zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë si pjesë të një strategjie politike të orientuar kundër pranisë dhe ndikimit serb në Kosovë.