Shkroi: Festim Rizanaj
Një faqe në Facebook me emrin “Tana t’zezat” dhe me mbi 40, mijë ndjekës, ka publikuar së fundmi tri video (të enjten dhe të premten) me përmbajtje elektorale, ku shfaqen njerëz që supozohet se janë mërgimtarë, duke folur kundër Albin Kurtit dhe duke paralajmëruar se nuk do ta votojnë më.
Këto video, dy prej të cilave shfaqin qytetarë që intervistohen para Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, synojnë të portretizojnë një zhgënjim të thellë të diasporës me qeverisjen aktuale.
Analiza e thellë e përmbajtjes tregon se këto video janë gjeneruar me inteligjence artificiale.
Çka përmbajnë këto video?
Tre videot e publikuara në faqen “Tana t’zezat” me 40 mijë ndjekës, të cilat dyshohet se janë manipuluar me inteligjencë artificiale (AI) dhe janë publikuar të enjten dhe të premten, përmbajnë deklarata elektorale rreth Kryeministrit Albin Kurti.
Të gjitha intervistat shfaqin persona që fillimisht e kanë besuar Kurtin, por tani shprehin zhgënjim të thellë, duke u intervistuar para Aeroportit të Prishtinës.
Video e publikuar më 4 dhjetor shfaq një burrë të moshuar, të veshur me xhaketë lëkure dhe shall, i cili intervistohet në Aeroportin e Prishtinës nga Klan Kosova, duke shprehur me ironi të thellë qëndrimin e tij politik. Ai deklaron se ai dhe e gjithë familja e tij do të vinin në Kosovë jo për ta mbështetur Kurtin, por për të votuar kundër tij, duke e akuzuar atë si bashkëpunëtor të Serbisë. Deklarata e tij e saktë, e thënë me buzëqeshje, ishte: “Jo kurrë nuk do ta votoj Albin Kurtin. Ai është shpiun i Serbisë, e neve krejt familja do vijmë në Kosovë, do të votojmë por kurrë për Albin Serbinë“.

Video tjetër e publikuar më 4 dhjetor shfaq një grua, e veshur me kostum zyrtar, e intervistuar në ambientet e brendshme të Aeroportit të Prishtinës, e cila shpreh zhgënjimin e saj të plotë ndaj Kryeministrit Albin Kurti. E intervistuara deklaron: “Në fillim i kam besu Albin Kurtit. Me të vërtetë i kam besu. Mendoja që ai do ta ndihmonte Kosovën dhe do ta ndryshonte vendin për mirë. Por tani nuk jam e kënaqur. Nuk shoh ndryshim. Vetëm fjalë, debate dhe asgjë që ecën përpara. Sa kalon koha, aq më shumë po mendoj që ai po punon me Serbinë, ose po i ndihmon ata pa dashje, sepse çdo gjë që në Kosovë po mbetet e bllokuar. Unë i kam besu. Por tani jo më. Tani e kam kuptu dhe nuk do ta votoj kurrë më”.

Një video tjetër e publikuar më 5 dhjetor shfaq një burrë të ri, me pamje europiane, i veshur me xhaketë të errët dhe çantë shpine, i cili intervistohet para hyrjes së Aeroportit të Prishtinës, duke artikuluar zhgënjimin e tij politik. Ai shpreh se në fillim i besoi Albin Kurtit dhe mendonte se do ta mbrojë Kosovën, por tani mendon krejt ndryshe, duke besuar se Kurti po punon kundër qytetarëve dhe në favor të Serbisë. I intervistuari deklaron: “I kam besu Albin Kurtit. Mendoja se ai ishte ndryshe, se do ta mbrojë Kosovën dhe do t’i çojë gjërat përpara. Por sot mendoj krejt ndryshe. Sot më duket sikur ai nuk po punon për ne, por kundër nesh. Sikur po ndihmon Serbinë e jo Kosovën. Sikur gjithçka është teatër, interes, lojë politike. Unë nuk e besoj më dhe kurrë nuk do ta votoj. Për mua ka mbaruar”.

Të tre videot paraqesin një strukturë të ngjashme, duke imituar intervista televizive autentike në ambiente publike (Aeroporti i Prishtinës). Në secilën video, personat intervistohen me mikrofonë të mediave të njohura kosovare (në dy video përdoret mikrofoni i Klan Kosovës, ndërsa në një tjetër ai i televizionit T7), duke krijuar kështu një përshtypje besueshmërie dhe profesionalizmi.
Kjo mënyrë e përdorimit të logove të mediave reale (Klan Kosova dhe T7) synon të sugjerojë se intervistat janë pjesë e transmetimeve lajmesh të besueshme, duke e forcuar narrativën e përmbajtjes – që këta janë opinionet e vërteta të mërgimtarëve të kapur nga gazetarët në Aeroport. Ky është një element thelbësor në strategjinë e dezinformimit për ta bërë përmbajtjen e gjeneruar nga AI të duket sa më reale.
Të tria videot shfaqin shenja të qarta të manipulimit me inteligjencë artificiale (AI), të cilat ulin ndjeshëm autenticitetin e tyre si intervista të vërteta. Këto defekte përfshijnë deformime vizuale si tekstet e shtrembëruara në sfondin e Aeroportit të Prishtinës, ku emërtimet nuk përkojnë saktësisht me ato origjinalet, si dhe defekte në logot e mediave (Klan Kosova dhe T7) në mikrofona. Për më tepër, elementet audio janë kompromentuar, pasi zëri i personave tingëllon robotik ose jo-natyral, një karakteristikë tipike e zërit të gjeneruar nga AI, e shoqëruar shpesh edhe nga mospërputhja e sinkronizimit të buzëve. Këto anomali teknike tregojnë një përpjekje të sofistikuar për të simuluar intervista televizive me qëllim përcjelljen e një mesazhi specifik politik.
Analiza e detajuar dhe verifikimi i kryer me platforma të specializuara si “Hive Moderation” konfirmojnë se të tria videot e publikuara nga faqja “Tana t’zezat” janë me gjasë të lartë (në këtë rast 99%) të gjeneruara me inteligjencë artificiale (AI).



Analiza
Tri video me përmbajtje elektorale që pretendojnë të shfaqin mërgimtarë të zhgënjyer duke mos votuar më Albin Kurtin u publikuan në Facebook.
Gjetjet vizuale treguan deformime të teksteve, logove mediale (Klan Kosova, T7) dhe një zë robotik, duke sugjeruar manipulim.
Si rezultat, platforma e specializuar “Hive Moderation” konfirmoi se të tria videot janë me 99% gjasa të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info, këto video i vlerëson si “mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.