Të fundit | E drejta e fëmijës mbi të drejtën e BABËS Të fundit | Pa fakte pretendohet se një sondazh parazgjedhor u krye nga LVV Të fundit | Kornizim i fushatës zgjedhore në Kosovë nga mediat ruse në serbisht Të fundit | Pretendohet pabazë se Kurti pritet të shpallet person non grata nga ShBA-ja… Të fundit | Tjetër sondazh i rremë mbi partitë politike për zgjedhjet e 7 qershorit Të fundit | Rishikimi i javës: Lajme të rreme për sondazhe politike dhe manipulim fakte… Të fundit | Nga sondazhet e rreme te përmbajtjet me IA - trendet e keqinformimit para z… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se “një institut francez” ka publikuar sondazh për zgj… Të fundit | Me anë të një imazhi ku Jashari shihet pranë Hamzës, pretendohet pasaktë se… Të fundit | Fushata për zgjedhjet e 7 qershorit me rreziqe të reja të keqinformimit
[ ARTIKULLI ]

Kornizim i fushatës zgjedhore në Kosovë nga mediat ruse në serbisht

FESTIM RIZANAJ

Mbulimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë nga “Sputnik Srbija” (në gjuhën serbe) dhe “Russia Today Balkan” (në serbisht), gjatë periudhës 1–31 maj, karakterizohet nga një qasje e përbashkët që e kornizon procesin zgjedhor kryesisht përmes logjikës së krizës, konfliktit dhe pasigurisë politike. Në rastin e “Sputnik Srbija”, në 22 artikujt e publikuar, zgjedhjet nuk trajtohen si garë demokratike mes programeve politike, por si një moment ekzistencial i përshkruar përmes diskursit të “mbijetesës”, “kërcënimit” dhe “spastrimit të heshtur”, ku veprimet e institucioneve të Kosovës interpretohen si pjesë e një strategjie sistematike ndaj komunitetit serb. Paralelisht, “Russia Today Balkan”, në 23 artikuj, e strukturon narrativën rreth një tabloje të ngjashme tensioni, duke e fokusuar diskursin mbi sigurinë, përfaqësimin politik dhe marrëdhëniet ndëretnike, me theks të veçantë në perceptimin e qeverisjes dhe statusit të komunitetit serb në Kosovë.

Narrativat të Sputnik Serbija mbi fushatën zgjedhore në Kosovë

Mbulimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë nga “Sputnik Srbija” (në serbisht), gjatë periudhës 1–31 maj, karakterizohet nga një kornizim i thellë krize dhe konflikti. Në 22 artikujt e publikuar gjatë kësaj periudhe, procesi demokratik nuk paraqitet si garë politike mes programeve apo kandidatëve, por si një moment ekzistencial i përshkruar përmes gjuhës së “mbijetesës”, “rrezikut” dhe “spastrimit etnik të heshtur” ndaj komunitetit serb. Brenda kësaj kornize, çdo veprim i institucioneve të Kosovës interpretohet si pjesë e një strategjie të qëllimshme për të dobësuar dhe dëbuar komunitetin serb nga Kosova.

Në qendër të kësaj narrative qëndron ideja e “luftës për mbijetesë”, e artikuluar përmes deklaratave të përfaqësuesve të Listës Serbe dhe zyrtarëve në Beograd, ku zgjedhjet përshkruhen si betejë për mbrojtjen e “vatrave shekullore” dhe institucioneve paralele serbe të arsimit e shëndetësisë në Kosovë. Në të njëjtën kohë, promovohet uniteti i detyrueshëm politik rreth Listës Serbe, ndërsa subjektet e tjera serbe etiketohen si “satelitë të Kurtit”, duke u delegjitimuar si faktorë politikë. Kjo hyrje vendos bazën për një analizë më të gjerë të narrativave që “Sputnik” përdor për të ndërtuar perceptimin e krizës, frikës dhe përjashtimit në kontekstin e zgjedhjeve në Kosovë.

Zgjedhjet si “luftë për mbijetesë” dhe unitet i detyrueshëm

“Sputnik” e kornizon procesin zgjedhor të 7 qershorit si një moment vendimtar për komunitetin serb në Kosovë, duke e paraqitur atë jo si një garë të zakonshme politike, por si një “luftë për mbijetesë dhe qëndrim” në trojet e tyre. Përmes deklaratave të drejtuesve të Listës Serbe, veçanërisht të kryetarit të këtij subjekti politik Zlatan Elek, zgjedhjet portretizohen si një betejë ekzistenciale ku rezultati i votimit lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e identitetit, pranisë dhe interesave të serbëve në Kosovë. Kjo narrativë synon të krijojë ndjenjën e urgjencës dhe kërcënimit, duke mobilizuar elektoratin rreth një qëllimi të përbashkët.

Në të njëjtën kohë, promovohen mesazhe që kërkojnë unitet të plotë politik rreth Listës Serbe, duke argumentuar se vetëm përmes “unitetit” dhe bashkimit mund të mbrohen institucionet serbe të arsimit dhe shëndetësisë. Çdo alternativë tjetër politike paraqitet si e dëmshme për interesat e komunitetit serb, ndërsa votat për subjektet e tjera të serbëve në Kosovë etiketohen si “shpërdorim votash” që, sipas kësaj narrative, përfundojnë në favor të “satelitëve të Kurtit”. Kështu, diskursi ndërton një ndarje të qartë mes “mbrojtësve” dhe “tradhtarëve” të interesave serbe, duke kufizuar hapësirën për pluralizëm politik brenda komunitetit.

Narrativa e “terrorit” dhe “arrestimet politike” si mjet frikësimi

Një nga narrativat më të theksuara të promovuara nga “Sputnik” gjatë fushatës zgjedhore është paraqitja e veprimeve të institucioneve të Kosovës si një formë e “terrorit” dhe presionit politik ndaj komunitetit serb. Arrestimet e drejtuesve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore në Graçanicë përshkruhen si “përndjekje politike” e organizuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, me qëllim ndikimin në procesin zgjedhor. Përmes deklaratave të zyrtarëve dhe analistëve serbë, krijohet përshtypja se këto veprime nuk janë pjesë e procedurave ligjore, por instrumente të përdorura për të ushtruar frikë dhe presion mbi votuesit serbë.

Narrativa forcohet më tej përmes pretendimeve se arrestimet janë kryer “pa asnjë provë” dhe se ato përbëjnë një model të përsëritur veprimi para çdo procesi zgjedhor. Sipas këtij kornizimi, synimi kryesor i institucioneve të Kosovës nuk është zbatimi i ligjit, por komprometimi i figurave me ndikim në komunitetin serb dhe dobësimi politik i Listës Serbe. Duke i paraqitur procedurat ligjore si të motivuara politikisht, kjo narrativë synon të minojë besimin e publikut në institucionet e Kosovës dhe të përforcojë perceptimin se serbët janë objekt i një fushate sistematike represioni.

Inxhinieria zgjedhore dhe manipulimi nga KQZ

“Sputnik” promovon narrativën se procesi zgjedhor në Kosovë është i manipuluar në mënyrë sistematike nga institucionet zgjedhore në Kosovë, duke ngritur dyshime mbi paanshmërinë e administrimit të zgjedhjeve. Në raportimet e tij theksohen pretendimet e Listës Serbe se përfaqësimi i saj në komisionet komunale zgjedhore është kufizuar qëllimisht, duke i mundësuar pjesëmarrje në vetëm një pjesë të komisioneve. Sipas këtij kornizimi, një situatë e tillë krijon kushtet për atë që përshkruhet si “inxhinieri zgjedhore”, pasi subjekti kryesor politik i serbëve nuk do të ketë mbikëqyrje të mjaftueshme mbi procesin e votimit dhe numërimit të votave.

Për të mbështetur këtë pretendim, raportimet i referohen deklaratave të zyrtarëve të Listës Serbe, të cilët argumentojnë se ekziston një disproporcionalitet i madh në ndarjen e pozicioneve në bordet zgjedhore. Sipas tyre, parti shqiptare me mbështetje minimale në komunat me shumicë serbe gëzojnë përfaqësim më të madh në administrimin e zgjedhjeve sesa Lista Serbe, pavarësisht peshës së saj elektorale. Përmes këtij diskursi ndërtohet narrativa se institucionet zgjedhore po favorizojnë aktorë të tjerë politikë dhe po krijojnë mekanizma për të ndikuar në rezultatin zgjedhor, duke minuar besimin e votuesve serbë në integritetin e procesit.

Portretizimi i Nenad Rashiqit si “tradhtar”

Në raportimet e “Sputnik”, Nenad Rashiqi paraqitet si figura kryesore kundërshtare e Listës Serbe dhe si një aktor politik që vepron në interes të Kosovës, në dëm të komunitetit serb. Përmes një diskursi delegjitimues, ai portretizohet si “tradhtar” i interesave serbe, ndërsa aktiviteti i tij politik lidhet me veprime që, sipas pretendimeve të ngritura, kanë kontribuar në presionin ndaj serbëve në Kosovë. Në këtë kontekst, Rashiqi akuzohet se ka “targetuar” serbët në mbledhjet e Qeverisë, duke ndikuar në arrestimin ose ndjekjen e tyre nga institucionet e Kosovës.

Narrativa shkon edhe më tej duke vënë në dyshim legjitimitetin e subjektit të tij politik. Përfaqësues të Listës Serbe pretendojnë se në listat zgjedhore të Rashiqit janë përfshirë kandidatë që nuk i përkasin komunitetit serb, me qëllim uzurpimin e vendeve të rezervuara për përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, ngrihen pretendime se mbështetja e tij elektorale vjen kryesisht nga votues shqiptarë dhe jo nga komuniteti serb, duke e paraqitur atë si një instrument politik të Prishtinës për të dobësuar përfaqësimin autentik serb. Kjo narrativë synon të minojë besueshmërinë dhe legjitimitetin e Rashiqit si përfaqësues i serbëve të Kosovës, duke e pozicionuar atë si kundërshtar të interesave të komunitetit që pretendon të përfaqësojë.

Narrativa e “aparteidit” dhe “qytetarëve të rendit të dytë”

Narrativa e “aparteidit” dhe e “qytetarëve të rendit të dytë” është një nga format më të forta të diskursit viktimizues që “Sputnik” promovon në raportimet e tij për serbët në Kosovë. Përmes deklaratave të politikanëve dhe analistëve serbë, institucionet e Kosovës paraqiten si mekanizma të një politike sistematike diskriminuese, e cila synon margjinalizimin dhe largimin gradual të popullatës serbe. Në këtë kontekst, serbët përshkruhen si “qytetarë të rendit të dytë”, të privuar nga të drejtat demokratike dhe trajtimi i barabartë, ndërsa situata krahasohet me një formë të “aparteidit” ndaj të cilit, sipas kësaj narrative, bashkësia ndërkombëtare mbetet pasive.

Kjo narrativë përforcohet edhe përmes interpretimit të zhvillimeve të ndryshme politike dhe shoqërore si veprime të qëllimshme kundër komunitetit serb. Vendimi për rindërtimin e xhamisë së Ibrit në Mitrovicën e Veriut paraqitet si një “provokim” i organizuar nga autoritetet e Kosovës, ndërsa refuzimi i akreditimit të disa organizatave joqeveritare serbe nga KQZ-ja për shkak të përdorimit “Kosovo i Metohija” në emërtimin e shtetit të Kosovës, interpretohet si dëshmi e kufizimit të të drejtave politike dhe civile të serbëve. Duke i lidhur këto raste në një kornizë të vetme, narrativa synon të krijojë perceptimin se ekziston një politikë e koordinuar antiserbe, e cila jo vetëm diskriminon komunitetin serb, por edhe rrezikon praninë dhe të ardhmen e tij në Kosovë.

Bashkëfajësia e Perëndimit dhe “kënaqësia” e Evropës

Narrativa e “bashkëfajësisë së Perëndimit” dhe e “kënaqësisë së Evropës” përbën një kornizë të rëndësishme në diskursin e “Sputnik” dhe aktorëve politikë serbë, ku përgjegjësia për situatën në Kosovë zhvendoset nga aktorët lokalë te strukturat ndërkombëtare. Presidenti Alleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë e paraqesin procesin politik në Kosovë si rezultat i një bashkëpunimi të heshtur ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Perëndimit, duke lënë të kuptohet se institucionet ndërkombëtare jo vetëm që nuk ndërhyjnë, por në mënyrë indirekte e tolerojnë ose e mbështesin trajtimin e pretenduar të padrejtë ndaj serbëve. Në këtë kontekst, mungesa e zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) interpretohet si një strategji e qëllimshme për të dobësuar pozitën e komunitetit serb në Kosovë.

Kjo narrativë thellohet përmes deklaratave të forta viktimizuese, ku situata e serbëve krahasohet me periudha historike të krizës, përfshirë vitin 1999, duke sugjeruar se çdo sjellje e ngjashme e Serbisë do të kishte pasoja të menjëhershme ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, serbët paraqiten si “populli më i rrezikuar në Evropë”, duke krijuar një kornizë emocionale dhe historike që synon të forcojë ndjenjën e kërcënimit dhe izolimit. Brenda këtij diskursi përfshihet edhe pasqyrimi i fushatës zgjedhore të Listës Serbe si një akt rezistence ndaj politikave të Kosovës, ku zgjedhjet nuk shihen vetëm si proces demokratik, por si mjet për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe institucioneve serbe në veri. Paralelisht, mediat si “Sputnik Serbia” e ndërthurin këtë narrativë lokale me agjenda më të gjera gjeopolitike, duke e lidhur çështjen e Kosovës me perspektiva ruse dhe debate globale mbi sigurinë dhe rendin ndërkombëtar.

Kornizat narrative të “Russia Today Balkan” (RT Balkan) mbi fushatën zgjedhore në Kosovë

Mbulimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë nga “Russia Today Balkan” (në gjuhën serbe), gjatë periudhës 1–31 maj, përbëhet nga 23 artikuj që ofrojnë një kornizë të konsoliduar interpretimi mbi zhvillimet politike, institucionale dhe ndëretnike në vend. Ky korpus mediatik karakterizohet nga trajtimi i çështjeve të sigurisë, përfaqësimit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, duke e vendosur procesin zgjedhor brenda një narrative të tensionuar mbi qeverisjen dhe rolin e komunitetit serb në Kosovë.

Përmes këtyre publikimeve, artikulohen një sërë kornizash narrative që përfshijnë “terrorizmin institucional dhe arrestimet si instrument elektoral”, “manipulimin me diasporën dhe blerjen e votave”, “margjinalizimin e Listës Serbe”, “dështimin e qeverisjes dhe korrupsionin”, si dhe “fshirjen e identitetit serb dhe provokimet simbolike”. Këto qasje ndërtojnë një tablo kritike ndaj institucioneve të Kosovës dhe procesit zgjedhor, duke e lexuar dinamikën politike përmes prizmit të konfliktit, dyshimeve për instrumentalizim politik dhe perceptimit të përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe të funksionimit institucional.

Terrori institucional dhe arrestimet si mjet elektoral

“RT Balkan” artikulon një narrativë të quajtur “terrori institucional dhe arrestimet si mjet elektoral”, duke pretenduar se kryeministri Albin Kurti nuk po ofron rezultate ekonomike për votuesit dhe, si rrjedhojë, po përdor arrestimet e serbëve si mjet për mobilizim politik të elektoratit shqiptar. Në këtë kornizë, arrestimi i shtatë drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Graçanicë interpretohet si një veprim i drejtpërdrejtë politik, i urdhëruar nga Kurti, me qëllim frikësimin e votuesve serbë dhe rritjen e tensioneve në terren.

Po ashtu, narrativa pretendon një proces të qëllimshëm të “kriminalizimit të serbëve”, duke e lidhur ngritjen e aktakuzave për krime lufte, me një strategji elektorale për të demonstruar “dorë të fortë” në veri të Kosovës. Në të njëjtën vijë, veprimet ndaj institucioneve paralele shëndetësore dhe arsimore cilësohen si goditje ndaj “shtyllave të mbijetesës” së komunitetit serb, të interpretuara si përpjekje për presion dhe zhvendosje të popullsisë së mbetur serbe në zonat e banuara.

Manipulimi me diasporën dhe blerja e votave

“RT Balkan” artikulon një tjetër kornizë narrative të quajtur “manipulimi me diasporën dhe blerja e votave”, ku diaspora shqiptare përshkruhet si një elektorat i shkëputur nga realiteti i brendshëm i Kosovës, por që sipas këtij diskursi po shfrytëzohet në mënyrë strategjike për të ndikuar rezultatin zgjedhor. Në këtë kontekst, pretendohet se qeveria e Albin Kurtit po siguron mbështetje politike përmes iniciativave financiare dhe logjistike, përfshirë subvencionimin e biletave të udhëtimit me rreth 2 milionë euro dhe shpërndarjen e 100 eurove për kategori të caktuara në prag të zgjedhjeve.

Në vazhdim, kjo narrativë e paraqet si kontradiktor faktin që një pjesë e diasporës, e cila ka emigruar për arsye ekonomike, vazhdon të mbështesë qeverinë aktuale, duke e interpretuar këtë si shkëputje nga realiteti socio-ekonomik në vend. Po ashtu, ngrihet pretendimi për trajtim të pabarabartë në procesin zgjedhor, duke theksuar se ndërsa diasporës shqiptare i lehtësohet pjesëmarrja në votime, serbët e zhvendosur përballen me kushte më të vështira dhe barriera administrative për të ushtruar të drejtën e votës në Kosovë.

Margjinalizimi i Listës Serbe dhe krijimit të “serbëve të Kurtit”

“RT Balkan” e ndërton këtë narrativë nën kornizën e “margjinalizimit të Listës Serbe dhe krijimit të “serbëve të Kurtit”, ku Lista Serbe paraqitet si e vetmja përfaqësuese legjitime e interesave të komunitetit serb në Kosovë, ndërsa figurat politike si Nenad Rashiq etiketohen si të instrumentalizuara ose të varura nga institucionet e Kosovës. Në këtë diskurs, pjesëmarrja e tij në proceset politike interpretohet si rezultat i ndërhyrjes politike dhe jo si shprehje autonome e vullnetit elektoral të komunitetit serb.

Po ashtu, ngrihet pretendimi për “inxhiniering zgjedhor”, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akuzohet se ka reduktuar përfaqësimin e Listës Serbe në organet zgjedhore, me qëllim krijimin e hapësirës për manipulim të procesit. Në të njëjtën linjë, thuhet se në listat e Nenad Rashiqit janë përfshirë kandidatë jo-serbë, si boshnjakë apo malazezë, për të përfituar nga vendet e rezervuara për komunitetin serb. Gjithashtu, vihet në dyshim legjitimiteti i votave që ai merr në zona pa popullatë serbe, duke u interpretuar si dëshmi e mbështetjes së tij nga elektorati shqiptar dhe si rezultat i ndikimit politik të Kurtit.

Dështimi i qeverisjes dhe korrupsioni

“RT Balkan” e kornizon situatën e brendshme në Kosovë si një “dështim të qeverisjes” të shoqëruar me kolaps institucional dhe ekonomik. Në këtë interpretim, theksohen pagat dhe pensionet e ulëta si dëshmi e paaftësisë së politikave të qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje gjatë pesë viteve të fundit, duke e lidhur gjendjen socio-ekonomike drejtpërdrejt me performancën e ekzekutivit.

Në të njëjtën linjë, narrativa përfshin edhe akuza për skandale morale dhe korrupsion, ku përmenden pretendime të opozitës shqiptare ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla lidhur me qëndrimin e tij në një vilë të konfiskuar nga Milan Radoiçiq, duke e paraqitur pushtetin si të përfshirë në sjellje të pamoralshme dhe abuzime. Po ashtu, theksohet tensioni mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit si shenjë e përçarjes brenda institucioneve, e cila sipas këtij diskursi mund të prodhojë paqëndrueshmëri politike dhe të çojë në mundësinë e zgjedhjeve të reja në vjeshtë.

Fshirja e identitetit serb dhe provokimet simbolike

“RT Balkan” e paraqet këtë segment të narrativës nën kornizën e “fshirjes së identitetit serb dhe provokimeve simbolike”, duke pretenduar se fushata politike në Kosovë shoqërohet me veprime që synojnë zbehjen e pranisë historike dhe kulturore serbe në hapësirën publike. Në këtë kuadër, vendimi i KQZ-së për të mos akredituar organizata joqeveritare serbe për monitorim të zgjedhjeve për shkak se në emërtimet e tyre përfshihet termi “Metohi”, interpretohet si kufizim i qëllimshëm i shprehjes së identitetit serb.

Në vijim, njoftimi për rindërtimin e xhamisë së Ibrit në Mitrovicën e Veriut përshkruhet si një veprim politik i ndjeshëm dhe provokues, duke u krahasuar me mungesën e kujdesit ndaj varrezave ortodokse serbe në jug të Kosovës. Po ashtu, raportohen edhe veprime simbolike si heqja e flamujve serbë dhe vendosja e simboleve shtetërore të Kosovës në institucione publike, të cilat në këtë narrativë interpretohen si shenja të konsolidimit të kontrollit politik dhe institucional në dëm të identitetit serb në terren.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere