Shkroi: Fatbardh Dema
Është pretenduar se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se “fushatën po e dominon PDK-ja”.
Publikimi u bë nga llogaria “newsilir” në TikTok, më 24 nëntor. Në të shihet Muja teksa thotë se Partia Demokratike e Kosovës është duke dominuar në terren. “Armend Muja i VV-se ma n’fund e flet te verteten: Fushaten po e dominon PDK-ja”, është mbishkrimi i vendosur në video.
Por cila është e vërteta?
Përderisa video e paraqet Mujën si anëtar të partisë politike Lëvizja Vetëvendosje (LVV), pas verifikimit të fakteve del se videoja është e vjetër dhe e kohës kur Muja ishte analist politik e jo deputet i kësaj partie. Ai në këtë video ka qenë duke folur për zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 dhe jo për situatën aktuale, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Hibrid.info ka gjetur videon e asaj kohe në të cilën Muja, në cilësinë e analistit politik, kishte folur në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, më 9 shtator 2019, në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit të atij viti.
Deklarata që është marrë nga emisioni (minutazhi 20:00-20:29) dhe është publikuar në TikTok nga llogaria “newsilir”.
“Në këtë javë, do të thotë shikoni edhe në terren edhe në rrjete sociale e minutazh është duke dominuar PDK-ja edhe AAK-PSD-ja. Shikoni në minutazh, këtë javë prej datës 6 dhe ende vazhdon, është duke dominuar PDK-ja. Edhe unë mendoj që para tri jave PDK-së ia kam dhanë 0 shanse për të fituar, para dy jave ia kam dhënë 20 për qind. Unë sot mendoj se ata janë ende pretendent për të fituar”
Muja qe zyrtarizuar si anëtar i partisë politike, Vetëvendosje, më 12 janar 2021 (Njoftimi i kryetarit të VV-së, Albin Kurti). Muja u bë deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit të atij viti (rezultatet – KQZ)
Publikimi deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info ka marrë 81.9 mijë shikime. Publikimi i ka marrë mbi 1500 pëlqime e 92 komente.
Analiza:
Llogaria “newsilir” në TikTok ka publikuar një video në të cilën Armend Muja thotë se PDK-ja po e dominon fushatën.
Duke marrë parasysh mbishkrimin “Armend Muja i VV-se ma n’fund e flet te verteten: Fushaten po e dominon PDK-ja” dhe situatën aktuale në skenën politike, lihet të kuptohet se deklarata është aktuale.
Por pas verifikimit të fakteve, del se Muja e ka dhënë këtë deklaratë më 2019, në cilësinë e analistit politik. Ai u anëtarësua në Vetëvendosje më 2021.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.