Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen artikuj me titullin “Gërvalla në OKB: Kosova është ekonomi e fortë, Banka Botërore na ka ranguar top-lider në botë për rritje ekonomike”.
Përmbajtja me këtë titull është gjetur e publikuar (21 tetor) në mediat si: “lajmi.net”, “veriu.info” dhe “reporteri.net”.
Por, çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Hibrid.info gjeti se deklarata e Gërvallës në titull është paraqitur gabimisht.

Donika Gërvalla, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme ka folur në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua raporti gjashtëmujor i UNMIK-ut për Kosovën.
Në kreun e artikujve të trajtuar pretendohet se Gërvalla ka deklaruar “se Banka Botërore (BB) ka ranguar Kosovën si top lidere në botë për rritje ekonomike”.
Megjithatë, në bazë të deklaratës së cituar të Gërvallës në këta artikuj, shihet se ajo nuk ka thënë se Kosova e ka këtë rangim në botë, por në Evropë.
Deklarata e cituar e Gërvallës marrë nga artikujt:
“Fuqia jonë derivon nga populli jonë, nga demokracia jonë perëndimore, dhe nga ekonomia jonë e fortë. Për të 5-tën herë radhë, Banka Botërore e ka ranguar Kosovën si top-lidere në ekonomi rritje në Evropë, derisa vendet e tjera po hjekin keq, projeksioni për rritjen tonë është përsëri rreth 4%. Investimet direkte të huaja po rriten, dhe fitimet. Kosova është e para në Evorpë dhe 3ta në botë në Indeksin për Sundim të Ligjit”.
Hibrid.info kontrolloi deklaratën e Gërvallës në videon e fjalimit, të publikuar në llogarinë e saj në Facebook. Pas verifikimit, u konfirmua se Gërvalla ka deklaruar se BB-ja e ka renditur Kosovën si top-lidere në rritje ekonomike në Evropë, jo në botë (shih këtu, min 32:41).
Analiza:
Në titujt e disa artikujve u pretendua se ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka deklaruar mbrëmë (21 tetor) në OKB se Banka Botërore e ka renditur Kosovën si top-lidere në botë për rritje ekonomike.
Në bazë të verifikimit të videos së fjalimit të Gërvallës, u vërtetua se ajo ka deklaruar se BB-ja e ka renditur Kosovën ndër vendet lidere për rritje ekonomike në Evropë, pra jo në botë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson përmbajtjet e paraqitura në titujt e këtyre artikujve, si “Gabim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.