info@hibrid.info
Deklarata e Ilir Dedës keqinterpretohet në titull si konfirmim i bisedimeve Kurti–LDK
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një artikull i titulluar “Zhvillime dramatike/ Kurti në bisedime me LDK-në për formimin e Qeverisë së re”.

Përmbajtja me këtë titull është publikuar të mërkurën (22 tetor) nga portali “GazetaImazhi.com”.

Çka nuk shkon me titullin?

Informacioni në titull nuk reflekton saktësisht përmbajtjen reale të artikullit. Përderisa titulli është “Zhvillime dramatike/ Kurti në bisedime me LDK-në për formimin e Qeverisë së re”, në përmbajtje paraqitet opinioni i opinionistit Ilir Deda, i cili ka deklaruar se “beson se prapa skenës po zhvillohen bisedime mes partive politike për formimin e qeverisë së re”.

Pra, ky opinion personal është interpretuar në mënyrë të shtrembëruar për të nxjerrë përfundime më specifike.


I njëjti artikull është publikuar edhe në faqen në Facebook të këtij portali (shih këtu). Aty përdoret një fotografi në të cilën shihen lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.


Qysh në kreun e artikullit bëhet e qartë se kemi të bëjmë me opinion individual, kur thuhet se “Ilir Deda beson se prapa skenës po zhvillohen bisedime mes partive politike për formimin e qeverisë së re.

Edhe pjesa tjetër e artikullit është ndërtuar në deklarata të opinionistit Ilir Deda.

Deklaratat e cituara të Dedës në artikull:

“Neve na kanë paralajmëruar Vjosa Osmani dhe Dimal Basha, apo prej institucioneve që këta i udhëheqin, që diskutime ka. Diskutime mundet me pas çfarëdo, dhe parimisht s’ka problem nëse ka bisedime mes partive politike, por nuk duhet të bëhet sikur më 2014 e cila ka qenë dramë shumë e madhe politike, dhe e pat helmuar skenën politike”

“Mendoj që është më së miri me dalë para opinionit publik dhe të tregohet që ndoshta kjo kishte me qenë fillim i një periudhe të uljes së tensioneve dhe gjuhës së keqe politike që e kemi parë që një kohë, dhe te shohim rezultatin këtë të diele se çka do të thotë kjo në realitet”.

Në bazë të këtyre deklaratave, konfirmohet se Deda nuk ka thënë se LVV është në bisedime me LDK për formimin e qeverisë së re.

Hibrid.info ka kontrolluar edhe një video-material të shkëputur nga emisioni “Rubikon” i transmetuar më 22 tetor në Klan Kosova, ku i ftuar si panelist për diskutim ishte edhe Ilir Deda (shih këtu).

Pas verifikimit, u vërtetua se ai ka shprehur besimin e tij për diskutime ndërmjet partive politike për formimin e qeverisë, por nuk ka specifikuar se ndërmjet cilave parti po zhvillohen ato. “Ndoshta kish me qenë mirë që ne mos t’u japim shumë hapësirë bisedimeve që po ndodhin. Unë besoj që po ndodhin. Nuk dua të shkoj në spekulime se kush me kë” (shih këtu).

Analiza:

Titulli pretendon se Kurti po bisedon drejtpërdrejt me LDK-në dhe se po ndodhin zhvillime dramatike për formimin e Qeverisë.

Por, përmbajtja e artikullit tregon vetëm opinionin e Ilir Dedës, i cili është shprehur se mund të ketë bisedime pas skenës midis partive politike, pa ndonjë konfirmim për takime konkrete të aktorëve të përmendur në titull.

Kurse, në titull nuk është e qartë se kemi të bëjmë me opinion të Ilir Dedës dhe se deklarata e tij aty është paraqitur e shtrembëruar.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Manipulim i fakteve.”

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others