Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një përmbajtje në gjuhën serbe me mbishkrimin “KJO ËSHTË LUFTË! Kosova ka kërkuar një pjesë të re territori nga Serbia”.
Ky postim është publikuar të premten (10 tetor) në Facebook nga një faqe në gjuhën serbe me emrin “Pozitivnasrpska.com”.
Mbishkrimit të publikimit i është bashkangjitur edhe një vegëz e një artikulli të publikuar në uebfaqen e kësaj faqeje, me titullin “Kosovo issues an ultimatum to Serbia!?” (“Kosova i lëshon një ultimatum Serbisë!?”)
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Kjo përmbajtje nuk ofron asnjë burim zyrtar, dokument apo deklaratë publike që do ta mbështeste pretendimin për një “ultimatum” të tillë të Kosovë ndaj Serbisë.

Në kreun e artikullit të bashkangjitur në postim, raportohet për një “ultimatum” të mundshëm që autoritetet në Kosovë mund t’ia dërgojnë Serbisë, duke kërkuar lëshime të tjera territoriale, përfshirë edhe rajonin e Rashkës.
Në tekst tregohet se informacionet vijnë nga “disa qarqe të inteligjencës ushtarake në rajon”, pretendime këto jozyrtare, sipas tekstit. Me këtë, edhe vetë autori i këtij teksti e thekson mungesën e burimeve të verifikuara.
Kreu i artikullit i përkthyer në shqip:
“Në disa qarqe të inteligjencës ushtarake në rajon, sipas pretendimeve jozyrtare, janë shfaqur informacione për një ‘ultimatum’ të mundshëm që autoritetet në Prishtinë mund t’ia dërgojnë Beogradit, duke kërkuar lëshime të tjera territoriale, përfshirë edhe rajonin e Rashkës”.
Lajmi gjithashtu e përmend faktin që, “nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet e Serbisë apo Kosovës” për këto pretendime.
Hibrid.info ka kontrolluar uebfaqet e institucioneve përkatëse në Kosovë si Qeveria, Presidenca dhe Ministria e Punëve të Jashtme, por në to nuk është hasur asnjë njoftim, deklaratë apo dokument që përmend kërkesë territoriale ose ultimatum nga Kosova ndaj Serbisë.
Për këtë pretendim u hulumtua edhe përmes makinës së kërkimit “Google”. Rezultatet nga kërkimi nuk shfaqën asnjë raportim nga burime kredibile vendore dhe ndërkombëtare, për ndonjë kërkesë të tillë (shih këtu).
Që do të thotë se pretendimi i publikuar në postimin në Facebook, është mbështetur nga një artikull që ka mungesë burimesh.
Hibrid.info javën e kaluar ka trajtuar narrativën e pabazë nga zyrtarët serbë, të cilët kanë pretenduar se me blerjen e dronëve turq nga Kosova, po rrezikohet stabiliteti rajonal (shih këtu).
Analiza:
Përmbajtja në gjuhën serbe me mbishkrimin “KJO ËSHTË LUFTË! Kosova ka kërkuar një pjesë të re territori nga Serbia”, duke pretenduar se autoritetet në Kosovë i kanë dërguar Serbisë një “ultimatum” për lëshime territoriale, përfshirë rajonin e Rashkës, është e pabazë.
Ajo mbështetet në pretendime jozyrtare pa asnjë burim zyrtar apo dëshmi të verifikueshme, ndërsa asnjë institucion apo medium kredibil nuk ka raportuar për ndonjë kërkesë territoriale të Kosovës ndaj Serbisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



