Autorë: Fatbardh Dema dhe Etrit Rexhepi
Profile të ndryshme në rrjetin social X kanë publikuar pretendime se përmes Kosovës janë trafikuar mbi 1 milion fëmijë.
Ky pretendim është ngritur pas publikimit të dosjeve të financiarit të diskredituar amerikan Jeffrey Epstein nga Departamenti i Drejtësisë (DOJ) në ShBA.
Si erdhi deri te ky pretendim?
Në një prej dosjeve të publikuara nga DOJ, Epsteinit dikush i ka shkruar email (dërguesi është censuruar) më 9 dhjetor, 2012, ku mes tjerash thuhet: “…një milion fëmijët përbën një masë shumë të madhe që mund të shfrytëzohet” (eng: … “the one million children is a massive pool to tap into”).

E në bazë të shprehjes “Një milion fëmijët…” është ndërtuar narrativi për trafikimin e një milion fëmijëve.
Por, “Një milion fëmijët” është referencë për iniciativat/organizatat që ndihmojnë fëmijët në mbarë botën (këtu dhe këtu).
Megjithatë, ekziston edhe një libër me titull “One Million Children: Success for All”, i botuar në vitin 2000.
Nga erdhi ndërlidhja me Kosovën?
Hibrid.info ka hulumtuar në dosjet e Epsteinit të publikuara në ueb-faqen zyrtare të DOJ, sikurse edhe në burime tjera informacioni mbi këto pretendime. Nga kërkimet tona, del se në emailin e sipërpërmendur, në korrespodencë ka qenë edhe konsullja e nderit e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës, Princesha Mom Luang Rajadarasri Jayankura, e cila flet për promovimin e një libri të autores Sally Devorgine.
Por, ndonëse nuk përmendet asgjë në kontekstin e Kosovës, profile në X (ne gjuhën angleze dhe frënge) si “Serbian Spirit”, “inhumans of capitalism (Ojibwa )☭”, “Global Dissident” e “Renard Jean-Michel”, kanë ndërtuar narrativin me pretendimin e paqenë për trafikimin e mbi 1 milion fëmijëve përmes Kosovës.
Veç kësaj, janë publikuar edhe korrespodenca tjera ku ose pretendohet se janë shkruar nga Mom Luang Rajadarasri Jayankura, ose thjesht përmendet ajo.
Në një nga to, një person i identifikuar si “danielsiad” i shkruan Epsteinit duke i thënë se “Princesha nga Tajlanda do të jetë në Nju Jork, në OKB, me Presidentin e Kosovës, dhe ajo do të donte të ju takojë nëse keni kohë këtë javë”. Ky email mban datën 16 shtator, 2012.

Në një email tjetër të publikuar, të datës 31 tetor të vitit 2012, Mom Luang Rajadarasri Jayankura shkruan: “Me fëmijët, gjatë meditimit një milion” (eng: with the children , during the one million meditation), kurse në subjekt shkruan: “IMG_4370.JPG”, që nënkupton se bëhet fjalë për një fotografi, por të cilën DOJ nuk e ka publikuar.

Po ashtu, në një email të datës 8 dhjetor, 2012, që shihet se Mom Luang Rajadarasri Jayankura i ka dërguar personit me emrin Shelly (Shelley Anne Lewis, që në mediat ndërkombëtare flitet se ka qenë e dashura britanike e Epsteinit), ajo flet për promovimin e një libri nga Sally Devorgine, ku ndër të tjera thotë: “Pres me padurim të bëj diçka me ju dhe me Sallyn… diçka të vlefshme për fëmijët”.

Ndërlidhja jashtë kontekstit me familjen Clinton
Profilet e lartcekura në X, në pretendimin për trafikimin e mbi 1 milion fëmijëve përmes Kosovës, e kanë përfshirë edhe familjen Clinton, duke publikuar fotografi të çiftit presidencial Bill dhe Hillary me fëmijë refugjatë të Kosovës në Maqedoni gjatë luftës, pamje këto që janë të datës 22 qershor, 1999 (këtu).
Këto profile, fotografitë i kanë shtuar jashtë kontekstit, pasi në asnjërin nga këto emaile nuk përmendet çifti Clinton.
Kush ishte Jeffrey Epstein?
Në bazë të një biografie të publikuar në uebfaqen e mediumit “BBC”, Jeffrey Epstein u përfshi në sektorin financiar pasi u lidh me një partner të lartë në bankën investuese të Wall Street-it, Bear Stearns, ku u bë partner brenda katër vitesh.
Në artikullin e “BBC” shkruan se në vitin 1982, ai themeloi kompaninë e tij financiare “J. Epstein & Co.” Tutje, aty thuhet se kjo kompani menaxhonte asete klientësh me vlerë mbi 1 miliard dollarë amerikanë.
Në të njëjtin tekst, tregohet se aktiviteti financiar i Epsteinit i mundësoi atij të krijonte një pasuri të madhe personale, të cilën thuhet se e shpenzoi në prona luksoze, përfshirë një rezidencë në Florida, një fermë në New Mexico dhe një rezidencë shumë të madhe private në New York.
“BBC” përmend se në vitin 2003 ai bëri një donacion prej 30 milionë dollarësh për universitetin “Harvard” dhe se pavarësisht se ishte dënuar në vitin 2008, Epstein ruajti pronat dhe asetet e tij financiare edhe pas kësaj periudhe.
Jeffrey Epstein u gjet i vdekur më 10 gusht të vitit 2019 në Qendrën Korrektuese Metropolitane të Nju Jorkut, ShBA.
Analiza
Profile të ndryshme në platformën X kanë bërë pretendime të pabazuara në lidhje me trafikim të mbi 1 milion fëmijëve përmes Kosovës.
Pretendimi ka ardhur pas publikimit të dosjes Epstein nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, e ku në disa raste përmendet Kosova. Një nga këto raste është përfshirja në korrespodenca e konsulles së nderit të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës, Princeshës Mom Luang Rajadarasri Jayankura.
Në dosjet e publikuara është gjetur emri i saj në disa prej tyre, ku ajo flet për promovimin e një libri. Në një nga këto emaile, ajo shkruan: “…një milion fëmijët përbën një masë shumë të madhe që mund të shfrytëzohet”.
E shprehja “një milion fëmijët” është transmetuar si pretendim për trafikim të 1 milion fëmijëve përmes Kosovës, ndonëse “Një milion fëmijët” i referohet iniciativave/organizatave që ndihmojnë fëmijët në mbarë botën, dhe nuk bëhet fjalë për trafikim të 1 milion fëmijëve, siç pretendohet.
Pretendimet kanë përfshirë jashtë çdo konteksti edhe familjen presidenciale Clinton, duke postuar fotografi të tyre me fëmijët refugjatë të Kosovës në Maqedoni gjatë luftës, më 1999.
Prandaj, në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këto pretendime i cilëson si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.



