info@hibrid.info
Email mashtrues për një faturë në emër të kompanisë “McAfee”
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është hasur një adresë elektronike (email), ku marrësit i është dërguar një faturë nga “McAfee”, kompani amerikane që ofron programe sigurie kompjuterike (shih këtu).

Ky mesazh elektronik është dërguar në gjuhën angleze nga adresa mftvxz5456@gmail.com dhe përmban një dokument PDF të bashkëngjitur, ku mund të shikohet për më shumë informata.

Por, çka nuk shkon me këtë email?

Emaili shfaq shumë shenja të qarta që është mashtrim (scam) ose tentativë për phishing.

Ai është dërguar nga “mftvxz5456@gmail.com”, që është adresë jo profesionale dhe nuk ka lidhje me “McAfee” apo ndonjë kompani të njohur. Hibrid.info ka verifikuar vërtetësinë e këtij email-i me anë të “Scamdoc”, faqe online që ndihmon përdoruesit të verifikojnë besueshmërinë e faqeve të internetit, email-ave apo shitësve online.

Rezultatet e vlerësimit të email-it nga kjo faqe kanë treguar se besueshmëria e tij është mesatare (shih këtu).

Gjithashtu, në email vërehet se titulli “NBH Purchase reports” është shumë i paqartë dhe nuk përputhet me stilin zyrtar të komunikimeve për fatura apo raporte. Nuk dihet nëse “NBH” është kompani, produkt, apo një kod fiktiv. Gjithashtu, nuk tregon qartë për çfarë është fjala.

Një tjetër fakt që e bën këtë email të dyshimtë është inkuadrimi në tekst i kodeve si “(PIUA)” dhe “(SZYZ)”, që shpesh përdoren nga mashtruesit për të shmangur filtrat e spam-it (shih këtu).

Ndërsa, në dokumentin e bashkëngjitur është një faturë e rreme e “McAfee”. Emërtimi i dokumentit “460139D5BI.pdf” lë të nënkuptohet se është krijuar për qëllime mashtruese në mënyrë masive.

Hibrid.info ka kontrolluar përmbajtjen e dokumentit.

Dokumenti PDF duket si një faturë zyrtare e kompanisë “McAfee”, duke përmbajtur një shumë absurde të lartë për një abonim vjetor, e përdorur për të nxitur veprim të shpejtë dhe shfaq një numër të telefonit për ‘mbështetje’ (shih këtu).

Numrat e tillë janë të lidhur me skema mashtruese, ku nëse telefonon, mashtruesit do të përpiqen të marrin të dhëna të ndryshme, si ato të kartës së kreditit, për qasjen në kompjuterin tuaj, ose pagesa të tjera “për anulim” (shih këtu).

Po ashtu, dokumenti përmban mesazh frikësues, duke pretenduar se detajet e transaksionit do të shfaqen në bankën tënde brenda 24 orëve. Nëse nuk keni bërë asnjë pagesë, ky mesazh është përdorur vetëm për t’iu trembur dhe për t’iu detyruar ta kontaktoni numrin e paraqitur aty (shih këtu).

Dokumenti nuk ka asnjë informacion të vërtetë kontakti ose vegëza të besueshme. Mungon lidhja me ndonjë faqe zyrtare dhe nuk ka asnjë mënyrë verifikimi të faturës në llogari reale.

Të gjitha këto nënkuptojnë se ky email është mashtrim. Një taktikë e zakonshme për të frikësuar viktimën dhe për ta bindur që të paguajë për diçka që nuk e ka blerë.

Analiza:

Email-i i cili përmban një faturë të kompanisë “McAfee” me një dokument të bashkëngjitur është i dyshimtë.

Fatura është e rreme dhe dërgohet nga një adresë jozyrtare, që synon të frikësojë marrësin për t’ia marrë të dhënat personale ose për ta shtyrë të bëj pagesa të paautorizuara.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Leave a Reply