Përmes një imazhi të publikuar në TikTok pretendohet se ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, pas një paralize në tru.
Imazhi paraqet logon dhe pamjen grafike të televizionit “Klan” në Shqipëri, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një njoftim të publikuar nga ky televizion.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas verifikimit, është konstatuar se imazhi që paraqitet si pamje nga televizioni “Klan” është i gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA).
Imazhi është analizuar përmes mjetit Hive Moderation, i cili e ka vlerësuar me 88% probabilitet se është krijuar me inteligjencë artificiale (shih fotografinë më poshtë).

Në këtë përmbajtje është përdorur logoja e televizionit “Klan”, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një njoftim të këtij mediumi.
Megjithatë, në ueb-faqen zyrtare të televizionit “Klan” nuk është gjetur ndonjë lajm apo njoftim që konfirmon pretendimin për vdekjen e Berishës (shih këtu).
Gjithashtu, kërkimi në Google me pretendimin se Sali Berisha ka ndërruar jetë pas një paralize në tru nuk ka nxjerrë ndonjë informacion të tillë të publikuar nga media apo burime të tjera kredibile (shih këtu).
Analiza
Imazhi i publikuar në TikTok nuk paraqet një pamje autentike nga televizioni “Klan”, por është gjeneruar me IA dhe është paraqitur rrejshëm si njoftim i këtij mediumi.
Analiza përmes Hive Moderation e vlerëson me 88% probabilitet se imazhi është i gjeneruar me AI.
Një informacion i tillë nuk është konfirmuar nga televizioni “Klan”, mediat apo burime të tjera kredibile.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Mashtrim”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.