[email protected]
Shitet online produkti “U Caps” me pretendimin e rremë se është ilaç që ndihmon në rikthimin e dëgjimit
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Është hedhur për shitje online një produkt që mban emrin “U Caps”, me pretendimin se i njëjti është ilaç që ndihmon në rikthimin e dëgjimit.

Ky produkt është promovuar nga dy ueb-faqe të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe, “al3.diefiltertea.info” dhe “teaequisphere.pro”.

Brenda përmbajtjes promovuese gjendet një fotografi e një burri, që pretendohet se ai është doktor me emrin “Nikola Gjorgiev”, i cili paraqitet si otorinolaringolog.

Çka gjeti hibrid.info në lidhje me këtë produkt?

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se produkti “U Caps” është i rremë dhe se fotografia e personit që pretendohet të jetë doktori me emrin Nikola Gjorgiev, është gjetur në platformat online për shitblerje fotografish si “depositphotos.com” dhe “alamy.com”.


Vegëza e artikullit të publikuar në ueb-faqet e dyshimta “al3.diefiltertea.info” dhe “teaequisphere.pro”:

https://archive.is/0vcIf

https://archive.is/DZRkY


Çfarë produkti është U Caps?

Pas hulumtimit rreth këtij produkti të quajtur “U Caps”, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar nga kontrollues faktesh nga Bosnja, “Raskrinkavanje.ba” që kanë trajtuar përmbajtjen e ngjashme, ku është vërtetuar se ky produkt është i rremë. (shih këtu)

Në trajtimin e kësaj përmbajtje nga “Raskrinkavanje”, është shfaqur fotografia e njëjtë e “doktorit”, por që aty mban emër tjetër (Nikola Kaliniq).

Kush është Nikola Gjorgiev që paraqitet si kreu i Klinikës së Otorinolaringologjisë?

Në përmbajtjet e ueb-faqeve të dyshimta “al3.diefiltertea.info” dhe “teaequisphere.pro” thuhet se Nikola Gjorgiev është kreu i Klinikës së Otorinolaringologjisë, por nuk specifikohet emri i ndonjë klinike.

Pas hulumtimit përmes “Google” në lidhje me emrin “Nikola Gjorgiev”, nuk është gjetur asnjë vegëz që tregon për ndonjë doktor me këtë emër. (shih këtu)

Gjetjet tregojnë se një personazh me emrin Nikola Gjorgiev është një volejbollist nga Maqedonia e Veriut. (shih këtu)


Në fund të kësaj përmbajtjeje promovuese të publikuar në ueb-faqen e dyshimtë gjendet edhe një pjesë e komenteve, të cilët e kanë lavdëruar këtë produkt (U CAPS), por që në asnjërin nga këto profile nuk është e mundur që të klikohet në mënyrë që të vërtetohet se të njëjtit janë persona realë.

Hibrid.info ka kërkuar në Facebook këta emra, e që nuk është shfaqur asnjëri nga ta. (shih fotografinë më poshtë)


Pse janë të dyshimta këto ueb-faqe që promovojnë këtë produkt?

Hibrid.info ka përdorur “scamdoc.com” që bën kontrollin e ueb-faqeve, dhe rezultati i dhënë për këto dy ueb-faqe (al3.diefiltertea.info dhe teaequisphere.pro) thotë se të njëjtat nuk janë të besueshme dhe nuk dihet se kush qëndron prapa tyre. (shih këtu dhe këtu).

Të dyja gjatë kontrollit në “scamdoc.com” në rubrikën “Indeksi i besimit” kanë dhënë rezultatin “Shumë keq”. (shih fotografitë më poshtë)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se për të shitur këtë produkt që pretendohet rrejshëm se i njëjti ndihmon në rikthimin e dëgjimit, është përdorur një fotografi që paraqet një burrë, me pretendimin se i njëjti është doktor (otorinolaringolog), në mënyrë që ta bëjë artikullin më të besueshëm te lexuesit.

Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë doktor (otorinolaringolog) me këtë emër dhe se fotografia e përdorur është marrë nga platformat online për shitblerje fotografish.

Kontrollues faktesh nga Bosnja “Razkrinkavanje.ba”, me datë 25 prill në artikullin e publikuar në lidhje me produktin “U Caps”, kanë sqaruar se i njëjti është i rremë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë promovim të këtij produkti si “Mashtrim”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Leave a Reply