[email protected]
Faqet me pronësi të dyshimtë në Facebook publikojnë fushata të rreme për kredi
shape
shape
shape

Në median sociale Facebook janë hapur disa faqe që pretendojnë se japin kredi të ndryshme, deri në vlera qindra e mijëra euro.

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërejtur se në seksionin e informacioneve rreth veprimtarisë (about) në këto faqe “Kredi personale”, “Kredi Personale – Online” dhe “Kredi Për Biznes” nuk ka të dhëna të mjaftueshme që dëshmojnë kredibilitetin apo besueshmërinë dhe transparencën.

Në faqen “Kredi personale”, në seksionin “about” paraqitet një adresë në Paris në të cilën, krijuesi i kësaj faqe pretendon se gjendet selia e kësaj veprimtarie të dyshimtë, dhe vendet në të cilat supozohet që operon si Tirana, Munihu dhe Prishtina. (shih këtu)

Faqja tjetër, “Kredi Personale – Online” në seksionin about ka vetëm një adresë elektronike “[email protected]” (këtu). Ndërsa në faqen “Kredi Për Biznes” nuk ka asnjë informatë rreth veprimtarisë. (shih këtu)


Përveç që këto faqe janë të dyshimta, pasi nuk kanë asnjë informacion rreth veprimtarisë së tyre, të njëjtat është vërtetuar se përdorin fushata të institucioneve financiare në Kosovë dhe Shqipëri, e që duke ua larguar logot autentike mundohen t’i paraqesin si të tyre.

Hibrid.info ka verifikuar nga një postim të secilës prej këtyre faqeve, për të dëshmuar që të njëjtat nuk janë të vërteta dhe se ata që u besojnë, mund të bien pre e ndonjë mashtrimi.


Faqja “Kredi personale” me datë 11 qershor, ka publikuar një ofertë për kredi me anë të së cilës ka ngritur pretendimin se ofron mundësi kredi-marrje deri në 150 mijë euro brenda 24 orëve. (shih këtu)

Hibrid.info, pas verifikimit të fakteve, ka arritur të vërtetojë se kjo faqe, këtë postim e ka marr nga institucioni mikrofinanciar në Shqipëri “FED invest”, të cilës i ka ndryshuar përshkrimin.

Pas hulumtimit të kryer përmes programit te automatizuar online “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë se kjo fushatë është e Institucionit financiar në Shqipëri “FED invest”, e cila me anë të kësaj fushate njofton se ofron kredi deri në 200 mijë lekë. (shih këtu)


Faqja tjetër “Kredi Personale – Online” me datë 22 maj ka publikuar një postim në fotografinë e së cilës shkruan “KREDI PËR BUJQËSI Merr kredi me mundësi pagese pas 12 muajve!”. (shih këtu)

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo fushatë është e institucionit mikro-financiar “FINCA Kosovo”, e publikuar në janar të këtij viti. (shih këtu)

Pra, faqja “Kredi Personale – Online” ka përdorur fushatën e “FINCA Kosovo”, të cilës i ka larguar logon, duke u munduar ta paraqesë si të sajën. (shih fotografitë krahasuese më poshtë)


Faqja “Kredi Për Biznes” me datë 27 maj ka publikuar një postim me pretendimin se ofron kredi biznesi deri 100 mijë euro. (shih këtu)

Hibrid.info ka arritur të vërtetojë se kjo fushatë është e publikuar nga banka Raiffeisen me datë 1 dhjetor 2022 (shih këtu). Edhe kësaj fushate iu është mbuluar logo e Raiffeisen Bank, të cilën faqja “Kredi Për Biznes” e ka paraqitur si të sajën. (shih më poshtë fotografitë krahasuese)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se këto faqe me pronësi të dyshimtë, pretendojnë rrejshëm se ofrojnë kredi të ndryshme, duke i marrë fushatat e institucioneve financiare në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat mundohen t’i përvetësojnë, duke ua larguar logot autentike.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i ka vlerësuar këto faqe si “Mashtrim”.

Share With Others