info@hibrid.info
Fenomeni mashtrues në Instagram dhe TikTok mbi pronat me çmime joreale
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në mediat sociale si “Instagram” dhe “TikTok” janë vërejtur llogari që shfaqin pamje të banesave e vilave, të cilat pretendohen se janë në shitje, por me çmime shumë më të ulëta, nën ato të tregut aktual në Kosovë dhe Shqipëri.

Çmimet që u janë vënë këtyre pronave, si dhe mosdhënia e asnjë kontakti, qoftë numër telefoni apo adresë të këtyre “agjencioneve”, ngriti dyshime mbi këto llogari. Në secilën përmbajtje bëhet thirrje që të interesuarit të kontaktojnë vetëm përmes mesazheve në këto rrjete sociale.

Hibrid.info ka identifikuar tri llogari të tilla, dy në Instagram dhe një në TikTok.

Llogaritë në Instagram mbajnë emra si “real_estate.kosova” (15.5 mijë ndjekës), “portal_real_estate.al” (54.5 mijë ndjekës) dhe në TikTok “portal_real_estate” (128.8 mijë ndjekës).


Trajtimi i përmbajtjeve

Hibrid.info ka trajtuar tri përmbajtje, një nga secila llogari, duke vërtetuar se ato janë marrë nga agjencione reale të patundshmërive, e më pas u janë vënë çmime të rreme. Në njërin rast, është gjetur që prona e publikuar në njërën nga këto llogari, rezulton të jetë marrë nga një pronë në Brazil, duke pretenduar se ajo gjendet në Durrës.

Trajtimi i përmbajtjes së publikuar në Instagram nga llogaria “real_estate.kosova”

Me datë 22 gusht, kjo llogari ka publikuar një përmbajtje vizuale në të cilën paraqiten pamjet e një apartamenti.

Në mbishkrimin e vënë në këtë përmbajtje thuhet se banesa është në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë dhe ka hapësirë prej 70 metrash katrorë, e që shitet për një çmim prej 41 mijë euro. (shih këtu)

Pas hulumtimit të kryer online përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info gjeti se përmbajtja e njëjtë ishte publikuar në dhjetor të vitit 2023 nga një agjenci reale për shitjen e patundshmërive që quhet “Harta e Pronave Patundshmeri”.

Në përshkrimin e kësaj përmbajtje thuhet se banesa ka hapësirë prej 83 metrash katrorë, ndërsa sa u përket detajeve tjera, ky agjencion tregon se ato mund t’i marrin përmes numrit kontaktues, i cili paraqitet në përshkrim. (shih këtu)


Trajtimi i përmbajtjes së publikuar në Instagram nga llogaria “portal_real_estate.al”

Në përmbajtjen vizuale të publikuar me datë 2 prill 2025 nga kjo llogari, paraqiten pamjet e një shtëpie (vilë), e cila pretendohet se është e ndërtuar në Durrës (Shqipëri) dhe është në shitje me një çmim prej 150 mijë eurosh. (shih këtu)

Pas kërkimit online, u gjet se videoja që paraqet këtë shtëpi ishte publikuar në YouTube më 8 tetor të vitit 2023 nga llogaria “@SAMUELRIBEIROOFICIAL”. Në përshkrim të kësaj videoje sqarohet se kjo pronë gjendet në një lagje të Brazilit që quhet “SWISS PARK CAMPINAS”.


Trajtimi i përmbajtjes së publikuar në TikTok nga llogaria “portal_real_estate”

Në këtë përmbajtje paraqiten pamjet e brendshme të një apartamenti, e në mbishkrim të videos thuhet se ajo gjendet në kompleksin “Dardha” në Prishtinë, ka hapësirë prej 67 metrash katrorë dhe shitet për një çmim prej 55 mijë eurosh. Përmbajtja u publikua me datë 25 mars 2025. (shih këtu)

Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se kjo banesë ishte publikuar për shitje nga një agjencion real “Harta e Pronave Patundshmeri”, me datë 11 korrik 2024. Në përshkrim të kësaj shpallje thuhet se çmimi i saj bëhet me marrëveshje. (shih këtu)


Çka thonë raportet për këtë fenomen

Raporti i National Multifamily Housing Council (NMHC) dokumenton se mashtrimet me identitete false dhe ofertat mashtruese po rriten ndjeshëm. Sipas NMHC, platformat sociale si Instagram dhe TikTok shpesh përdoren për të kontaktuar viktimat dhe për t’i detyruar të japin të dhëna personale dhe pagesa paraprake, duke iu shkaktuar dëme financiare.

*NMHC është një organizatë amerikane që monitoron dhe përfaqëson tregun e qirave, duke publikuar raporte mbi mashtrimet dhe rreziqet për qiramarrësit dhe pronarët. (shih raportin këtu)

Çka duhet të kemi parasysh kur shohim përmbajtje të tilla?

Kontrolloni nëse agjencia ekziston dhe a ka reputacion. Për shembull, kërkoni emrin e agjentit, numrin, adresën e agjencionit.

Mos paguani asgjë përpara se të shihni fizikisht. Kujdesuni për çmime që duken “shumë të mira për të qenë të vërteta”, pasi kjo është një prej sinjaleve të mashtrimit.

Kërkoni për fotografitë, videot, pasi ato mund të jenë marrë nga faqe të tjera reale që bëjnë shitblerje të pronave.

Raportoni llogaritë e ngjashme, nëse dyshoni se ato publikojnë përmbajtje mashtruese.

Share With Others