[email protected]
Frika nga liberalizimi i vizave: a do të zbrazet Kosova?
shape
shape
shape

Me t’u dhënë lajmi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, dhe se nga 1 janari i vitit 2024 kosovarët do të kenë të drejtë udhëtimi pa viza në zonën Schengen, veç gëzimit nga qytetarët, pati raportime të shumta të mediave që paralajmëronin zbrazjen e Kosovës.

Që nga 18 prill 2023, kur Parlamenti Evropian ia dha dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pas më shumë se 12 vjet pritje, shumë zëra argumentuan se Kosova do të zbrazet menjëherë pas 1 janarit 2024 dhe rrjedhimisht se do të ketë mungesë të punëtorëve. Profesori universitar, Bashkim Mustafa, më 21 prill të vitit që sapo lamë pas, në emisionin EURO n’7 në televizionin T7, pati parashikuar se me qindra mijëra kosovarë do të lënë vendin. Ai për këtë fajësonte politikat qeveritare në lidhje me tregun e punës. 

I të njëjtit mendim ishte edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, i cili, në po të njëjtin emision, pati thënë se tregu i punës do të pësojë tronditje të mëdha pas janarit 2024, kur të hyjë liberalizimi i vizave në fuqi.

E ngjashëm mendonte edhe Erald Pashaj, i cili është udhëheqës i konsulencës për burime njerëzore “EPPC Shqipëria & Kosova”. Në një intervistë për “Telegrafin”, në nëntor 2023, Pashaj thotë se emigrimi i qytetarëve do të ndikojë shumë në tregun e punës. Sipas tij, pavarësisht se liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë me të punuarit në vendet e Bashkimit Evropian (BE), qytetarët e shohin këtë si një liri për të shkuar në Perëndim dhe për të punuar.

E në javën e parë të janarit 2024, kur hyri në fuqi liberalizimi i vizave, medietKosovë, por edhe në Shqipëri, janë stërmbushur sërish me të tilla parashikime.

Ky parashikim ndjek trendet e migrimit nga Kosova gjatë viteve të fundit. Migrimi nga Kosova drejt vendeve evropiane për qëllime të punës ka vazhduar gjatë vitit 2023. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, nga Kosova u larguan rreth 41.500 banorë. Ndër arsyet e cekura për emigrim ishte edhe punësimi. Viteve të fundit, mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani dhe vende tjera kishte zbutur kriteret për migrim me qëllim pune nga qytetarët e kualifikuar të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. E kjo, ka shërbyer për artikuj të shumtë dezinformues e clickbait të cilët njoftonin rrejshëm për konkurse pune në këto vende. (Shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Sindikata e Sektorit Privat ka kohë që ngre alarmin se bizneset tashmë po vuajnë nga fuqia punëtore dhe ky fenomen do të përkeqësohet me liberalizimin e vizave. Sektori i gastronomisë dhe ndërtimtarisë, në veçanti, duket se është ndikuar nga migrimi i vazhdueshëm. Nëpër dyqane e lokale të gastronomisë shpesh vihen re njoftimet për punë ndërkohë mediat po raportojnë në rritje për punësimin e qytetarëve nga Azia Jugore nga kompanitë kosovare.

Por, pos parashikimeve për migrim në rritje pas liberalizim të vizave, ka zëra që po e argumentojnë të kundërtën. Sipas tyre, qytetarët e Kosovës në masë të madhe do të shfrytëzojnë këtë mundësi për të vizituar familjarë e shoqëri – mirëpo jo për punësim a ndërrim të vendbanimit. Liberalizimi i vizave për Kosovën u mundëson qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet e zonës Schengen.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, pati thënë se “edhe pse thuhet që mund të ketë një eksod pas 1 janarit, nuk besoj që ai do të jetë rasti”. Edhe opinionisti, Imer Mushkolaj, ka bërë thirrje që të mos u vihet veshi parashikimeve se Kosova po zbrazet, pasi Kosova nuk është zbrazur as në kohë më të vështira.

Ndërkaq, Banka Botërore thotë se, sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore edhe pas liberalizimit të vizave, ashtu si edhe në të kaluarën.

E ndonëse janë vetëm ditët e para nga hyrja në fuqi e udhëtimit pa viza, të dhënat nga agjencitë turistike në vend kanë të dhëna të ndryshme nga njëra-tjetra. E kjo mund t’ua vështirësojë mediave balancimin e raportimit të tyre me të dhëna faktike, veçanërisht meqë liberalizimi i vizave përkon me kohën kur mijëra mërgimtarë kthehen në vendet evropiane pas pushimeve dimërore dhe zakonisht ka fluks udhëtimesh.

Disa prej agjencive turistike kanë raportuar se nuk ka kërkesë të shtuar për rezervime biletash pas 1 janarit, teksa të tjerat kanë raportuar për rritje të rezervimeve.

Drejtori i shitjes në kompaninë e udhëtimeve “Prishtina Ticket”, Driton Berisha, më 27 dhjetor 2023, pati thënë në emisionin KIKS Kosova se qytetarët e Kosovës vetëm po interesohen për kushtet e udhëtimit dhe çmimin e biletave, mirëpo nuk është se po vërehet numër i shtuar i rezervimit të biletave pas 1 janarit.

“Gjendja është kështu: nga data 8 janar ka vende të lira shumë, kapacitete të aeroplanëve kemi mjaftueshëm. Deri në datën 8 janar janë ata pasagjerë që kanë ardhur nga mërgata. Kjo ndodhë vazhdimisht. Ka vende të lira mjaftueshëm pas datës 8 janar. Nuk ka rezervime siç po flitet. Nuk është e vërtetë ajo që po thuhet”.

Ai madje i pati demantuar edhe disa lajme që qarkullonin se kinse nuk ka bileta të lira deri në mars, duke thënë se pas datës 8 janar ka vende të lira mjaftueshëm. Berisha pati thënë se edhe avio-kompanitë tjera kanë vende të lira.

Ndërkaq, Ruzhdi Kurtishaj, pronari i “Sharr Travel”, tha për “Front Online” se mërgimtarët që kanë ardhur për fundvit, po i marrin familjarët për vizita, teksa thotë se kërkesat janë rritur drastikisht, krahasuar me janarin 2023.

“Krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kohore, kërkesat janë në rritje 100%, por shumë nga kurbetqarët që kanë ardhë për të festuar vitin e ri, tash po kthehen bashkë më familjarë që i marrin me vete për vizita të ndryshme. Brenda kësaj jave udhëtojnë 1,000 udhëtarë me kompaninë tonë”, ka deklaruar Kurtishaj.

Edhe nga agjensioni “Fibula Travel” thanë se rezervimet e qytetarëve janë shtuar dukshëm për vizitat jashtë Kosovës.

Sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës, 32,000 qytetarë kanë udhëtuar përmes këtij aeroporti në tri ditët e para të janarit, rreth 11,000 më shumë se vitin e kaluar.

Ndërkohë, në një analizë, Radio Evropa e Lirë, ka krahasuar trendin e migrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor pas liberalizimit të vizave. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut fituan të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër Schengen në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina një vit më vonë.

Sipas REL, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Shqipëria pati ngritje të dukshme të numrit të rasteve të largimit të banorëve të saj nga BE-ja për keqpërdorime të ndryshme të qëndrimit në BE.

Ndërkohë, sipas të njëjtës analizë, liberalizimi i vizave nuk kishte efekt të dukshëm në numrin e rasteve të identifikuara për punësim të paligjshëm në vendet e BE. Po ashtu, sipas kësaj analize, pas liberalizimit të vizave, numri i kalimeve ilegale të kufijve nga shtetas të Ballkanit Perëndimor ra dukshëm. Mirëpo, numri i rasteve që qëndronin ilegalisht në BE — qoftë duke e tejkaluar kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit, apo duke mos i respektuar rregullat e tjera — u rrit.

Raportimet ogurzeza të mediave që nga prilli 2023 kryesisht bazohen në shqetësimet nga komuniteti i biznesit, por shumë nga këto raportime, në javën e parë të vitit 2024, vazhdojnë t’i përcjellin këto parashikime pa i balancuar me të dhëna tjera faktike apo pa i përfshirë në të njëjtin artikull edhe ekspertët që nuk parashikojnë migrim masiv të kosovarëve pas liberalizimit të vizave.

Raportimi i vetëm një pikëpamje ka rrezikun të krijojë panik tek qytetarët dhe t’ua mohojë përdoruesve të medieve që të jenë të informuar mbi llojllojshmërinë e skenareve potenciale që mund të zhvillohen pas liberalizimit të vizave duke marrë për bazë edhe përvojat e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim.

Artikull analitik nga Agon Osmani

Share With Others