Shkroi: Festim Rizanaj
Faqja “Bota Islame” në Facebook ka publikuar të hënën (4 gusht) një postim përmes së cilit pretendon se Finlanda e ka njohur zyrtarisht Palestinën si shtet sovran.
Në postim, i paraqitur si “LAJMI I FUNDIT”, shoqëruar me simbolet e flamurit të Palestinës dhe imazhit tw presidentit të Finlandës, Alexander Stubb, thuhet saktësisht: “Finlanda e njeh zyrtarisht Palestinën si shtet sovran”.

Ky pretendim është shpërndarë në një kohë kur çështja e njohjes ndërkombëtare të Palestinës ka qenë pjesë e diskutimeve diplomatike në disa vende të Evropës.
Çka dihet rreth njohjes së Palestinës nga ana e shtetit të Finlandës?
Finlanda ende nuk ka bërë një njohje të plotë diplomatike të shtetit të Palestinës. Presidenti Alexander Stubb ka deklaruar se është gati të firmosë njohjen, nëse qeveria e propozon atë, por deri tani nuk ka patur asnjë propozim zyrtar nga qeveria për t’u miratuar. (këtu)
Në Parlamentin Finlandez, një shumicë e ligjvënësve mbështesin njohjen e Palestinës, por dy partitë e djathta në koalicionin qeverisës Perussuomalaiset (Finns Party) dhe Suomen Kristillisdemokraati (Partia Demokristiane) janë kundër për momentin. (këtu)
Më parë, në maj 2024, Presidenti Alexander Stubb deklaroi se Finlanda do ta njihte Palestinën si shtet në një moment në të ardhmen, por nuk specifikoi ndonjë afat kohor. (këtu)
Shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara — 147 nga gjithsej 193 — e njohin tashmë Palestinën si shtet, e cila aktualisht gëzon statusin e vëzhgueses në OKB. (këtu)
Çka ka ndodhur deri më tani:
Finlanda ka bashkëfirmosur një deklaratë me Francën, me qëllim promovimin e zgjidhjes me dy shtete dhe me mesazhe të qarta mbështetjeje për Palestinën në kuadër të rezolutave ndërkombëtare. (këtu)
Presidenti Stubb dhe disa zyrtarë të tjerë kanë shprehur mbështetje për njohje eventuale, por vendimi mbetet në duart e qeverisë dhe parlamentit, dhe nuk ka çelur ende rrugë zyrtare drejt njohjes diplomatike. (këtu)
Praktika e shpërndarjes së përmbajtjes së pasaktë
Ky pretendim u shpërnda për herë të parë më 4 gusht 2025 nga faqja “Bota Islame” në Facebook, ku u paraqit si “lajm i fundit” me përmbajtjen se Finlanda e ka njohur zyrtarisht Palestinën si shtet sovran.
Postimi u publikua pa burim të cituar dhe pa ndonjë konfirmim zyrtar nga autoritetet finlandeze apo agjenci ndërkombëtare lajmesh, duke ngritur dyshime për saktësinë e informacionit të dhënë.
Pas këtij publikimi, pretendimi është shpërndarë në faqe të tjera si Specbuk, Islampress.ch, Bota n’24/7 dhe Portali 039, në kohë të ndryshme, por sërish pa ndonjë verifikim të pavarur.
Këto përmbajtje janë ripostuar dhe amplifikuar më tej edhe nga llogari personale dhe profile individuale në rrjete sociale, duke kontribuar në përhapjen e mëtejshme të një informacioni të paverifikuar që krijon perceptimin e rremë për një zhvillim diplomatik që nuk ka ndodhur ende. (këtu)
Analiza:
Njoftimi publik që “Finlanda e njeh zyrtarisht Palestinën” është i pavërtetë pasi ende nuk është marrë një vendim formal.
Deri më sot, nuk ka asnjë njohje zyrtare nga ana e Finlandës ndaj shtetit të Palestinës. Çdo deklaratë e kundërt është spekulative ose pasqyron vetëm gatishmërinë e presidentit, jo një vendim formal.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.







