[email protected]
Fotografia e 2019-s ku shihen Sveçla dhe Gjuriq, paraqitet rrejshëm si e shkrepur në prag të tubimit të LVV-së në Mitrovicë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një fotografie ku shihet ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla ulur afër ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, pretendohet se ky takim u zhvillua para tubimit që Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi në Mitrovicë me 12 janar, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Postimi me këtë pretendim u publikua në Facebook nga llogaria “Gollaku Gollaku” me datë 5 janar.

Çka gjeti hibrid.info?

Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info vërtetoi se pretendimi i bërë nga llogaria e lartcekur, është i rremë dhe se fotografia është shkrepur në vitin 2019.


Kjo fotografi u realizua në vitin 2019 gjatë një konferencë për Bashkëpunim Rajonal, organizuar nga  Këshilli për Qeverisje Përfshirëse (CIG) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, e cila u mbajt në Tiranë.


Lidhur me këtë fotografi, atëkohë kishte reaguar edhe vet Sveçla në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ku kishte sqaruar se në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni dhe se vendet dhe tavolinat se ku janë ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit.

Pak kontekst lidhur me këtë takim

Këshilli për Qeverisje Përfshirëse (CIG), organizatë ndërkombëtare joqeveritare me seli në SHBA, pati njoftuar përmes një deklarate se ishte organizatore e një tryezë të rrumbullakët dy-ditore në Tiranë, Shqipëri, gjatë datave 7-9 dhjetor 2019, ku morën pjesë përfaqësuesit e partive politike të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në diskutime ishte thënë se janë adresuar sfidat e rajonit për gjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE, si dhe rolit të partive politik në zbatimin e reformave demokratike. Mbështetësi kryesor i CIG është Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, ndërsa ky projekt rajonal mbështetet edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. (shih këtu artikullin e Koha.net)

Përveç Sveçlës, në takim me zyrtarin serb, në kryeqytetin e Shqipërisë, Express pati mësuar se ishin edhe deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. (shih këtu artikullin e GazetaExpress.com)


Analiza:

Një pretendim i rremë u publikua në Facebook nga llogaria “Gollaku Gollaku” më 5 janar, duke pohuar se një foto që tregon ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, ulur afër ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, ishte shkrepur para tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë më 12 janar.

Pas një hulumtimi nga hibrid.info, u konfirmua se fotografia në fjalë është nga viti 2019 dhe është realizuar gjatë një konference për Bashkëpunim Rajonal në Tiranë, organizuar nga Këshilli për Qeverisje Përfshirëse (CIG) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »