[email protected]
Kreu i sindikatës nuk e demanton por e sqaron pretendimin për pagesën e policëve
shape
shape
shape

Disa media me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Kreu i Sindikatës së Policisë e demanton zyrtarin e VV-së për rrogën e policit 3 mijë euro”.

Artikujt e këtyre mediave janë nisur si shkak i një statusi në Facebook, të Egzon Azemit, një zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është deklaruar se shumica e policëve të angazhuar në veri në periudhën e fundit janë paguar mbi 2000 e në disa raste deri në 3000 euro, duke e specifikuar edhe orarin e zgjatur si arsye.

Në lidhje me këtë deklarim, është shprehur Izmi Zeqiri, kreu i Sindikatës së Policisë, i cili ka sqaruar arsyet mbi pagesat për shumat e deklaruara nga Azemi, duke konfirmuar orarin e zgjatur si shkak i këtyre pagesave si dhe po ashtu duke e shpjeguar se nuk bëhet fjalë për pagë bazë 2000 apo 2500 euro.

Ndërkaq në titujt e artikullit të mediave të lart-përmendura, pretendohet se kreu i Sindikatës së Policisë, ka demantuar Azemin me sqarimin e tij.

Nisur nga fakti se deklaratat e Azemit dhe Zeqirit përputhen mbi arsyet e këtyre pagesave si dhe duke parë që Azemi nuk ka specifikuar nëse bëhet fjalë për pagën bazë ose jo, hibrid.info ka vërtetuar se deklarimi i kreut të sindikatës së Policisë, rreth kësaj çështjeje, nuk pasqyron demant ndaj zyrtarit të LVV-së.


Vegëzat e artikullit të publikuar nga “Gazeta Express” dhe “Periskopi”:

https://www.periskopi.com/kreu-i-sindikates-se-policise-e-demanton-zyrtarin-e-vv-se-per-rrogen-e-policit-3-mije-euro/?fbclid=IëAR2RlQNAsbRbajqJSqTvZYHVXMrMVzMCzTi5XPvksGbf0_OYUuLëFrCPfmY

Hibrid.info ka vlerësuar se në titullin e këtyre artikujve, pretendohet se zyrtari i LVV-së, Egzon Azemi, është deklaruar mbi rrogat e policëve.

Por pas hulumtimit të fakteve, kuptohet se në deklarimin e tij, Azemi nuk i është referuar rrogës apo pagës bazë (shih këtu).

Ai është shprehur se policët “në veri në periudhën e fundit paguhen mbi 2000 e në raste deri në 3000 euro kjo sidomos për shkak të orarit të zgjatur”, pa specifikuar nëse bëhet fjalë për pagën bazë.

Statusi i plotë i Egzon Azemit në Facebook:

Policisë mbase s’ja kemi plotësu 100% kërkesën për pagë. E kjo do zgjidhet padyshim.

Por ma e rëndësishmja është se atyre i’u është rikthy dijniteti. Ata sot gëzojnë më shumë se kurrë respektin e qytetarëve.

Pse? Sepse më nuk keqpërdorën për të arrestu kundërshtar politik e qytetar.

Sepse më nuk transferohen, nënqmohen e degradohen kur e dënojnë familjarin apo mikun apo vet pushtetarin siç ka ndodh në të kaluaren e afërt.

Sot secili polic është simbol i mbrojtjës së Republikës. P.S sa për info shumica që ka qenë të angazhuar në veri në periudhën e fundit paguhen mbi 2000 e në raste deri në 3000 euro kjo sidomos për shkak të orarit të zgjatur.

Dhe padyshim kushtet për ta do rregullohen edhe më tej!

Po ashtu hibrid.info ka gjetur se edhe në prononcimin e kreut të Sindikatës së Policisë, Izmi Zeqiri, konfirmohet dhe sqarohet më tej, pretendimi i Azemit, mbi pagesat e marrë në periudhën e fundit nga policët (shih këtu).

Deklarata e plotë e kreut të Sindikatës së Policisë, Izmi Zeqiri:

“Këtu duhet ta bëjmë një sqarim edhe për këtë 2500 dhe 3 mijë euro. Njësitë speciale operative gjatë operacioneve në Veri kanë qëndruar me javë dhe muaj pa u kthyer në shpi.

Ata kanë qëndruar 24 orë në punë, 16 orë i kanë pasë orë shtesë. Me një vendim të ministrit janë paguar orë shtesë

Është e vërtetë që ka pas polic të njësive operative në veri që kanë qëndruar dy tri javë ditë në punë pa shkuar në shtëpi, dhe iu kanë paguar orët shtesë dhe i ka dalë paga 2 mijë dhe 3 mijë euro.

Paga bazë është 619 euro pavarësisht ku punon, a është në veri, jug apo qendër të Prishtinës.

Këtu duhet bërë ndarjen e orëve pas orarit të punës.

Nuk ka pagë të policit 2 mijë, 2500 apo 3 mijë euro. Ndërkohë kur njeriu flenë edhe në vend të punës, kjo e ka bërë të vetën që disa individë kanë marrë pagë me orë shtesë 2500 euro, për 3 mijë nuk e di, por ka mundësi.”

Në bazë të këtij deklarimi, Zeqiri ka sqaruar se pagesat për të cilat është deklaruar Azemi, kanë të bëjnë me orarin e zgjatur të punës së policëve të angazhuar në veri të vendit (ashtu siç është shprehur edhe Azemi në statusin e tij). Madje siç shihet, ai nuk e ka hedhur poshtë as mundësinë që ata të jenë paguar edhe deri 3 mijë euro, ndonëse është shprehur se nuk ka informacione.


Analiza:

Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull, në titullin e së cilit pretendohet se një deklarim i Egzon Azemit, një zyrtari të LVV-së mbi pagat e policëve, është hedhur poshtë nga kreu i Sindikatës së Policisë.

Por që, pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se Azemi nuk është deklaruar mbi rrogën e policëve dhe se kreu i policisë nuk e ka hedhur poshtë deklarimin deklarimin e Azemit,  duke e konfimuar dhe sqaruar edhe më tej.

Bazuar edhe në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others