info@hibrid.info
Kupchan nuk tha decitivisht se Kurti e bëri fajtore Kosovën kur Serbia ishte penguesja e vetme
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Disa media online në shqip publikuan dje dhe sot (4 dhe 5 shtator) një artikull me titull “Kupchan: Kurti e bëri fajtore Kosovën kur Serbia ishte penguesja e vetme”.

Artikulli u gjet i publikuar nga mediumet online, si “Nacionale.com” dhe “Kosova-sot.info”.

Kjo deklaratë, e cituar në titull, i atribuohet Charles Kupchan, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown. Kupchan, më 4 shtator, dha një intervistë për median online në gjuhën serbe “Kosovo-online.com, ku foli për Marrëveshjen e Uashingtonit mbi normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar më 4 shtator 2020.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen, pra nuk përputhet me deklaratën e Kupchan.


Kupchan në këtë intervistë tha që “në sytë e Evropës dhe SHBA-së, Kosova u pa si problem për shkak të politikave nacionaliste të Kurtit”. Pra, në asnjë rast nuk tha që Kurti e bëri Kosovën fajtore, por se perceptimi ndërkombëtar ndryshoi dhe fajësimi u zhvendos drejt Prishtinës.

Kupchan flet për perceptime, vendime specifike të Kurtit (targat, kryetarët në veri, Asociacioni), dhe për mënyrën se si ato vendime u interpretuan nga SHBA dhe BE.

Çka tha Kupchan për Kurtin?

Marrëveshja e Uashingtonit kishte të bënte kryesisht me marrëdhëniet tregtare, tha Kupchan, por shtoi se gjithashtu nuk beson që tregtia mund të bëjë vërtet një ndryshim.

“Duhet të bësh politikën e duhur dhe pastaj integrimi ekonomik mund të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje. Por nëse nuk e bën politikën e duhur, tregtia dhe investimet nuk do të ndihmojnë. Dhe problemi është se politika ishte e gabuar nën udhëheqjen e Kryeministrit Kurti. Kosova, në një farë mënyre, ndoqi një politikë shumë nacionaliste. Kurti mori disa vendime për targat, për kryetarët e bashkive në veri që nuk përparuan drejt Asociacionit të Komunave Serbe, gjë që në shumë mënyra e ktheu Kosovën prapa në sytë e Evropës dhe SHBA-së. Njerëzit filluan të fajësojnë Prishtinën për problemin, ndërsa në shumë aspekte ishte Beogradi që po zvarriste”, vlerësoi Kupchan. Nga një perspektivë politike, shtoi ai, as Prishtina dhe as Beogradi nuk ishin në gjendje të ecnin përpara me marrëveshjen. (shih këtu)


Analiza:

Më 4 dhe 5 shtator, disa media online në shqip, publikuan artikullin me titull: “Kupchan: Kurti e bëri fajtore Kosovën kur Serbia ishte penguesja e vetme”. Ky titull iu atribua Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, i cili një ditë më parë dha një intervistë për portalin në gjuhën serbe Kosovo-online.com.

Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se titulli nuk është i saktë, pasi Kupchan nuk tha decitivisht se Kurti e bëri Kosovën fajtore kur Serbia ishte penguesja e vetme. Ai theksoi se për shkak të disa vendimeve të qeverisë së Kosovës, si çështja e targave, emërimi i kryetarëve në veri dhe mospërparimi drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, perceptimi ndërkombëtar ndryshoi dhe BE-ja e SHBA-ja filluan ta shihnin Prishtinën si problem, ndërkohë që Serbia vazhdonte të zvarriste.

Kupchan po ashtu nënvizoi se politikat e gabuara të qeverisë Kurti e kthyen Kosovën prapa në sytë e partnerëve perëndimorë. Ai shtoi se, nga një perspektivë politike, as Kosova e as Serbia nuk ishin të gatshme të lëviznin përpara me zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020 për normalizimin ekonomik.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson artikujt e publikuar në mediat shqip si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others