Shkroi: Fatbardh Dema
“Lajmi i Fundit: Vjosa Osmani zgjidhet sërish Presidente e Kosovës.” është mbishkrimi i vendosur në një fotografi të presidentes Vjosa Osmani, të publikuar nga faqja “lajminews.info” në Facebook, më 25 shkurt.
E në përshkrim, kjo faqe ka shkruar se “raportohet se Vjosa Osmani do të zgjidhet sërish Presidente e Kosovës”.
Përse po trajtohet kjo përmbajtje?
Pretendimi i shkruar në imazh nuk është i saktë. Kuvendi ende nuk ka vendosur për president të ri apo për edhe një mandat të ri për Vjosa Osmanin.
Por, publikimi deri në momentin e trajtimit i ka marrë rreth 650 komente, në mesin e të cilave vërehet se njerëzit kanë uruar Osmanin për një mandat të dytë.

Faktet:
Kuvendi ende nuk e ka zgjedhur një president të ri. As Kryesia, të paktën deri në mëngjesin e 26 shkurtit, nuk ka caktuar seancë për zgjedhjen e presidentit (shih agjendën e Kuvendit).
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka takuar kryetarët e dy partive të tjera më të mëdha, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të diskutuar për një zgjidhje për çështjen e presidentit. Nga bisedimet nuk ka dalë ende ndonjë emër apo ndonjë njoftim për arritje të dakordimit. Është paralajmëruar se ato do të vazhdojnë ende (shih këtu).
Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021 (shih këtu). Mandati i presidentit është pesë vjet.
Sipas Nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës, paragrafi 2: “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Të drejtën e nominimit si kandidat për president e ka secili shtetas që siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president. Zgjedhja e presidentit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Nëse në dy votimet e para asnjë kandidat nuk i merr 2/3 e votave, organizohet votimi i tretë dhe në mes të dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 vota). Zgjedhja e presidentit në Kuvend bëhet me votim të fshehtë (shih këtu).
Osmani e ka shprehur publikisht ambicien për të qenë presidente edhe për një mandat (shih këtu).
Sipas Nenit 87 të Kushtetutës, pas përfundimit të mandatit të parë, presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë (shih këtu).
Deri tash, nuk është dhënë ndonjë njoftim nga akterë politikë a figura të tjera se një person ka mbledhur nënshkrimet për të qenë kandidat për president. Edhe nëse kërkohet në “Google” me fjalët “Osmani mbledh nënshkrimet për presidente” nuk haset në artikuj kredibil që konfirmojnë pretendimin.
Edhe kërkimi me fjalët “Vjosa Osmani do të zgjidhet sërish presidente” nuk çon në artikuj kredibilë që konfirmojnë pretendimin.
Pretendimi i “lajminews.info” u publikua në orën 17:08, apo rreth gjysmë ore pasi Murat Jashari u shpreh se nuk synon të marrë postin e presidentit të shtetit, pas spekulimeve për një emër nga familja Jashari.
Analiza:
Pretendimi i “lajminews.info” se Vjosa Osmani është zgjedhur sërish presidente e Kosovës nuk është i saktë.
Kuvendi nuk ka mbajtur ende seancë për zgjedhjen e presidentit dhe deri në momentin e publikimit të pretendimit, por edhe trajtimit nga Hibrid.info, nuk ka kandidat zyrtar që i ka mbledhur 30 nënshkrimet e nevojshme në Kuvend.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



