[email protected]
Mashtrim në gjuhën serbe rreth pensioneve në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një përmbajtje në gjuhën serbe që pretendon se paraqet një njoftim zyrtar, në të cilin ofrohet mundësia që të aplikoni për të marrë informata rreth pensionit të dytë shtesë që ju takon, varësisht nga mosha qe e keni.

Vegëza në formë imazhi, të cilës i është vendosur edhe logoja e Republikës së Kosovës, është publikuar sot (16 korrik), si përmbajtje e sponsorizuar nga një faqe me emrin “Ezra Hernandez” në Facebook.

E vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se përveç pensioneve që janë të rregulluara me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, në Kosovë nuk ekziston mundësia për pension të dytë.

Pse trajtohet kjo përmbajtje?

Hibrid.info ka trajtuar në disa raste përmbajtje të tilla të sponsorizuara, të cilat janë vlerësuar si mashtrime. Është hera e parë që hibrid.info ka hasur në një përmbajtje të tillë në gjuhën serbe, që publikohet në emër të insitucioneve të Republikës së Kosovës.


Vegëza e publikuar në formë imazhi nga faqja “Ezra Hernandez” në Facebook:

https://archive.is/HmSM8


Kur klikojmë në vegëzën e lartcekur, ueb-faqja e hapur shfaq tre seksione të titulluara në gjuhën angleze. Të njëjtat po ashtu pas klikimit paraqesin vegëza të ueb-faqeve të jashtme, që duket se nuk kanë asnjë lidhje me institucionet shtetërore të Kosovës (shih këtu).

Bazuar në këto premisa, hibrid.info ka hulumtuar mbi kredibilitetin e kësaj ueb-faqe. Platforma që vlerëson besueshmërinë e faqeve, “ScamAdviser.com” e cilëson ueb-faqen e mësipërme si të dyshimtë (shih këtu).

Ndërsa, fakt shtesë është edhe faqja në Facebook, e cila ka publikuar njoftimin e pretenduar, në kohështrirjen e së cilës është vërejtur numër i vogël postimesh (shih këtu).

Në këtë faqe mungojnë të dhënat rreth veprimtarisë. Krejt çka është gjetur është vend-ndodhja (Kina dhe Filipinet)  e dy prej personave të cilët menaxhojnë me këtë faqe, që rezulton të jetë hapur më 12 korrik të këtij viti (shih këtu).


Gjithashtu, të dhënat tjera të gjetura nga hibrid.info, tregojnë se i vetmi akt që rregullon financimin e pensioneve nga shteti, është “Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti” (shih këtu), kurse i vetmi institucion nga i cili qytetarët mund të njoftohen për bilancin e kursimeve pensionale, është “Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trusti” (shih këtu).


Analiza:

Përmbajtja në gjuhën serbe që pretendon se institucionet e Kosovës ofrojnë pension të dytë shtesë, nuk është e vërtetë.

Mungojnë të dhënat e faqes në Facebook e cila e ka publikuar pretendimin, ndërsa ueb-faqja e bashkangjitur publikimit është e dyshimtë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.

Arsyetimi

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »