Disa publikues në gjuhën shqipe kanë pretenduar të enjten (25 qershor) për arrestimin e teologes Ikballe Huduti.
Sipas pretendimit, arrestimi ka ndodhur në ditën kur ajo u shpall “non grata” (person i padëshiruar) në Shqipëri.
“U shpall ‘Non Grata’ nga Shqipëria, arrestohet aktivistja Ikballe Huduti”, ishte titulli dominues në këto publikime (shih këtu, këtu, këtu, këtu e këtu).

Çka nuk shkon me këto përmbajtje?
Nëpër artikuj është cituar Policia e Kosovës. Por në citat shihet qartë se bëhet fjalë për një përgjigje të vjetër, bazuar në datën e cekur aty.
Përmbajtja në disa prej këtyre artikujve:
“Pasi u shpall “non grata” nga vendi ynë, është arrestuar në Kosovë aktivistja Ikballe Huduti.
“Më datë 07.01.2020, Drejtoria Kundër Terrorizmit ne Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me PSRK-në dhe në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës. E dyshuara është sjell për intervistim në Polici dhe me urdhër te prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 (dyzet e tetë) orë, deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente”, kanë deklaruar për T7 nga policia e Kosovës.”
E në disa të tjera është thënë se “Mediat në Kosovë raportojnë se menjëherë pas deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama për ‘non grata’, është arrestuar aktivistja Ikballe Huduti”.
Një kërkim në “Google” me fjalët “arrestohet Ikballe Huduti” të orëve të fundit, dëshmon se edhe media të tjera kanë publikuar këtë pretendim, por më pas e kanë fshirë (shih këtu dhe këtu)

Pretendimi u publikua edhe në media sociale (shih këtu dhe këtu).
Një kërkim në “Google” me citatin që është përdorur në pretendimin e 25 qershorit 2026, çon në artikullin e “gazetaexpress.com” të datës 7 korrik 2020. “Ekskluzive: Arrestohet Ikballe Huduti që kërkoi hakmarrje ndaj Amerikës për shkak të vrasjes së Kasëm Sylejmanit”, është titulli i këtij artikulli.
Ndërkohë, më 26 qershor 2026, Huduti në Facebook ka publikuar një video nga momenti kur Gjykata Themelore në Prishtinë e pati liruar nga akuzat për shtytje të veprave terroriste.
Shpallja “non grata” dhe protestat në Tiranë
Një ditë më parë (25 qershor) autoritetet e Shqipërisë ia ndaluan hyrjen për 15 vjet Hudutit, duke e akuzuar si kërcënim për sigurinë e vendit, pasi ishte parë në protestat gjatë këtij muaji në Tiranë. Urdhri u nënshkrua nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Ai ka thënë se vendimi është marrë mbi bazën e informacioneve të inteligjencës (shih këtu).
Në Tiranë po protestohet prej më shumë se 20 ditësh kundër punimeve për një resort në jugperëndim të Shqipërisë. Protestuesit kanë shprehur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe kanë kërkuar hetime për pronësinë e tokës. Pas nisjes së protestave, kërkesë u bë edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama (shih këtu).
Analiza:
Publikimet që pretenduan se teologia Ikballe Huduti u arrestua më 25 qershor 2026 pas shpalljes “non grata” në Shqipëri, nuk mbështeten në fakte.
Mediat përdorën një deklaratë të vjetër të Policisë së Kosovës nga janari 2020, duke e paraqitur gabimisht si ngjarje të re.
Nuk ka dëshmi për arrestim të ri.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson publikimin në disa portale e media sociale si “të paverifikuar”.
Arsyetimi
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.