Është publikuar përmbajtje që pretendojnë të paraqesë rezultatet e një exit poll-i për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë, në ditën e zgjedhjeve parlamentare (e diel, 7 qershor) deri në orën.
Përmbajtja që pretendon se paraqet matje të publikuar nga një organizatë me emrin “Ipsos”, është publikuar në faqet në Facebook me emrat “Kosova Report” dhe “Hasi Sot”.
Çka nuk shkon me këto përmbajtje?
Këto përmbajtje janë publikuar para kohe, duke shkelur ligjin që ndalon shpërndarjen e rezultateve të exit poll-eve gjatë ditës së zgjedhjeve dhe përveç kësaj, nuk bazohen në burime të konfirmuara kredibile.
Çka janë exit pollet?
Exit poll-et janë sondazhe që bëhen duke intervistuar votuesit menjëherë pasi dalin nga vendvotimet. Për të parashikuar rezultatin e një zgjedhjeje në një qark të caktuar, zgjidhet një mostër e njësive më të vogla zgjedhore (si vendvotimet), dhe secilit vendvotim të përzgjedhur i caktohet të paktën një intervistues. Intervistuesi ndjek një sistem të paracaktuar (p.sh., çdo votuesin e tretë ose të pestë) dhe i jep një pyetësor për t’u plotësuar vetë nga votuesi, duke ruajtur privatësinë dhe konfidencialitetin (shih këtu).
Ligji në Kosovë
Sipas Nenit 88 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.
Neni 52 i këtij ligji, paragrafi 2, për Ndalimin e Përfshirjes në Media e përcakton se në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon njëzet e katër (24) orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.
–
Publikimin e një exit poll-i e ka paralajmëruar televizioni “Klan Kosova”, pas mbylljes së vendvotimeve (shih këtu).
–
Hibrid.info ka hulumtuar edhe për emrin e organizatës për të cilën pretendohet se e ka realizuar këtë matje. Ipsos është një nga kompanitë më të mëdha në botë për hulumtime të tregut, sondazhe të opinionit publik dhe analiza të konsumatorëve (shih këtu). Megjithatë, pas hulumtimit në uebfaqen e kësaj kompanie, nuk u gjet asnjë publikim lidhur me Kosovën (shih këtu).
Analiza:
Përmbajtja që pretendohet të paraqes një rezultat të një exit poll-i, nuk është e besueshme.
Exit polli i trajtuar që paraqet parashikimin për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, është publikuar para mbylljes së vendvotimeve, duke shkelur ligjin.
Ndërsa në kompaninë për të cilën është pretenduar se ka bërë matjen, nuk ka dhëna që konfirmojnë realizimin e këtij exit poll-i.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.