Shkroi: Festim Rizanaj
Nëpërmjet artikujve është pretenduar për një imazh që shfaq trupin e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, nën rrënoja pas sulmeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Izraeli.
Publikimi u bë në disa media në gjuhën shqipe më 1 mars, në faqet e tyre në Facebook, por edhe nga faqe të tjera në median sociale.
Ato kanë cituar “disa media iraniane”. Në disa raste në fund të artikujve ka qenë shënimi se “nuk dihet ende nëse foto është reale, por lajmi është bazuar në mediat e huaja”. Gjithsesi, titujt e kanë paraqitur si fakt të kryer për publikimin e fotografisë së parë të Khameneit nën rrënoja.
Përmbajtja u publikua nga: “botasot.info”, “periskopi.com”, “gazetametro.net”, “indeksonline.net”, “voxnews.al” (Threads), “korrespodenti.com”, “oranews.tv”, “veriu.info”, “kosova.info”, “tetovasot.com”, “gazeta-shqip.com”, “infoshqip.com”, “lapsi.al”, “ina-online.net”, “open-tv.mk”, “lideri.mk”, “noa.al”, “aktuale.mk”, “kosovarja-ks.com”, “albeu.com”, faqet në Facebook “Insajderi” dhe “shekulli.info”.
Cila është e vërteta?
Fotografia nuk është reale. Ajo është e gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA).
Si u gjet se fotografia është e gjeneruar me IA?
Këto media kanë përdorur një fotografi në të cilën shihen katër anëtarë të një ekipi të shpëtimit mbi disa pjesë betoni, të cilat kishin mbuluar trupin e pretenduar të Khameneit. Nën rrënoja shihet një trup, me një dorë të nxjerrë jashtë, ndërsa te fytyra fotografia është bërë e turbullt (blur).
Hibrid.info ka përdorur “Google Images” dhe përmes saj ka gjetur fotografinë pa turbullira te pjesa e fytyrës.
Nëpërmjet platformave për detektim të përmbajtjeve të gjeneruara me IA, është konstatuar se ajo nuk është reale.
Fillimisht “Hivemoderation” ka dhënë rezultatin se ajo është 99.8 për qind me gjasa e krijuar nga IA.

Nga rezultati vërehet se si burim i fotografisë është cituar “gemini3”, model i inteligjencës artificiale nga “Google”. Nëpërmjet chatbotit “gemini.google.com”, Hibrid.info ka pyetur nëse imazhi përmban vulën “SynthID”. “Gemini” ka konfirmuar se bëhet fjalë për një vulë “Synth ID” që do të thotë se e gjitha ose një pjesë e madhe e kësaj përmbajtjeje është krijuar apo modifikuar me mjetet e IA të Google-it.
Pos kësaj informate, “Gemini” si të dyshimta i ka përmendur detajet e gjymtyrëve të shfaqura në fotografi, ndriçimin që nuk përputhet me mënyrën se si bie drita mbi objekte dhe pluhurin në mjedis, por edhe anomali në strukturat e shfaqura.

Çka është “Synth ID”?
“Gemini” është asistent dhe model i avancuar i IA nga “Google”. Ai funksionon nën laboratorin “Google DeepMind”. Në hapësirën e modeleve në “Google DeepMind” shpjegohet se si këto platforma përdorin një “vulë” që nuk shihet me sy, por që vendoset qëllimisht në përmbajtje, në mënyrë që nga softuerë të ndryshëm të arrihet të shpjegohet nëse përmbajtja është gjeneruar nga platformat e IA nga Google apo jo. Kjo teknologji quhet “SynthID”.
“SynthID” vendos vula digjitale direkt në imazhet, audiot, tekstet ose videot e gjeneruara nga IA. Këto ‘vula’ janë të vendosura në të gjitha produktet e gjeneruara me AI nga Google dhe janë të padukshme për njerëzit – por mund të detektohen nga teknologjia e SynthID”, thuhet në përshkrimin e Google se si funksionon kjo teknologji.
Përmbajtja është trajtuar edhe nga fact-checker të tjerë ndërkombëtarë (shih këtu dhe këtu).
Për më shumë, Hibrid.info ka kërkuar në “Google” për lajme ndërkombëtare që mund të shfaqin “fotografinë e parë të Ali Khameneit pas vdekjes”, por kërkimi nuk çonte në burime kredibile.
Çka ka ndodhur në Iran?
Izraeli dhe SHBA kanë kryer sulme ajrore ndaj Iranit të shtunën. Ata goditën edhe kompleksin e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei. Më vonë Izraeli e SHBA-ja pretenduan për vdekjen e tij. Fillimisht Irani i mohoi pretendimet, por më 1 mars (e diel) konfirmoi vdekjen e liderit suprem dhe shpalli 40 ditë zie (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi për një fotografi që shfaq trupin e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, nën rrënoja pas sulmeve nga SHBA-ja dhe Irani, është i rremë.
Imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale, që konfirmohet nga mjetet e detektimit si “Hivemoderation” dhe nga vula “SynthID” e “Google”.
Po ashtu, nuk ka burime kredibile që e vërtetojnë autenticitetin e fotos.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim” dhe “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.



