Shkroi: Festim Rizanaj
Shërbimi në gjuhën serbe i medias ruse, “Sputnik”, ka publikuar një artikull me pretendimin se fushata parazgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti, është e lidhur me idenë e “Shqipërisë së Madhe”.
Artikulli i mediumit rus në gjuhën serbe mban titullin: “Fushata parazgjedhore e Vetëvendosjes: Kurti ‘përqafon’ flamurin e Shqipërisë së Madhe”.

Ky artikull e interpreton shfaqjen e simboleve kombëtare shqiptare gjatë aktiviteteve të fushatës si një “përqafim” të kësaj ideje nga Kurti.
Megjithatë, nuk ofrohet asnjë provë që fushata e Kurtit lidhet me idenë e “Shqipërisë së Madhe” dhe, gjatë gjithë fushatës, ai nuk ka përmendur asnjëherë bashkimin kombëtar.
Si u ndërlidh kjo narrativë?
Kjo narrativë nisi me raportimet e mediave që pretendonin se në një miting të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e Jugut ishin të pranishme flamuj të Shqipërisë, ndërsa përmendej edhe një flamur që, medium në fjalë e identifion si, simbol të “Shqipërisë së Madhe”. Bëhet fjalë për flamurin që paraqet kufijtë etnikë të shqiptarëve dhe përmban imazhet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Ky flamur u bë i njohur për herë të parë gjatë ndeshjes futbollistike mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, në vitin 2014. Incidentet dhe tensionet që u shkaktuan nga ndeshja, kaluan në tensione më të mëdha politike dhe etnike.
Duke u mbështetur në këtë simbol, disa media serbe (këtu, këtu) kanë përforcuar narrativën që përpiqet ta lidhë fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje me idenë e “Shqipërisë së Madhe”, megjithëse nuk ka dëshmi që lidhen drejtpërdrejt me këtë flamur gjatë aktiviteteve të fushatës së fundit.
Tubimi elektoral në Mitrovicë
Më 12 janar 2025, në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje organizoi një tubim elektoral në qytetin e Mitrovicës. Gjatë këtij tubimi, ndër simbolet e pranishme, u pa edhe flamuri i përmendur më herët, për të cilin mediat serbe raportuan duke e ndërlidhur me narrativin e “Shqipërisë së Madhe”.
Gjatë fjalimit në tubimin elektoral, Kurti nuk e përmendi në asnjë moment “Shqipërinë e Madhe” apo bashkimin kombëtar. (këtu)
Ndër të tjera, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në tubimin elektoral, ka kritikuar partitë që kanë udhëhequr në të kaluarën dhe ka përmendur, sipas tij, arritjet e Qeverisë Kurti në Mitrovicën e Veriut gjatë katër vjetëve të qeverisjes.
“Kemi shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa ata për 8 vite. Për çdo vit ia kemi shtuar ekonomisë nga 1 miliard euro, ndërsa atyre iu duheshin tre vite për të arritur 1 miliard. Për rritjen ekonomike jemi tri herë më të shpejtë se ata, dhe për punësim katër herë më të shpejtë. Ne punojmë më shumë, ne ecim më shpejt”, tha Kurti.
Ai shtoi se në veri të Mitrovicës “nuk ka më dhe nuk do të ketë më kurrë sundim të bandave kriminale, qarkullim të targave ilegale, ngritje të barrikadave dhe prodhim të kriptovalutave”.
Narrativi i “Shqipërisë së Madhe” shpesh përdoret nga mediat në gjuhën serbe dhe zyrtarët serbë për të kritikuar apo portretizuar si kërcënim çdo ngjarje, festë apo iniciativë që ata interpretojnë si një përpjekje për bashkimin e territoreve shqiptare në një shtet të vetëm. Ky narrativ shfaqet veçanërisht në kontekste që lidhen me simbolet dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Për më tepër, ky narrativ është shpesh i pranishëm gjatë ngjarjeve që simbolizojnë forcimin e lidhjeve shqiptaro-shqiptare, si festa kombëtare, përkujtimore dhe takime zyrtare që kanë si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në rajon. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)