info@hibrid.info
Ndërlidhet pa fakte hyrja e gabuar e FSK-së në veri me zgjedhjet në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një deklarate në media sociale, Lista Serbe ka pretenduar se hyrja e një konvoji të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicë të Veriut të enjten (16 tetor) ka qenë e qëllimshme, dhe ka pasur lidhje me çështjen e zgjedhjeve.

Ndërkohë në një komunikatë të publikuar në disa media në gjuhën serbe, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është thënë se “Kurti po ngre armët në veri të Kosovës pas debaklit të tij në zgjedhjet lokale dhe fitores së fuqishme të Listës Serbe, sidomos në veri”.

Çka nuk shkon me këto deklarata?

Asnjëra prej tyre nuk janë të bazuara në fakte. FSK-ja dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar se bëhet fjalë për hyrje të gabuar e më pas edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se kjo i është thënë edhe në një bisedë që komandanti i KFOR-it ka zhvilluar me komandantin e FSK-së.


Çka thanë Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë?

Në një shkrim në Instagram, Lista Serbe, që është subjekti më i madh politik nga radhët e komunitetit serb në Kosovë, ka thënë se hyrja e pjesëtarëve të FSK-së në Mitrovicë të Veriut ka ndodhur pa miratimin e komandantit të KFOR-it dhe sipas saj hyrja ka shkaktuar shqetësim te populli serb dhe ka rritur tensionet.

Pjesë nga komunikata (përkthyer në shqip):

“Ky veprim përfaqëson një provokim të rrezikshëm dhe të qëllimshëm, që synon destabilizimin e situatës në terren dhe shkaktimin e frikës e pasigurisë në mesin e popullit serb.
Kërkojmë nga KFOR-i që të forcojë vigjilencën dhe praninë e forcave të tij në të gjitha mjediset serbe në veri, me qëllim që të parandalohen përpjekjet e reja për veprime të njëanshme dhe të mbrohet paqja e siguria e të gjithë qytetarëve.
Është e qartë se regjimi në largim në Prishtinë, në këtë mënyrë, po përpiqet të shkaktojë tensione dhe konflikte, për të devijuar vëmendjen e opinionit publik nga dështimet e veta dhe për të ngritur pozitën e lëkundur politike në mesin e votuesve të vet”.


Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar artikuj me pretendimin se Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në një komunikatë për media ka ndërlidhur futjen e FSK-së në veri me “dështimin e Kurtit në zgjedhje”.

Pjesë nga artikulli (përkthyer në shqip):

“Kurti i dërgoi forcat e FSK-së një ditë pas vizitës së Ursula von der Leyen, e cila kërkoi nga Prishtina që urgjentisht ta depërshkallëzojë situatën në provincë, duke bërë kështu edhe njëherë një veprim përshkallëzues, duke injoruar kërkesën e Bashkimit Evropian dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Kurti po ngre armët në veri të Kosovës dhe Metohisë pas debaklit të tij në zgjedhjet lokale dhe fitores së fuqishme të Listës Serbe, veçanërisht në veri, duke dërguar kështu mesazhin se ai nuk dëshiron as paqe, as bashkëjetesë, por një persekutim të ri ndaj serbëve”.

Pretendimet u publikuan në disa media (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Në asnjërin rast, as Lista Serbe e as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk kanë përmendur ndonjë fakt se hyrja e këtij konvoji të FSK-së në veri ka qenë e qëllimshme.


Gjatë të enjtes, Policia dhe FSK-ja konfirmuan se për disa minuta, disa makina të FSK-së kishin qëndruar në Mitrovicë të Veriut. Të dyja institucionet thanë se trupat e FSK-së kanë ngatërruar rrugën, ndërsa KFOR-i më vonë tha se i pranon deklaratat e bëra nga Policia dhe FSK-ja. (Shih këtu)

Dislokimi i FSK-së në veri është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it, bazuar në një zotim të vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës. Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. (Shih këtu)

Në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë”, KFOR-i të enjten ka thënë se e mirëpret respektimin nga autoritetet e Kosovës të marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të FSK-së në veri të vendit. (shih këtu)


Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë u mbajt të dielën (12 tetor). Në katër komunat në veriun e banuar me shumicë serbe fitoi pa balotazh Lista Serbe, bazuar në rezultatet nga Qendrat Komunale të Numërimit të publikuara në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Analiza:

Subjekti politik, Lista Serbe, dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e kanë cilësuar të qëllimshme hyrjen e një konvoji të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës të enjten. Sipas tyre, kjo është bërë me qëllim për të shkaktuar tensione. Ata e kanë ndërlidhur këtë edhe me emrin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe situatën politike në kohën e zgjedhjeve.

Megjithatë, vetë FSK-ja dhe Policia e Kosovës gjatë ditës kanë bërë të qartë se bëhet fjalë për një ngatërrim të rrugës nga konvoji. E edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se i pranon deklaratat e këtyre autoriteteve.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “teori konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others