Shkroi: Fatbardh Dema
Një publikim i prezantuar si sondazh, është paraqitur së fundmi në rrjetin social TikTok, i cili pretendon se paraqet të dhëna për subjektet politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, dhe se kinse të dhënat përfshijnë edhe diasporën.
Ky sondazh u gjet i publikuar në TikTok nga llogaritë “kombi.shqiptar” dhe “casper_boy3” me datë 28 dhjetor.
Përmbajtja i rendit partitë politike si vijon: VV: 69.4%, PDK: 10.1%, LDK: 6.9%, AAK/Nisma: 3.3% dhe LS: 2.3%.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur se një sondazh i tillë është publikuar nga burime kredibile.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës online të kërkimit “Google”, duke kërkuar me fjalët kyçe “VV: 69.4%, PDK: 10.1%, LDK: 6.9%, AAK/Nisma: 3.3% dhe LS: 2.3%”. Mirëpo, rezultatet nuk shfaqin një sondazh të tillë të publikuar.
Po ashtu, publikimi që pretendon se paraqet një sondazh, nuk përmend asnjë burim.
Rreth sondazheve
Sondazhi i fundit (17 dhjetor) që u qarkulloi në media ishte nga kompania “UBO Consulting”, e cila sqaroi se sondazhi për partitë politike është bërë nga shërbimi OMNIBUS.
Të dhënat e këtij sondazhi paraqesin përqindje tjera nga ato të paraqitura nga llogaritë e lartcekura në TikTok. (shih fotografinë më poshtë)

Analiza:
Pretendimi se më 28 dhjetor u publikua një sondazh lidhur me subjektet politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, është i rremë.
Hibrid.info nuk ka gjetur se sondazhi i pretenduar është realizuar nga ndonjë kompani. Po ashtu, pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, një sondazh i tillë me të këto të dhëna nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.