“Pasi u formua ligji për konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme, Qeveria e Kosovës pritet të ia konfiskojë 2 vilat luksoze presidentes Vjosa Osmani në Marigona Hill, të cilat kanë vlerë marramendëse ku e njëjta nuk i ka deklaruar se me çfar biznese ka arritur ti blejë ato, kurse në pronësi të presidentes është edhe një vilë luksoze në Australi e cila e ka vlerën e 500.000 eurove, pra qeveria e Kosovës po hulumton të ardhurat marramendëse të presidentes e cila ka kapital miliona euro të pa deklaruara.”
Ky pretendim është publikuar me anë të një mbishkrimi, në një postim të publikuar të premten (3 prill) në Facebook nga llogaria me emrin “Lajme Nga Bota”.
E vërteta?
Pretendimi është i rremë sepse Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ende nuk është në fuqi dhe nuk ka asnjë proces real verifikimi apo konfiskimi të pasurisë së ish-presidentes Osmani.

Llogaria që ka publikuar pretendimin ka mbi 10 mijë ndjekës. Hibrid.info ka trajtuar në disa raste përmbajtjet e publikuara nga kjo llogari (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Fillimisht është kontrolluar përmes “Google”, motor i kërkimit, nëse ky pretendim është publikuar nga burime tjera, por rezultatet nuk kanë treguar ndonjë publikim të tillë në media apo publikues të tjerë (shih këtu).
Më pas, hibrid.info hulumtoi nëpërmjet “Google”, për pretendimet brenda kësaj përmbajtje veç e veç. Nga kërkimi për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë, u gjetën artikuj që informonin se Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, javën e kaluar (shih këtu).
Madje, është hasur edhe një video-material, ku Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, gjatë fjalës në Kuvendin e Kosovës (2 prill), kërkonte miratimin e këtij ligji (shih këtu).
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Qeveria është një ndër institucionet e vendit, që mund të marrë nismë për të propozuar ligje, ndërsa Kuvendi i Kosovës është institucioni që miraton Ligjet. Ligji konsiderohet i shpallur, pas nënshkrimit nga presidenti (Neni 79 dhe 80).
Çka tregon se ky ligj ende nuk është fuqi.
Në kontrollimin për gjetjen e fakteve për pasurinë e Vjosa Osmanit, janë gjetur artikuj ku tregohej se në deklarimin e pasurisë në vitin 2025, Osmani kishtë raportuar se zotëron një banesë, garazh kolektive, shtëpi në Australi, tokë, një banim dhe një banim në Australi. Për të gjitha këto prona, Osmani në deklarim ka arsyetur mënyrën e blerjes së tyre (shih këtu dhe këtu).
Fotografia e deklarimit të pasurisë së Vjosa Osmanit në vitin 2025

Në artikujt e hasur për këtë çështje janë edhe disa që raportonin se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) më 6 janar të këtij viti kishte nisur hetimet ndaj Osmanit, pas dallimeve të vërejtura në deklarimet e saj të pasurisë për vitet 2024 dhe 2025 (shih këtu). Më 12 janar, i njëjti institucion njoftoi se hetimet kanë përfunduar dhe se nuk është gjetur mospërputhje në deklarimin e pasurisë së presidentes Vjosa Osmani (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se Qeveria e Kosovës do t’i konfiskojë pronat e ish-presidentes Vjosa Osmani për shkak se ajo nuk ka arsyetuar burimin e tyre financiar, është i rremë.
Ligji për për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ende nuk është në fuqi.
Ndërsa, deklarimet zyrtare të pasurisë së Osmanit tregojnë se të gjitha pronat e saj të deklaruara, kanë edhe arsyetimin e burimit financiar. Gjithashtu, hetimet nga AKK nuk kanë gjetur mospërputhje.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.