Shkroi: Etrit Rexhepi
Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, gjatë fushatës zgjedhore janë identifikuar keqinformata që lidhen me këtë proces. Një formë e theksuar e përmbajtjeve të pasakta që po qarkullojnë në hapësirën digjitale gjatë kësaj periudhe, janë sondazhet e rreme që pretendojnë të tregojnë mbështetjen për kandidatët në disa komuna të vendit. Që nga fillimi i fushatës, hibrid.info ka hasur, trajtuar dhe vlerësuar shtatë sondazhe të publikuara në gjashtë artikuj. Përmbajtjet janë publikuar nga burime jashtë mediave në rrjetete sociale (TikTok dhe Facebook), me shifra kontradiktore dhe shpesh të manipuluara vizualisht.
Çka është sondazhi?
Sondazhet janë një metodë shkencore për matjen e mendimeve dhe qëndrimeve të publikut. Ato zakonisht përfshijnë një grup të vogël njerëzish të zgjedhur në mënyrë përfaqësuese nga një popullsi më e madhe, të cilëve u bëhen të njëjtat pyetje. Përmes këtij procesi, përgjigjet e tyre mund të japin një pasqyrë të mendimeve dhe përvojave të gjithë grupit më të madh. Sondazhet përdoren për të kuptuar qëndrimet mbi çështje të ndryshme, për të vlerësuar perceptimet e qytetarëve mbi politikat dhe kandidatët, ose për të mbledhur informacion për tregun dhe shërbimet. Ato ndihmojnë gjithashtu në sigurimin e një burimi të pavarur informacioni mbi publikun, duke e bërë të mundur që zëri i grupeve të ndryshme të popullsisë të dëgjohet në mënyrë të drejtë dhe të balancuar.
Sondazhi i parë i rremë i publikuar dhe i trajtuar (15 shtator) bënte fjalë për komunën e Kaçanikut. Llogaria “kaqaniku.press” publikoi një tabelë ku kryesonte Heset Malsiu si kandidat i pavarur me 36%, i ndjekur nga Jeton Raka dhe Sabedin Vishi. Ky publikim përmbante gabime drejtshkrimore, nuk citonte burime kredibile dhe nuk u gjet në asnjë media serioze, duke u vërtetuar si i rremë (shih këtu).

Tre ditë më vonë (18 shtator) një tjetër përmbajtje e publikuar nga llogaria “deqanisot” në TikTok pretendonte se mbi 16 mijë persona kishin marrë pjesë në një sondazh për kandidatët e komunës së Deçanit, ndonëse në mbishkrim thuhej se ishin vetëm 1 mijë. Këto kontradikta dhe mungesa e transparencës mbi autorin e matjes e bënin këtë publikim tërësisht të pabazë (shih këtu).

Rasti i tretë i publikimit të sondazhit të rremë kishte cak zgjedhjet për kryetar komune në Podujevë. Në TikTok u shpërnda një material që i atribuohej “Institutit Polis”, sipas të cilit Shpejtim Bulliqi, kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), printe me 57.1%, i pasuar nga Ekrem Hyseni i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me 27.9% dhe Isak Shabani nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me 11.4%. Verifikimi tregoi se ky sondazh nuk ekziston, ndërsa grafika ishte manipuluar, pasi përqindjet nuk përputheshin me përfaqësimin vizual (shih këtu).

Gjakova ishte një nga komunat me numrin më të madh të banorëve në komunat ku janë identifikuar sondazhe të rreme të publikuara. Faqja me emrin “Universal” publikoi një postim, duke iu referuar një “instituti SDSG” si autor të një sondazhi që nxirrte Ardian Gjinin, kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), fitues në Gjakovë. Hulumtimi tregoi se SDSG ekziston si organizatë në SHBA, por merret me energjinë e qëndrueshme dhe jo me matje të opinionit publik (shih këtu).

Ngjashëm u trajtuan dy postime me pretendimin se sondazhet e fundit nxirrnin fitues pa balotazh Agim Aliun e PDK-së në Ferizaj dhe Imri Ahmetin nga LDK-ja në Lipjan. Përmbajtjet u shpërndanë nga një faqe me emrin “Kosova e Re” në Facebook. Asnjë nga këto të dhëna nuk figuron në burime kredibile, ndërsa mungonte çdo informacion mbi metodologjinë dhe mostrat e përdorura (shih këtu).
Sondazhi i fundit i pretenduar, që u trajtua nga hibrid.info ishte një publikim (29 shtator) në Facebook, nga faqja “Anamorava Lajm” ku që pretendohej të paraqitej mbështetja për kandidatët e Vitisë, me pjesëmarrjen e 1305 qytetarëve në 19 lokalitete. Sipas postimit, kryesonte Arsim Ademi (LVV) me 39.46%, pasuar nga Sokol Haliti (LDK) me 37.55%, Bekim Azizi (PDK) me 15.33% dhe Labinot Bislimi (AAK) me 7.66%. Megjithatë, faqja nuk është një institucion profesional për sondazhe, ndërkohë që mungojnë të dhëna të qarta mbi metodologjinë, kohën e realizimit dhe periudhën e matjes. Për më tepër, postime të mëparshme nga e njëjta faqe përmbanin të dhëna kontradiktore për numrin e lokaliteteve dhe pjesëmarrësve. Bazuar në këto elemente, ky sondazh nuk mund të konsiderohet kredibil dhe hibrid.info e vlerëson si “Dezinformatë” (shih këtu).
Rastet e këtyre sondazheve të pretenduara kanë si element të përbashkët mungesën e burimeve kredibile, transparencës dhe metodologjisë. Shumë prej tyre përmbajnë shifra kontradiktore, manipulime vizuale ose referenca të sajuara ndaj instituteve që nuk merren me sondazhe.
Bazuar në metodologjinë e punës, përveç sondazhit të fundit të trajtuar, hibrid.info i ka vlerësuar këto publikime si “Lajme të rreme”
Sondazhe të rreme si formë e manipulimit të opinionit në media sociale ishin detektuar edhe gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti. Në këtë periudhë, hibrid.info kishte verifikuar 36 sondazhe të rreme. Para fillimit të fushatës zgjedhore, hibrid.info kishte paralajmëruar lexuesit për rreziqet e informacionit të pasaktë që mund të publikohet gjatë kësaj kohe, duke përmendur edhe sondazhet e rreme si një nga format e përmbajtjeve keqinformuese.