[email protected]
Nuk është marr ndonjë vendim për pezullimin e vizave për Kosovën
shape
shape
shape

Mediumi “NTV Televizion” ka publikuar më datë 24 gusht, një video-material, kronika e së cilës është titulluar “Pezullim vizash për Kosovën dhe Serbinë”.

Ndërsa nëntitulli i po kësaj kronike vijon me: “Bisevac: Vendimi i BE-së është plotësisht i saktë, të përmbushen detyrimet

Hibrid.info ka gjetur se titulli i kronikës dhe nëntitulli lënë të nënkuptojë se Bashkimi Evropian ka pezulluar vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.


Vegëza e video-materialit të “NTV Televizion” të publikuar në Facebook:

https://www.facebook.com/fokuspressofficial/videos/1361287414741108


E njëjta kronikë është publikuar edhe në kanalin zyrtar të Youtube, të “NTV Televizion”. (shih këtu)


Hibrid.info ka arritur të gjejë një artikull të portalit informativ “botasot.info”, në bazë të së cilës është ndërtuar raporti i “NTV Televizion” i shfaqur me anë të video-materialit në Facebook. (shih këtu)

Artikulli i “botasot.info” bazohet në disa deklarime të Milija Bisevac, aktivist politik në Zubin Potok i cili është shprehur se nëse do të ketë lëvizje të njëanshme mund të ketë pasoja për Kosovën dhe Serbinë dhe një prej pasojave sipas tij, është pezullimi i vendimit të vizave për Kosovën.

Ai po ashtu i vlerëson si të sakta vendimet e BE-së, në lidhje me masat në raport me Kosovën.


Deklaratat e Milija Bisevac:

“Vendimi i BE-së është plotësisht i saktë sepse marrëveshjet ndërkombëtare dhe detyrimet e marra duhet të përmbushen plotësisht. Çdo përmbushje selektive ose e pjesshme e asaj që është rënë dakord, çon në disa probleme të reja, konflikte dhe përshkallëzim, dhe kjo është aktualisht më pak e nevojshme. Më saktësisht, këto ngjarje janë rezultat i asaj që është rënë dakord por nuk është zbatuar”

“Pas të gjitha ngjarjeve, përfaqësuesit e BE-së e kuptuan se nëse kjo krizë vazhdon, ne do të kthehemi dhjetë vjet mbrapa dhe do të jemi shumë më larg nga Bashkimi Evropian, drejt të cilit të gjitha vendet e rajonit përpiqen për anëtarësim. Nëse vazhdon me lëvizje të njëanshme dhe shmangien e zbatimit të gjithçkaje që është nënshkruar, sigurisht që mund të ketë pasoja edhe më të mëdha për Beogradin dhe Prishtinën, dhe pasojat do t’i vuajnë vetë qytetarët. Kam frikë se kjo mund të çojë edhe në pezullimin e vendimit për anulimin e vizave”


Hibrid.info ka vërtetuar se mos-specifikimi i titulli të raportit të “NTV Televizion” si deklarim, mund t’i bëjë lexuesit të mendojnë se bëhet fjalë për pezullim të vendimit për viza.

Po ashtu hibrid.info ka gjetur se nëntitulli i vendosur në po këtë raport është nxjerrë nga konteksti i një deklarimi tjetër që nuk ka të bëjë me atë që shkruhet në titullin e raportit të mediumit në fjalë.  


Analiza:

Mediumi “NTV Televizion” ka publikuar një video-material, ku pasqyrohet një raport me titull që pretendon se do të ketë pezullim të vendimit për viza.

Titullit i është bashkangjitur edhe një nëntitull në të cilin jepet deklarata e Milija Bisevac, aktivist politik serb, i cili e cilëson të saktë këtë vendim.

Hibrid.info ka gjetur se në të dy rastet kemi të bëjmë me deklarime të aktivistit serb, të ndërthurura në mënyrë që lexuesi të keq-kuptojë se bëhet fjalë për pezullim të vendimit për viza, për Kosovën.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others