Të fundit | Haziri nuk ka folur për koalicion LDK-VV Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026
[ ARTIKULLI ]

Paraqitet e paplotë deklarata e Besian Mustafës për qëndrimin e LDK-së në sallë për zgjedhjen e presidentit

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh ku shihet Besian Mustafa, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputet i kësaj partie, me pretendimin se ai ka deklaruar që partia e tij nuk do të qëndrojë në sallë të Kuvendit, gjatë zgjedhjes së presidentit të vendit.

Kjo përmbajtje është publikuar të premten (20 shkurt) nga një faqe në Facebook, me emrin “Gazeta Minuti”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Deklarata e Mustafës në këtë përmbajtje nuk është paraqitur e plotë.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit Google, duke përdorur fjalët kyçe “besian mustafa” dhe duke e kufizuar kërkimin për publikimet e javës së fundit (shih këtu).

Rezultatet e kërkimit kanë shfaqur një artikull të publikuar nga mediumi “gazetablic.com”, me titullin “Çështja e Presidentit, Mustafa: ‘Nuk do të qëndrojmë në sallë pa marrëveshje’” (shih këtu).

Në këtë artikull sqarohet se Mustafa këtë deklarim e ka bërë në një intervistë në emisionin televiziv “DPT te Fidani”, që transmetohet në televizionin “Klan Kosova”.


Hibrid.info ka hulumtuar në platformën e publikimit të videove, “Youtube” dhe ka gjetur në kanalin zyrtar të televizionit “Klan Kosova” intervistën e Mustafës për këtë emision, që u publikua të premten (20 shkurt) (shih këtu).

Nga ky emision është shkëkputur edhe një tjetër video-material me titullin “’Nuk do të qëndrojmë në sallë pa marrëveshje’ – Mustafa për presidentin” (shih këtu).

Informacioni i paraqitur në titullin e kësaj videoje përputhet me atë që ka artikulli i “gazetablic.com”. Pas kontrollit të videos, është konfirmuar se Mustafa ka bërë deklaratën që paraqitet në titullin e saj.

Në video dëgjohet dhe shihet se Mustafa thotë: “Parimisht nuk do të duhej të qëndronim në një sallë pa marrëveshje politike; pra, me marrëveshje politike nënkuptojmë që ulemi, flasim për parimet dhe për emrat” (shih këtu).


Kjo nënkupton se në përmbajtjen e trajtuar, qëndrimi i Mustafës është paraqitur si i drejtpërdrejtë dhe si fakt i kryer, pa u sqaruar se pohimi i tij në të vërtetë është i kushtëzuar nga ekzistenca e një marrëveshjeje politike.

Paraqitja e qëndrimit në këtë formë, si deklaratë e prerë dhe e pakushtëzuar, mund të ndikojë në perceptimin e lexuesve, duke krijuar përshtypjen e një vendimi tashmë të marrë nga ky subjekt politik për të mos marrë pjesë në votimin për presidentin.

Kjo konfirmohet edhe në përmbajtjet e komenteve në postim, në të të cilat vërehet se lexuesit mund ta përceptojnë pretendimin si një vendim të përfundimtar e të pakthyeshëm të LDK-së.


Për shkak se Mustafa ka paraqitur qëndrim në emër të subjektit që përfaqëson, hibrid.info ka hulumtuar tutje për të gjetur burime tjera që do të mund të konfirmonin këtë qëndrim të LDK-së.

Hibrid.info gjeti një artikull të publikuar në portalin “dukagjini.com”, ku është publikuar një artikull që ka raportuar një deklaratë të Lumir Abdixhikut, kryetarit të LDK-së, dhënë në një intervistë për televizionin e këtij portali (shih këtu).

Nga ky artikull konfirmohet qëndrimi i LDK-së për insistimin e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.


Mandati i presidents Vjosa Osmani përfundon në prill të këtij viti. Neni 4 i Ligjit të Presidentit, specifikon se secili shtetas i Republikës së Kosovës, që plotëson kriteret e parapara në po këtë ligj, duke siguruar nënshkrimet e të paktën tridhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës. Deputetët mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës (shih këtu).

Neni 86 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Kosovës (shih këtu).

Rregullorja e Kuvendit, në pikë 5 të Nenit 106, thotë se për të qenë i vlefshëm votimi i parë dhe i dytë, duhet të marrin pjesë në votim të paktën 80 deputetë, ndërsa në votimin e tretë duhet të marrin pjesë të paktën 61 deputetë (shih këtu).

Në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, subjektet politike shqiptare që morën ulëse në Kuvendin e Kosovës janë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me gjithsej gjashtë (shih këtu). Si rrjedhojë, zgjedhja e presidentit pas përfundimit të mandatit të Osmanit, nuk do të mund të arrihet vetëm me votat e njërit subjekt politik në kuvend.

Analiza:

Në një postim në Facebook është pretenduar se zëdhënësi dhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa është shprehur se partia e tij nuk do të qëndrojë në sallë të Kuvendit gjatë zgjedhjes së presidentit të vendit.

Por, pas verifikimit të burimeve mediatike dhe të deklarimeve publike të Mustafës, hibrid.info ka gjetur se Mustafa ka thënë: “Parimisht nuk do të duhej të qëndronim në një sallë pa marrëveshje politike; pra, me marrëveshje politike nënkuptojmë që ulemi, flasim për parimet dhe për emrat”.

Kjo tregon se Mustafa në deklaratën e tij, pjesëmarrjen e LDK-së në votimin për president e ka kushtëzuar me arritjen e një marrëveshjeje politike paraprake.

Përmbajtja e trajtuar e postimit në Facebook e ka paraqitur këtë qëndrim si një vendim të prerë dhe të pakushtëzuar, gjë që mund të krijojë përshtypjen e gabuar te lexuesit se LDK-ja ka vendosur tashmë të mos marrë pjesë në votim.

Gjithashtu në qëndrimet publike, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se pjesëmarrja e LDK-së në procesin e zgjedhjes së presidentit është e lidhur me arritjen e një marrëveshjeje politike.

Për këto arsye, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen e trajtuar si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere