info@hibrid.info
Pretendim i gabuar se sivjet pati rreth 1500 foshnje më pak të lindura se më 2024 në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një artikull i titulluar “Trendi shqetësues: Rreth 1500 foshnje më pak këtë vit”.

Kjo përmbajtje është publikuar të dielën (30 nëntor) nga mediumi “klankosova.tv”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Hibrid.info ka gjetur se pretendimi për rreth 1500 foshnje më pak të lindura, ka ardhur pas krahasimit të periudhave jo të njëjta kohore.

Artikulli i njëjtë është publikuar nga mediat tjera si: “gazetaexpress.com”, “indeksonline.net”, “insajderi.org”, “gazetablic.com” dhe “kosova.info”.

Teksti përmban një video të kronikës, e cila është transmetuar në edicionin e lajmeve të televizionit “Klan Kosova”.


Hyrja e përmbajtjes së transkriptuar nga videoja:

“Regjistri i lindjeve këtë vit është më i varfër me emra. Gjatë 2025-tës në jetë erdhën 20,940, që është shifër më e ulët, për 1478 se vitin paraprak, për periudhën Janar-Tetor”.

Hibrid.info ka hulumtuar në uebfaqen e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ku publikohen të dhënat e lindjeve në Kosovë në baza mujore. Nga gjetjet del se të dhënat e fundit që kjo agjenci ka publikuar janë të muajit shtator, njoftim i cili është bërë përmes një komunikate të publikuar më 14 nëntor (shih këtu).

Pas përllogaritjes individuale dhe me anë të ChatGPT (ChatGPT është një chatbot me inteligjencë artificiale gjeneruese i zhvilluar nga OpenAI), është gjetur se totali i numrit të lindjeve në Kosovë janar – shtator për vitin 2025, është 20,940, ashtu si potencohet në përmbajtjen e trajtuar nga mediumi në fjalë.


Megjithatë, hibrid.info vërejti se periudha krahasimore ndërmjet vitit 2025 dhe 2024, nuk është e njëjtë, pasi në të dhënat për vitin 2024 janë përfshirë statistikat e lindjeve për muajin tetor, të dhëna të cilat mungojnë në vitin aktual.

Duke llogaritur lindjet deri në muajin tetor, për vitin 2024 janë regjistruar 22,418 lindje (1478 më shumë se në vitin 2025, shih këtu).


Por, pas llogaritjes së lindjeve në periudhën janar-shtator të vitit 2024, rezulton se numri total është 20,051, që është më i ulët se e njëjta periudhë e vitit 2025 (889 më pak, shih këtu).


Kjo do të thotë se, meqë nuk janë krahasuar të njëjtat periudha (janar–shtator) të dy viteve, pretendimi se në vitin 2025 ka 1500 foshnje më pak se vitin e kaluar është i pasaktë.

Analiza:

Pretendimi se në vitin 2025 janë 1500 foshnje më pak të lindura në krahasim me 2024, është i pasaktë.

Statistikat për vitin 2024 përfshijnë të dhënat për periudhën janar-tetor (dhjetë muaj), në krahasim me vitin 2025 ku të dhënat janë paraqitur për periudhën janar-shtator (nëntë muaj).

Pas krahasimit të periudhës së njëjtë të të dy viteve, rezulton se numri i lindjeve në vitin 2025 është rritur për 889.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Gabim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others

Leave a Reply