Shkroi: Festim Rizanaj
Tre persona, një shqiptar dhe dy serbë, janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri të martën pas mesnate në një lokal në Deçan.
Për këtë rast, policia ka arrestuar një të dyshuar, shqiptar i Kosovës, ka sekuestruar armën dhe ka nisur hetimet për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “lëndim të rëndë trupor”.
Por, ky rast është interpretuar pa bazë nga subjekti politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, si dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, si i motivuar etnikisht, duke e lidhur atë me, sipas tyre, “vite të tëra të ndërtimit të një atmosfere anti-serbe të promovuar nga ‘regjimi në Prishtinë’, përmes paraqitjeve publike, mesazheve politike dhe mungesës së përgjegjësisë për sulmet ndaj serbëve”.
Çka ndodhi në Deçan
Të martën rreth orës 00:18, tre persona – dy serbë dhe një shqiptar – janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një lokal në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan. Dy të plagosurit (një serb dhe një shqiptar) po trajtohen në QKUK, ndërsa i treti, nga komuniteti serb, në Spitalin e Pejës.
Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha: “Policia e Deçanit është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal. Njësitet kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë vërejtur tre persona të plagosur, një i komunitetit shqiptar e dy serbë”. Ai potencoi se i dyshuari është arrestuar në vendngjarje, të cilit tha se i është sekuestruar arma dhe municioni, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. (këtu)
Sa i përket motiveve të ngjarjes, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ato ende nuk dihen, ndërsa njësitet policore u tha se janë duke punuar në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në incident.
Reagimet nga institucionet dhe zyrtarët serbë: Sulmi i motivuar etnikisht si pjesë e dhunës së vazhdueshme ndaj serbëve të Kosovës
Reagimet e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe të Listës Serbe e paraqesin incidentin në Deçan si një sulm të motivuar etnikisht, duke e lidhur atë me, sipas tyre, kërcënimin e vazhdueshëm ndaj serbëve dhe një “politike të rrezikshme” të institucioneve të Kosovës. Në këto reagime pretendohet se rasti është pasojë e një atmosfere anti-serbe të ndërtuar ndër vite nga institucionet në Prishtinë, përmes mesazheve politike dhe mungesës së përgjegjësisë për sulmet ndaj komunitetit serb.
Sipas Zyrës për Kosovë në Qeverinë Serbe dhe partisë Lista Serbe, dy serbët ata janë qëlluar “vetëm sepse ishin serbë”, si dhe duke i cilësuar viktimat si serbë të zhvendosur që nga viti 1999. (këtu)

Lista Serbe ka deklaruar se “ky sulm tregon se serbët në Kosovë janë të ekspozuar ndaj një kërcënimi të vazhdueshëm dhe se dhuna ndaj tyre nuk është më përjashtim, por pasojë e një politike të rrezikshme që zbatohet sistematikisht”. (këtu)

Krahas reagimeve të Zyrës për Kosovën dhe Listës Serbe, edhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, e dënoi ashpër ngjarjen në Deçan, duke e cilësuar atë si “të motivuar etnikisht” dhe jo si një incident të izoluar. Ai theksoi se rasti është pjesë e, sipas tij, “dhunës së vazhdueshme ndaj serbëve” në Kosovë dhe se misionet ndërkombëtare me mandat për paqe dhe siguri në Kosovë kanë detyrim të mbrojnë popullsinë serbe. (këtu)

Reagimet e zyrtarëve dhe institucioneve serbe lidhur me sulmin në Deçan janë raportuar gjerësisht edhe në mediat në gjuhën serbe. Në këto raportime u theksua interpretimi se incidenti ishte i motivuar etnikisht, gjoja si pjesë e një serie të dhunës dhe kërcënimesh ndaj serbëve në Kosovë, dhe u përmendën deklaratat e Listës Serbe, Zyrës për Kosovën dhe ministrit të Drejtësisë Nenad Vujiq, duke i paraqitur ato si shqetësim për sigurinë dhe të drejtat e komunitetit serb. (këtu, këtu, këtu)
Ndërkaq, nga vetë institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend, motivi i sulmit nuk është përcaktuar ende.
Analiza:
Në incidentin e të shtënave në Deçan u plagosën tre persona, një shqiptar dhe dy serbë.
Për këtë rast është deklaruar Policia e Kosovës, sikurse edhe Prokuroria, të cilat kanë thënë se motivet e këtij rasti nuk dihen.
Megjithatë, zyrtarët dhe institucionet serbe e interpretuan pa bazë si një sulm të motivuar etnikisht dhe pasojë të një “politike anti-serbe” të Kosovës.
Prandaj, në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “Teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.






