Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen përmbajtje ku pretendohet se së shpejti në Kosovë do të arrijnë kundërajrorë “Korkut 8×8” te blerë nga Turqia.
Këto përmbajtje janë publikuar të shtunën dhe të dielën ( 16 dhe 17 gusht) nga disa faqe në Facebook si: “Korrekt Press”, “Realiteti”, “Kosova Channel”, “Gazeta Plisi” dhe “Diaspora me Albinin”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim apo fakt zyrtar që konfirmon pretendimin.

Hibrid.info ka verifikuar informacionin në burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, përfshirë faqet zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes (shih këtu dhe këtu), si dhe në llogaritë zyrtare në Facebook të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Nga ky verifikim nuk është gjetur asnjë konfirmim për pretendimet e bëra. Në njoftimet e fundit nga këto burime, përveç lajmit për pajisjen me mjete të blinduara të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), nuk raportohet për ardhjen e mjeteve të llojit të pretenduar.
Gjithashtu, pas hulumtimit me anë të makinës së kërkimit “Google” për këtë pretendim, nuk është hasur asnjë raportim nga mediat kredibile, më anë të së cilit do të konfirmohej pretendimi (shih këtu).
Ndërsa, për shkak se pretendimi është paraqitur me anë të një fotografie të përbashkët të Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë të Kosovës dhe Haluk Gorgun, presidentit të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, hibrid.info ka hulumtuar edhe për këtë imazh.
Nga kontrollimi i hibrid.info është gjetur se ky imazh është shkrepur nga takimi i Kurtit me Grogun, i realizuar më 3 shtator, 2024.
Nga njoftimet e gjetura të të dy palëve që ishin në takim, vërtetohet se në takim ishte diskutuar mundësia për bashkëpunim të të dy vendeve, sa i përket fushës së armatimit, por nuk janë përmendur forma dhe hapa konkretë (shih këtu dhe këtu).
Hibrid.info edhe në të kaluarën ka trajtuar pretendimin e njëjtë (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Pretendimi për ardhjen në Kosovë, të kundërajrorëve “Korkut 8×8” të blerë nga Turqia, është i pakonfirmuar.
Ky pretendim nuk konfirmohet as nga institucionet zyrtare dhe as nga mediat kredibile.
Andaj, bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info i vlerëson postimet me këtë pretendim si “Përmbajtje të paverifikuara”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.



