Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Pretendim i pasaktë, bëhet fjalë për tërheqjen e planit për një tjetër xhami

FATBARDH DEMA

Në disa media është pretenduar se në Zvicër është ndaluar investimi i shqiptarëve për një xhami 15 milionë franga.

Në përmbajtje mediat në gjuhën shqipe kanë shkruar bazuar në raportimin e mediumit “srf.ch” në Zvicër. Aty theksohet se kundër këtij projekti janë mbledhur 5 mijë nënshkrime. Publikimi i mediave në gjuhën shqipe, që po trajtohet nga hibrid.info, përmban fotografinë e projektit të përfolur për xhaminë milionëshe.

Pretendimi me titull “Zviceranët mbledhin 5 mijë nënshkrime – ndalohet investimi i shqiptarëve për xhaminë 15 milionë franga” u has i publikuar në mediat online në gjuhën shqipe “sinjali.com”, “indeksonline.net”, “lajmi.net”, “jepize.com”, “telegrafi.com”.

E vërteta?

Pretendimi se bëhet fjalë për ndalim të projektit shumëmilionësh për xhaminë në Zvicër është i pasaktë. Bëhet fjalë për një tjetër xhami, në një lokacion tjetër.

Po ashtu, projekti për xhaminë, sipas tekstit të “srf.ch” është ndërprerë përkohësisht nga komuniteti shqiptar pas ankesave nga banorët lokalë, por jo me vendim të autoriteteve.

Si u raportua?

Mediat në shqip kanë marrë për bazë një artikull të 8 prillit nga “srf.ch”. “Fshatarët pengojnë ndërtimin e xhamisë”, është titulli i këtij artikulli. Aty theksohet se komuniteti shqiptar në Siebnen është duke i tërhequr planet për xhaminë pasi mijëra njerëz kanë nënshkruar një peticion kundër.

Artikulli flet për tensionet në Siebnen të Kantonit të Schwyzit në javët e fundit. Sipas artikullit, komuniteti mysliman atje po synon biseda me këshillin lokal për të gjetur një lokacion alternativ. Në shkrim citohet Sinan Sadriu si kryetar i komunitetit, tek thotë se nuk duan ndarjen e qytetarëve.

Artikulli tutje flet edhe për kundërshtitë për xhamitë në disa lokacione përreth Zvicrës. “Në St. Gallen, ka pasur zhurmë të konsiderueshme kur planet për një xhami të madhe shumëmilionë-frangëshe u bënë publike së fundmi”, thuhet ndër të tjera në artikull. 

Pra artikulli tregon se bëhet fjalë për xhami të ndryshme.


Hibrid.info ka gjetur shkrime të mëhershme që shfaqin fotografinë e njëjtë, se ku ishte planifikuar ndërtimi i xhamisë në Siebnen (shih këtu).

E njëjta pronë shfaqet edhe në publikimin e “srf.ch” brenda videos:


Ndërkaq fotografia e përdorur në mediat përmbajtja e të cilave po trajtohet, paraqet diçka tjetër.

Më 5 prill “blick.ch” e publikoi një artikull me titull: “Shqiptarët planifikojnë xhami multimilionë-euroshe në St.Gallen”.

“Kështu pritet të duket xhamia e re El-Hidaje në St.Gallen”, mban përshkrimin fotografia e publikuar në mediumin në gjuhën zvicerane.

Kjo është e njëjta fotografi që është përdorur tani nga mediat në gjuhën shqipe si “projekti i ndaluar”.


Edhe një kërkim në “Google Maps” tregon se dy lokacionet janë larg njëra-tjetrës rreth një orë rrugë me veturë apo rreth 67 kilometra (shih këtu).


Artikulli me pretendim të pasaktë se është ndaluar xhamia e përfolur shumëmilionëshe në St.Gallen është publikuar edhe në faqet e këtyre mediave në Facebook. Ndërkaq “telegrafi.com” e ka ndërruar titullin dhe përmbajtjen. Kjo vërtetohet nga URL-ja e vegëzës, por edhe postimi në njërën prej faqeve të saj në Facebook (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se në Zvicër është ndaluar një xhami 15 milionë franga e shqiptarëve është i pasaktë.

Bëhet fjalë për një projekt në Siebnen që është pezulluar përkohësisht nga vetë komuniteti shqiptar pas kundërshtimeve lokale, jo nga autoritetet.

Mediat kanë përdorur gabimisht foto të një projekti tjetër në St. Gallen, duke krijuar keqinformim.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere