Shkroi: Fatbardh Dema
Faqja në Facebook “ABC News Kosova” (linku u arkivuar) përmes një postimi të publikuar me datë 12 nëntor, ka pretenduar se duke u bazuar në burime të afërta me Prokurorinë e Shtetit, janë hapur hetime urgjente për keqpërdorime në procesin e votimit në Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Në këtë postim pretendohet se bëhet fjalë për manipulime të mundshme me vota dhe përfshirjen e personave me ndikim në administratën lokale, duke shtuar se Prokuroria ende nuk ka dhënë njoftim zyrtar.
Cila është e vërteta?
Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, rezulton se ky pretendim nuk është publikuar nga asnjë media kredibile. Për më tepër, Prokuroria e Shtetit nuk ka shpërndarë asnjë njoftim zyrtar në faqen e saj në Facebook në lidhje me “hapjen e hetimeve”, siç pretendohet nga faqja e përmendur.

Në faqen zyrtare në Facebook të Prokurorisë së Shtetit nuk është publikuar asnjë njoftim lidhur me pretendimin e bërë për hapjen e hetimeve në Fushë Kosovë dhe Obiliq. (këtu)
Pas kërkimit në Google me fjalët kyçe “janë hapur hetime për keqpërdorime në procesin e votimit në Fushë Kosovë dhe Obiliq”, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar nga media ose burime të besueshme. (këtu)
Zgjedhjet lokale në Obiliq dhe Fushë Kosovë
Në Obiliq, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje, Halil Thaçi doli fitues me 51,28% të votave ndaj kandidatit në Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Gashi (48,72%). Ky i fundit më pas pranoi humbjen (shih këtu dhe këtu)
Në Fushë Kosovë, fitues doli kandidati në Lëvizja Vetëvendosje, Valon Prebreza me 55,12%, ndaj kandidatit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besnik Osmani (44,88%). Gjithashtu, edhe Osmani kishte pranuar humbjen (shih këtu)
Verifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Me datë 11 nëntor, KQZ-ja njoftoi se ishte përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 15 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë dhe Viti. (shih këtu)
Analiza:
Faqja në Facebook “ABC News Kosova” ka pretenduar më 12 nëntor se, duke u bazuar në burime të afërta me Prokurorinë e Shtetit, janë hapur hetime urgjente për keqpërdorime në procesin e votimit në komunat Fushë Kosovë dhe Obiliq, duke përfshirë manipulime të mundshme me vota dhe përfshirjen e personave me ndikim në administratën lokale. Në të njëjtin postim theksohej se Prokuroria ende nuk kishte dhënë njoftim zyrtar.
Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info rezulton se ky pretendim nuk është konfirmuar nga asnjë media kredibile. Prokuroria e Shtetit nuk ka publikuar asnjë njoftim zyrtar në faqen e saj në Facebook lidhur me “hapjen e hetimeve”. Po ashtu, kërkimi në Google me fjalët kyçe për këtë temë nuk nxori asnjë informacion të publikuar nga burime të besueshme.
Zgjedhjet lokale në Obiliq dhe Fushë Kosovë janë përfunduar me fitore për kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi në Obiliq me 51,28% të votave dhe Valon Prebreza në Fushë Kosovë me 55,12%. Po ashtu, kandidatët nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Gashi dhe Besnik Osmani, kanë pranuar humbjen.
Në këtë mënyrë, pretendimet për hetime urgjente nuk gjejnë mbështetje në fakte dhe dokumente zyrtare. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.